Tre solistët protagonistë të kësaj shfaqeje, që ngjalli interesimin e madh të medieve dhe publikut të gjerë, ishin tenori Saimir Pirgu (Duka i Mantovës), sopranoja Aleksandra Kurzak (Xhilda) dhe baritoni Quinn Kelsey (Rigoleto). Kompozuar në vitin 1851 brenda 40 ditëve, opera "Rigoleto" i përket triptikut gjenial verdian të periudhës së pjekurisë krijuese të autorit, së bashku me "Trovatoren" dhe "Traviatën". Libretisti i tij, Francesco Maria Piave u mbështet në dramën e Victor Hygo-së "Mbreti zbavitet", premiera e së cilës u shfaq në Komedinë Franceze në nëntor të vitit 1832 dhe u ndalua menjëherë të nesërmen nga censura, për shkak se historia prekte direkt mbretin e Francës dhe oborrin e tij. Me gjithë përpjekjet e Viktor Hygo-së për rehabilitimin e veprës, drama nuk e pa më dritën e skenës.
Nga ana tjetër, Verdi dhe Piave, për t’i shpëtuar censurës së autoriteteve Austro-Hungareze në Italinë e asaj periudhe, u detyruan ta zhvendosin aksionin dhe personazhet e Hygo-it në pallatin dukal të Mantovës. A ishte thjesht vetëm zbavitja dhe kënaqësia estetike e spektatorëve për të cilën kishin menduar më parë Hugo-i dhe pas tij, Verdi dhe Piave? Apo mos ndoshta, përtej emocioneve të muzikës sublime, tekstit të saj e mbas të qeshurës groteske të personazheve, të bëhej një reflektim serioz mbi abuzimin e pushtetit absolut, që kjo të ngjallte tek njerëzit revoltën kundër padrejtësisë së kushteve sociale në të cilat ndodheshin?
Nëqoftëse Hygo, Piave dhe Verdi zgjodhën ta vendosin intrigën në të kaluarën, a do të ishte legjitime sot të aktualizohej vënia e saj në skenë, për të përcjellë një mesazh të ri, bashkëkohor e shumë të dobishëm për shoqërinë? Viktor Hygo zgjodhi oborrin e Francës. Piave dhe Verdi pallatin dukal të Mantovës, ndërsa producentët e Zurich-ut e rivendosën kësaj here historinë në një kontekst krejt tjetër, në ditët tona, ne tryezën e një Parlamenti modern apo të një Këshilli Ministrash, në një vend ku pushteti është absolut vetëm në duart e një personi të vetëm, i cili rrethohet nga një bandë servilësh, indiferentësh, frikacakësh e sahanlëpirësish, që bëhen institucioni i përligjur i një krimi që më pas bie pamëshirshëm mbi kokat e tyre.
Pse zgjodha pikërisht analizën e kësaj kryevepre të lirikës, për të folur për një nga sukseset e kohëve të fundit të tenorit shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu? Jo sepse ky ishte produksioni më i rëndësishëm i vitit për të, por sepse në këtë prodhim të ri të Operës së Zurich-ut kishte një mesazh të veçantë që u përcoll tek publiku i gjerë përmes skenës; mesazh që ngjalli shumë debate, duartrokitje dhe kundërshtime, shkrime e artikuj, intervista dhe emisione televizive. Opera, sipas kritikës së nesërme, ishte e përfshirë totalisht nga sharmi i 3 solistëve kryesorë, Saimir Pirgut, Aleksandra Kurzak e Quinn Kelsey, të cilët i transmetuan publikut emocione të mëdha nëpërmjet vokalit dhe lojës mjeshtërore, ku ndërthureshin njëkohësisht pafajësia, mashtrimi, tradhëtia, mallkimi dhe pamundësia e mbrojtjes prindërore.
Vendosja e ngjarjes në kohët moderne, i dha ngjyra të reja tre personazheve kryesorë, krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i shohim më parë, duke evidentuar edhe më shumë anën vokale, e cila ishte mbulesa më e mirë e dekorit pothuajse të zbrazët skenik. Notat e para të uverturës tragjike të operës krijuan në sallë një gjendje të akullt. Është pikërisht momenti kur spektatori nis të reflektojë mbi atë që do të ndodhë më pas.
Perdja hapet dhe spektatorit i vret sytë drita gri e një skene pothuajse të boshatisur, mbi të cilën ndodhet vetëm një tryezë e madhe dhe e gjerë, rrethuar me karrige të rënda, e cila do ta mbushë dekorin e operës deri në mbarimin e aktit të tretë e të fundit të saj. Ç’të jetë vallë kjo tryezë ku qëndron i ulur me kapadaillëk një burrë i ri e i bukur, arrogant në pamje e me këmbët sipër saj?
