Ridvan Dibra Prozatori ngrihet mbi rrenojat e tij lirike

Ridvan Dibra: Prozatori ngrihet mbi rrenojat e tij lirike
Një poemë në gjashtë gjuhë. Poema e Ridvan Dibrës mbi mitin biblik të Moisiut shndërrohet në një minierë gjuhësore. "Plagët e Moisiut" një kurth letrar ku projektohet Sefora, gruaja e harruar e profetit, është një monolog filozofik gjithë dyshime për natyrën njerëzore dhe premtimet e ligjeve morale. Ka një mit biblik për profetin Moisi, ka një sfond biblik për atë që ndodhi në Malin Sinai kur shpëtimtari prej Egjiptit i popullit të Izraelit, pret shfaqjen e Zotit si imazh. Ridvan Dibra, autor shqiptar, e përpunon mitin me njëfarë inteligjence të tillë e cila realizon një përmbysje të padukshme të disa motiveve biblike rreth mitit të profetit më të rëndësishëm të judaizmit.

Është Mosiu ai që flet për plagët që ka marrë në jetën e gjatë, por është gruaja e tij, Sefora që lexojmë. Është ai që vuan, por është ajo që qëndron. Është ai që dyshon, është ajo që beson. Kush është kush?

Ky mekanizëm që e zbërthen mitin në prapavijë na kujton një rast tjetër në letërsinë shqipe, të cilin Aurel Plasari e përdori në një tekst të shkëlqyer, "Lufta e Trojës vazhdon" (Sejko, 2003), ku ashtu si Ridvan Dibra te "Plagët e Moiziut" (botimi i parë më 2000) merret me një personazh periferik nga armata e akejve, Jolau, i pari hero i Luftës së Trojës, në kthimin imagjinar nga Hadi në shtëpi. Ja ku kemi në dorë një poemë që botohet si korpus shumëgjuhësor, sepse vetë poema është një korpus i mitit të dekonstruktuar të Moisiut, që projekton në një kurth letrar Seforën, gruan e harruar të profetit.

Poema është botuar përveç shqipes në pesë gjuhë, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht dhe rumanisht. "Plagët e Moisiut", njëmbëdhjetë gjithsej (dhjetë ishin gjëmat që provoi Egjipti faraonik para shpëtimit të hebrejve skllevër nën udhëheqjen e Moisiut) botuar nga "Camaj&Pipa" është një monolog filozofik në vargje për dijen, kulturën, natyrën, besimin, për qeniet e ulëta dhe të larta sipas arsyes njerëzore, dhe për vetë qenien njerëzore në rënien e saj. Ky këndvështrim krijon një kontrast të fort marramendës, pas të cilit themeluesi i ligjeve morale është një njeri po aq dyshimtar sa individi i sotëm.

Ridvan Dibra, njëherësh mësimdhënës i letërsisë, në Universitetin e Shkodrës, qysh prej vitit 1989 është autor i veprave në prozë, tregime e romane: "Prostituta e virgjër", "Nudo", "Triumfi i Gjergj Elez Alisë", "Vëlla me centaurët", "Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë", "Kumte dashurie", "Franc Kafka i shkruan të birit", "Dhjetë histori antipostmoderne".

Një poemë në gjashtë gjuhë, në radhë të parë tregon kërkesë për komunikim. Deri në ç'masë është e vërtetë kjo?

Në rastin e poezisë, nuk besoj se "kërkesa për komunikim" është themelorja. Poezia, për vetë natyrën e saj, e realizon mundimshëm komunikimin. Poetë të njohur të letrave shqipe (Mjeda, Poradeci, Fishta, Naimi, De Rada, Camaj, Reshpja) janë thuajse krejt të panjohur për publikun evropian. Fakt ky, që nuk mund të justifikohet me thënien e stër-përdorur se "poezia e mirë është e papërkthyeshme". Po të ishte krejt e vërtetë kjo, si do ta argumentonim ardhjen e gjithë atij thesari poetik botëror në gjuhën shqipe? Por unë druaj se poezia shqipe, ashtu si arti ynë në përgjithësi, ka problem bashkëkohësinë. Gati përherë jemi të vonuar në raport me zhvillimet artistike evropiane, duke realizuar jo rrallë kopje e imitime të këtyre zhvillimeve. Kurse në rastin tim, do më pëlqente që kjo poemë të kishte spektër të gjerë komunikimi. Përkundrejt së vërtetës deri në abuzim me "karakterin elitar të poezisë". Me gjithë druajtjen time të fillimit, ndihem mirë kur mësoj se poema po komunikon me lexuesit, sidomos ato të rinj, çka më shtyn ta ribotoj së shpejti atë.

