Punimet vazhdojnë
Punimet në qendër ende nuk kanë mbaruar. Punime do të ketë në të gjithë hapësirën dhe do të bëhen kryesisht në pjesët e lulishteve ku ende mungonbaridhe shihen vetëm disa pemë të mbjella. Bari duket se është e vetmja gjë që i ka shpëtuar ndryshimit të planit. Bëhet fjalë pikërisht për atë pjesë bari që ndodhet në pjesën e pasme të monumentit të Skënderbeut. Por jo vetëm lulishtet kanë nevojë për punime. Edhe rrugët duket që nuk kanë punimin final. Në pjesën e rrugës “Çamëria” asfalti duket që nuk është nga më të mirët e që ndoshta më pas do të duhet edhe një “dorë” tjetër për t’i dhënë formën e vet. Gjithashtu, në pjesë të ndryshme ende nuk ka shtylla ndriçimi. “Sot na është shtyrë edhe orari i punës, pasi ende ka shumë për t’u bërë, sidomos me ndriçimin.
Por këtu ka më shumë shefa se punëtorë dhe në fund ata rrinë e shohin, ndërsa ne punojmë dhe na kërkojnë të përshpejtojmë gjithçka pasi hapja duhet bërë qysh sonte (mbrëmë)”, tregon për “Shekulli”-n një nga punëtorët që po merrej me rregullimin e trotuarit. Një nga shumë shefat e punimeve shprehet: “Rruga do të hapet nesër (të hënën). Sonte ndërkohë do të bëhen disa teste në lidhje me ndriçimin e rrugës. Për sa i përket punimeve që vazhdojnë, ato nuk do të ndalen deri sa të mbarojë përfundimisht projekti. Lëvizja e makinave nuk do të vërë në rrezik asnjë punëtor tek punon në zonat që janë ende të pambaruara”. Megjithëse pretendohet siguria e madhe për punëtorët, ajo që ndoshta mund të vihet në pikpyetje, është siguria për kalimtarët. Kjo për faktin se trotuarët janë dukshëm ende të pambaruar dhe me gropa të hapura për mbjelljen e pemëve. Shumë prej këmbësorëve që ecin në qendër, e cila për më tepër është një pikë qëndrimi kryesore për automjetet, duket se do të jenë edhe ata në rrugë.
Bashkia e Tiranës
Në një njoftim për shtyp nga Bashkia e Tiranës u bë e ditur edhe se si do të lëvizin automjetet që do të hyjnë në qendër.
Kështu, kryqëzimi te bulevardi “Zog I” me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh është me një korsi dhe dalja nga sheshi me dy korsi. Ky segment do të menaxhohet me semafore.
Kryqëzimi Rruga e Durrësit me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh është me një korsi dhe dalja nga sheshi me dy korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë.
Kryqëzimi Rruga e Kavajës me rrugën “Ded Gjo Luli”, hyrja në shesh është me një korsi dhe dalja nga sheshi është me dy korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë.
Kryqëzimi rruga “Luigj Gurakuqi” me rrugën “George Ë. Bush”, hyrja në shesh është me një korsi dhe dalja nga sheshi me dy korsi vetëm drejt dhe do të menaxhohet me semaforë.
Kryqëzimi Rruga e Dibrës me rrugën “Bardhok Biba”, hyrja në shesh do të bëhet nga rruga “Urani Pani” me dy korsi deri në bulevardin “Zog I” dhe do të menaxhohet me semaforë.
Në të gjitha rrugët, brenda Unazës së Vogël, do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e tyre. Ndalohet qarkullimi i mjeteve, përveç veturave dhe autobusëve urban qytetas, në brendësi të unazës së vogël të qytetit, me kufizim 24 orë, me përjashtim të mjeteve të shërbimit të urgjencave, zjarrfikësit. Subjektet dhe institucionet do të kryejnë veprimtarinë e tyre me autorizimet përkatëse, sipas sinjalistikës së vendosur.
Risistemimi i stacioneve të Linjave Urbane Qytetase
Linjat urbane Kinostudio-Kombinat dhe ish-Uzina Dinamo e re – Sharrë do të qëndrojnë te stacioni (xhepi i ndalimit) përballë Teatrit të Kukullave.
Linjat urbane Tirana e Re do të qëndrojnë te stacionet (xhepat e ndalimit) në krah të 15-katëshit dhe Muzeut Kombëtar.
Linjat urbane Lapraka dhe Instituti Bujqësor do të qëndrojnë te stacioni (xhepi i ndalimit) përpara Muzeut Kombëtar
Linjat urbane Tufina, Porcelani dhe Saukut do të qëndrojnë në të njëjtin stacion si më parë te Kulla e Sahatit.