Kush janë vallë ata burra që turren të zenë vend nëpër karriget përreth, duke bërë kujdes të mos e shqetësojnë padronin e ri? Pallati luksoz i Dukës së Mantovës është zëvëndësuar me këtë tryezë të zbrazët ku gatuhet një zullum i ri, modern e bashkëkohor, ku duket se luhen kartat e politikës së një vendi pa emër por që çuditërisht e njohin të gjithë. Duka i Mantovës, në këtë rast nuk është më aristokrati i rrethuar nga luksi i shfrenuar i pallatit dukal, por një personazh i një epoke tjetër i sigurtë e arrogant, ndoshta ministër apo kryetar parlamenti.
Ai rrethohet nga vartës të përulur e servil, përqark një tryeze ku gatuhen marrëzitë, intrigat dhe krimet më të mëdha ndaj viktimave të shoqërisë. Rigoleto? Me një zë të bukur, herë të fuqishëm e herë melodioz, tenori Saimir Pirgu shpalos nëpëmjet një loje aktoriale të rrallë, tiparet e një Duke arrogant, më të paskrupullt, më mizor e më imoral se kurrë. Epshet e papërmbajtura të këtij padroni të ri duket se nuk kanë më asnjë kufi.
Të duket sikur Pirgu e njeh mirë këtë personazh dhe loja e tij rrjedh natyrshëm, duke mos e lënë indiferent spektatorin në sallë. Si në aktrim, ashtu edhe në nuancat më të holla vokale, shpaloset oreksi i madh i një diktatori në pushtet për aventura të shfrenuara, të cilat e implikojnë gjithnjë e më shumë në ndërmarrje të mënxyrshme e imorale, të mbështetura nga vartësi i tij Rigoleto.
Zëri i Pirgut kapërcen me mjeshtëri regjistra të ndryshëm emocionalë, duke nisur nga lirika e arieve, duetit dhe kuartetit, në elegancën e këngës "La donna e mobile" e deri në tonet më të larta të aktit të dytë. Shfaqja u duartrokit gjatë për lojën brilante të treshes Pirgu – Kurzak- Kelsey. Solistët ishin ne një formë skenike dhe vokale të shkëlqyer, e cila u dallua edhe në duetet dhe kuartetin final, një nga faqet më të bukura të muzikës operistike botërore, per të cilin Viktor Hygo është shprehur : "Edhe unë, po të kisha pasur mundësi t’i bëja të flisnin në të njëjtën kohë katër personazhet, që publiku të kuptonte fjalët dhe ndjenjat e tyre të kundërta, ashtu si Verdi në këtë kuartet, do të kisha korrur të njëjtin sukses.
Duartrokitje frenetike e shoqëruan përfundimin e premierës së "Rigoletos" në 3 shkurt të këtij viti në operën e Zurich-ut. Duartrokitje, mes të cilave u ndjenë aty-këtu edhe zëra kundërshtarësh, që më pas u mbytën nga ovacionet e publikut. Ishte një shfaqje e re që na bëri të gjithëve ta ri-duam këtë perlë të trashëgimisë botërore të lirikës. Ndërsa mua, artistes që kisha kaluar rininë nën prangat e një regjimi totalitar, ku ishte e ndaluar çdo liri e shprehjes dhe e mendimit të lirë, më erdhi nëpër mend pyetja: "A do ta kishte lejuar censura e një vendi jo demokratik këtë produksion të ri të "Rigoleto-s" 2013?
Sajmir Pirgu, tenori që i buron drita nga buzët
Në muajin mars Saimir Pirgu, tenori i njohur shqiptar do të luajë në krah të tenorit me famë botërore Plaçido Domingo në skenën e madhe të Metropolitan Opera të New Yorkut.
Pas shfaqjes, patëm kënaqësinë të takohemi me miq, të shumtë që kishin ardhur nga larg për të duartrokitur tenorin Saimir Pirgu. Ishte violinisti i njohur shkodran Paçalin Pavaci (koncertmaester ne orkestrën e teatrit Petruzzelli në Bari) dhe bashkëshortja e tij, pianistja Karmen Santoro, që kishte punuar për vënien në skenë të "Rigolettos" në krah të dirigjentit Fabio Luizi. Më pas u bashkuan me ne sopranoja e njohur Inva Mula me bashkëshortin, që këtë muaj do të këndojë në të njëjtën skenë rolin e Mimi-së (La Bohème), sopranoja më e re Evis Mula, gazetarja e BBC në Londër Mirela Shtëmbari, studentë shqiptarë në Universitetin e Zurih-ut dhe miq të tjerë. Desha të veçoj, me këtë rast, edhe takimin me tenorin e njohur italo-francez Roberto Alagna, i cili e vlerësoi maksimalisht lojën e Saimir Pirgut, duke e krahasuar me një tenor, të cilit i buron drita nga buzët kur këndon.