Ndërkohë, sinjale pozitive më vijnë edhe "nga jashtë". Revista prestigjioze "SAGARANA" (on-line) ka mirëpritur e botuar përkthimin në italisht.

Kurse në Wikipedian gjermanisht, zëri Zippora (Sefora) merr poemën time si shembull ilustrues nga letërsia botërore (Zippora in der Literatur. In dem Gedicht Die Ägyptischen Plagen: Die Wunden des Mose des albanischen Poeten Ridvan Dibra steht Zippora im Mittelpunkt. Das Gedicht endet mit den Ëorten: Schön ist es und schëer, Prophetenfrau zu sein / Meine Zippora).
Fakte të tillë, më bëjnë të ndihem mirë.

Duke pasur disa variante përkthimi shihet kapërcimi i një kulture në gjuhën e kulturave të tjera evropiane. Nga kjo përvojë, mund të thoni çfarë ka pësuar teksti juaj? Çfarë ka rezultuar nga kjo punë?

E kam të vështirë t'i përgjigjem pyetjes suaj. Ndoshta, një përgjigje më të saktë do të jepnin vetë përkthyesit, emra të shquar të albanologjisë, kritikës e letërsisë shqipe, të cilëve u jam mirënjohës dhe i falënderoj nga zemra. Sidoqoftë, në bisedë me miq të mi, njohës të mirë të gjuhëve, në të cilat është përkthyer poema, me rezulton se përkthyesit kanë bërë një punë të mrekullueshme, plot përkushtim. Bile, më thonë se në variantin gjermanisht është tejkaluar origjinali. Natyrisht, çdo përkthyes ka ruajtur natyrën e tij prej "tradhtari", duke i mëshuar - sipas synimeve estetike - herë aspekteve formalë të poemës e herë atyre përmbajtësorë.

I rrezikuar nga një krahasim duket fillimi i poemës: po shpalosen qiejt si fletët e librit. Por vargu lajmëron atë që duket një nga temat thelbësore të diskutimit tuaj: besimi dhe dija, zoti dhe librat. Çfarë kanë ndryshuar kohët moderne ne këtë diskutim.

Fillimi i poemës, që ju e citoni, është marrë nga Librat e Shenjtë.

Në fakt, e gjithë poema është ndërtuar në formën e një palimpsesti, ku nuk mungojnë citimet dhe versetet biblike-kuranore. Besimi. Dija. Zoti. Librat. Janë temat e gjithëkohshme e të përbotshme të Artit. Tema të tilla nuk janë të vjetruara as në kohët tona konsumiste, moderne apo post(post)moderne. Bile, them se janë më urgjente se kurrë. Tjetër është trajtimi formal dhe ndjeshmëria, me të cilën u afrohemi këtyre temave. Shikoni sa i palumtur është njeriu bashkëkohor! Edhe pse është më i pasur se dje. Edhe pse është më i ditur se dje. Arsyet? Sepse, tashmë, ai nuk beson në asgjë: në asnjë vlerë dhe në asnjë autoritet.

Sepse tjetër është të jesh i dijshëm dhe tjetër të jesh i urtë. Harxhojmë miliarda për ekologjinë natyrore dhe na dhimbsen qindarkat për "ekologjinë shpirtërore". Nuk njoh kohë më të mjerë, sesa ajo kur të vjen turp të përdorësh fjalën shpirt. Kësisoj, Apokalipsin po e gatuajmë me duart e veprat tona.

Moisiu merr dhjetë urdhëresa, kurse ju i jepni njëmbëdhjetë plagë, plaga e fundit është vetë Sefora. Sefora është boshti i poemës. Që në hyrje, me fjalët "Të gjithë e kanë harruar Seforën, gruan e Profetit", paralajmëroj se poema asaj i kushtohet; sakrifikimit të saj të heshtur e herë-herë të dhimbshëm (në variantin tim) përkrah një burri, i cili ka një qëllim dhe synim madhor. Ndonjëherë, krijimtarinë time e kanë akuzuar si maskiliste. Meqë m'u dha rasti, them se kjo poemë është përgjigja më e mirë, që u bëhet këtyre kritikave.

Pranë Malit Sinai, Sefora, gruaja e ardhshme e Moisiut, është ajo që kërkon ndërmjetësi për te Zoti, ndryshe nga Moisiu i cili kërkon të provojë praninë e tij. Ky është versioni biblik. Ajo që është interesante në poemën tuaj është Sefora në të njëjtën pozitë, ndërsa Moisiu një primat kryerënë, i zhgënjyer, si njeri i kthyer nga lufta.
Konstatimi juaj është interesant dhe i drejtë.

