Prokuroria ka dyshime se ngjarja e 25 prillit, në Gjirokastër, me protagonist sërish Kostandin Xhuvanin, por që më pas hetimet u pushuan, dyshohet se është manipuluar. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetwn “Shqip” se është urdhëruar që procesimi penal në ngarkim të Xhuvanit të rihapet, madje hetimet të zgjerohen edhe ndaj efektivëve të policisë që kanë përpiluar raportin si dhe ndaj grupit hetimor të Prokurorisë së Gjirokastrës. Çështja sërish do të hetohet në Gjirokastër, por kësaj here me një tjetër grup hetimor, ku fillimisht do të merret fashikulli i mëparshëm dhe më pas do të merren në pyetje edhe shumë persona, kryesisht dëshmitarë apo punonjës të Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, të cilët lëshuan një dokument që vërtetonte se pasditen e 25 prillit, Xhuvani ishte në Elbasan dhe jo në Gjirokastër. Por, disa dëshmitarë njohën 25-vjeçarin, që kanosi dhjetëra persona, ndërsa qëlloi me armë zjarri në ajër. Megjithatë, edhe nëse shpallet fajtor, Xhuvani nuk do ta ndiejë shumë masën e dënimit, pasi për ngjarjen tjetër mund të dënohet minimalisht me 20 vite burg, ashtu siç edhe parashikohet nga Kodi Penal, por maksimalisht, parashikohet edhe burgu i përjetshëm. Nisur edhe nga numri i viktimave, duket se djali i ish-deputetes dhe regjisorit të njohur, mund të qëndrojë përjetësisht në burg, por vendimin përfundimtar e merr gjykata dhe duke qenë se për këtë shtetas ka pasur disa favorizime, mund të ndodhw sërish e njëjta situatë.
Duke u rikthyer te ngjarja e Gjirokastër, mësohet se prokuroria do të kryejw ekspertimin balistik dhe krahasues të tre gëzhojave dhe predhës së gjetur në vendin e ngjarjes, pranë lokalit “Lithium” në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër. Sipas burimeve, prokurorët do të krahasojnë gëzhojat dhe predhën e gjetur në makinë me gëzhojat dhe pistoletën, me të cilat Kostandin Xhuvani vrau 4 personat në lokalin “Ante Grand” në Rrugën e Elbasanit, më 4 nëntor, në Tiranë. Këto predha do t’i nënshtrohen ekzaminimit nga laboratori i policisë shkencore, për të parë nëse kanë dalë nga e njëjta armë. Hetuesit thonë, se nëse këto gëzhoja rezultojnë të së njëjtës armë, që iu gjet Xhuvanit, atëherë kjo mund të provojë se ngjarja e prillit u manipulua nga policia dhe prokuroria, për të favorizuar 25-vjeçarin.
Në vendimin e prokurorisë për pushimin e çështjes, thuhet se Kostandin Xhuvani, në atë kohë, nuk kishte në përdorim një aparat celular, për të saktësuar vendndodhjen e tij në momentin e incidentit, ndërsa shkruhet gjithashtu, se lokali ku ndodhi ngjarja, nuk kishte kamera sigurie. Në këtë mënyrë, prokuroria mori të mirëqenë pohimin e mjekut roje të Spitalit Psikiatrik në Elbasan, i cili tha se në orën kur ka ndodhur ngjarja në Gjirokastër, Xhuvani ndodhej i shtruar në këtë spital, në gjendje të rënduar nga alkooli. Por edhe dëshmitë e personave të kanosur, u ndryshuan një muaj pas ngjarjes. Ditën e incidentit, ata identifikuan Kostandin Xhuvanin, si personi që qëlloi me armë në drejtim të tyre, ndërsa pas 30 ditwsh e mohuan këtë pretendim. Ky ndryshim qëndrimi dyshohet se ka ardhur pas një marrëveshjeje, për të mbyllur dosjen e hapur në Prokurorinë e Gjirokastrës.