Saimir ju korrët suksesin e radhës me premierën e prodhimit më të ri të operës së Zurih-ut, “Rigoleto-n” e Xhuzepe Verdit. Pati shumë artikuj, emisione televizive ku interpretimi juaj është vlerësuar maksimalisht si për anën vokale, interpretimin aktorial, ashtu edhe për frymën e re që i dhatë rolit të Dukës, në kuadrin e një regjie moderne, të konceptuar krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim më parë. Çfarë mund të na tregoni për këtë përvojë të re?
Këtë herë, për mua ka qenë tepër e vështirë të interpretoj rolin e Dukës së Mantovës, të cilin unë e njoh prej vitesh dhe e kam interpretuar shpesh në skena të mëdha. Kjo vështirësi vinte për shkak të një regjie të re dhe eksperimentale të konceptuar nga regjisorja Tatjana Gürbaca. Të luash një rol që e ke kënduar dhe aktruar disa herë, në një skenë pothuajse të boshatisur, të ftohtë, vetëm me një tavolinë e disa karrige, shton përgjegjësinë e solistit për të dhënë shumë më tepër se ç’është mësuar më parë. Desha të shtoj se kostumet e reja, të cilat na dhanë një identitet të ri në skenë, e vështirësuan edhe më shumë interpretimin e rolit. Më është dashur të ndryshoj çdo lëvizje konvencionale të Dukëve të mëparshëm, për t’iu përshtatur vizionit të ri.
Çfarë përfaqësoi viti 2012 në karrierën tuaj dhe kush janë bashkëpunimet më të rëndësishme dhe eksperiencat më unike të vitit që latë pas?
Ka qenë vit shumë i suksesshëm, me shumë interpretime të reja e bashkëpunime me dirigjentë të rëndësishëm, nga të cilat dua të veçoj : “Requiem-in” e Berliozit, me të madhin Rikardo Muti në Festivalin e Salisburgut. Po ashtu, koncertet me Nikolaus Harnoncourt në Styriarte Graz. Pastaj suksesin e operës “Bohème” të Puçini-t në Barcelonë me sopranon Angela Gheorghiu, debutimin tim në Arenën e Veronës me operën “Don Xhovanni” të Mozart-it, me regji të Franko Zefirelli-t; përsëri me Rikardo Mutin në teatrin gjigand të Buenos Aires, duke mbyllur vitin në teatrin “La Fenice” të Venezia-s, me koncertin tradicional të Vitit të Ri, trasmetuar me mondovision në 47 shtete të botës. Pra, mund ta quaj një vit tepër të ngjeshur me punë, por njëkohësisht edhe me sadisfaksione të mëdha.
Si e shikoni Saimirin e dhjetë viteve më parë me Saimirin e vitit 2013?
Saimiri i vitit 2003 ishte student me ëndrra e shpresa të mëdha për jetën, që sapo kishte fituar 2 konkurse të mëdha operistikë, të cilët i mundësuan autofinancimin për të ndjekur audicionet e teatrove të ndryshëm, të cilat do ta çonin më pas në dyert e operës shtetërore të Vienës, ku më 30 prill 2003 do të debutonte për herë të parë me operan “Elisir D'amore” të Donizetti- t. Pra, 10 vjet më parë, Saimiri këndonte në operën e Vjenës, si i riu më premtues. Ndërsa sot, Saimiri kthehet ne Vjenë mes publikut të tij që e pret me kuriozitet, për të parë se çfarë të rejash do të sjellë Pirgu këtë vit.
Si e prisni bashkëpunimin e muajve mars-prill 2013 me një nga ikonat e lirikës ndërkombëtare, Plaçido Domingon në Metropolitan Opera të New York? A është e rastësishme që ai ju ka zgjedhur pikërisht në krah të tij si “Alfredo” (rol të cilin e ka interpretuar dikur me shumë sukses), duke kënduar përballë jush rolin e Germonit plak?
Këtë herë nuk kam qenë i zgjedhur drejtpërdrejt nga Domingo, por ka qenë Metropolitan Opera e New York-ut si dhe ideja e drejtorit te saj Peter Gelb, e cila ka bërë zgjedhjen dhe ka mundësuar këtë kast solistësh. Domingo në këtë prodhim të ri të Traviatës ndodhet në pozicionin e solistit, ashtu si dhe unë. Sigurisht, pa miratimin e tij kjo gjë nuk mund të ndodhte. Plaçido Domingo ka qenë drejtor i operës në Los Angeles dhe më ka ftuar disa herë të këndoj në atë teatër, por kënaqësia ime e veçantë është se kësaj here, do të jemi koleg në të njëjtën skenë me të, aq sa nuk me besohet! Më duket ende e çuditshme, që do të këndoj në krah të të madhit Domingo, edhe pse nuk është hera e parë.