Moisiu (Musai tek myslimanët) është ndër profetët më interesantë dhe më njerëzorë në listën e gjatë të profetëve. Kam lexuar shumë rreth tij. Ja si shprehet Shure, njëri prej studiuesve më të njohur të këtij profeti: "Izraeli ishte për Moisiun veçse një instrument, përmes të cilit të përhapte fenë universale, monoteiste". Kur qe i tillë Izraeli për profetin, imagjinojeni pozicionin e Seforës... Porse unë i bëj një trajtim të lirë versionit biblik, në shërbim të synimeve të mia artistike. E përmenda faktin e mësipërm edhe për të thënë se më është dashur një punë jo e vogël studimore e përgatitore, para së të ulesha e të shkruaja poemën. Më çudisin ata poetë e kritikë që deklarohen se "poezia është e çastit dhe shkruhet shpejt".


Që Moisiu është një individ i kohës, plaga që flet më shumë për këtë duket plaga e katërt, mizat: ironi për racën njerëzore?

Keni të drejtë. Më lejoni të përgjigjem, duke perifrazuar Fromin: "Nëse duam të depërtojmë në realitetin tonë intim, duhet të kërkojmë të harrojmë gjuhën tonë të zakonshme dhe të mendojmë me gjuhën e harruar të simbolizmit e biblizmit".

Kanë kaluar dhjetë vjet nga botimi i parë, po në të vërtetë si lindi kjo poemë?

E kam të vështirë tashti, pas më shumë se dhjetë vitesh (poema është shkruar në vitin 2000), t'i përgjigjem drejt pyetjes suaj. Porse nuk janë në natyrën time krijuese "lindjet e shpejta, lindjet e çastit". Gjithçka piqet brenda meje (falë përjetimeve, ndjeshmërive, përvojave, leximeve), derisa vjen çasti kur ndihem i gatshëm të ulem në tryezën e shkrimit.

Mbaj mend se poema qe botuar së pari, po atë vit, në njërën prej të përditshmeve tona letrare. Kësisoj, pa dijeninë time, poema pati përfunduar edhe në internet. Aty zgjoi interesin jo vetëm të lexuesve, por edhe të disa përkthyesve thuajse njëherësh, të cilët, me dëshirën dhe vullnetin e tyre, pa kurrnjë kusht financiar (siç ndodh rëndom!), realizuan përkthimet.

Konkretisht: në anglisht (Robert Elsie, Shinasi Rama, Janice-Mathie Heck); gjermanisht (Hans-Joachim Lanksch); frëngjisht (Ardian Marashi); italisht (Albana Temali, Guerrino Stanzani) dhe në rumanisht (Ardian Kyçyku). Dhjetë vjet pas përkthimit të poemës në gjuhët e mësipërme, edhe pse jo pak i vonuar (i zënë me telashet e prozës!), e ndjeva si detyrim botimin e plotë të këtij teksti. Edhe si shenjë respekti ndaj përkthyesve.

Pastaj ju keni botuar kryesisht prozë, po me poezinë ku i keni lënë marrëdhëniet?

Po, kjo është pyetje "me spec".

Mirë që s'e bëtë në fillim. Ka një shprehje të bukur Kundera, që më pëlqen ta citoj: "Prozatori ngrihet mbi rrënojat e tij lirike". Si duket dhe për fat, ngrehina ime lirike ende nuk është kthyer në rrënojë. Përveç kësaj poeme, kam edhe disa të tjera të cilat, ndoshta, mund t'i botoj një ditë. Por ju duhet ta dini se jam një lexues i vëmendshëm i poezisë.

E lexoj me të njëjtin përkushtim si prozën e mirë. Kjo vëmendje ndaj poezisë, ka ndikuar pa dyshim në prozën time, në kujdesin maksimal ndaj gjuhës, ndaj frazës dhe fjalës në vetvete. Tendencat poetike të prozës sime i kanë vënë re edhe kritikë të ndryshëm, por dhe lexues të vëmendshëm, shijes së të cilëve unë i besoj.

Gjithashtu, unë mendoj se mes poezisë dhe tregimit (them për tregimin e vërtetë) nuk ka dallime të mëdha: po ajo ekonomi shprehjeje, po ai kujdes ndaj fjalës e ritmit... elementë të poezisë këto. Në një kuptim, tregimin e poezinë i shoh si vëlla e motër. Mandej, unë kam bindjen se Letërsia e vërtetë, gjithherë ka synuar dhe synon poezinë. Kështu për shembull, "Hamletin" dhe "Metamorfozën" gjithmonë më ka pëlqyer t'i shoh si dy poema të mëdha ekzistenciale.

Kaq, kësaj radhe. Është një problem, për të cilin do më pëlqente të diskutoja me orë të tëra.

Dhe faleminderit.

Diçiturë:

"Moisiu mbron vajzat e Jetros". Tablo e Fiorentino Rossos, e vitit 1523-24. Vaj në kanavacë. Galleria degli Uffizi, Firence

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama