Në Shqipëri, ky aktivitet zhvillohet që nga viti 1998, vit në të cilin u organizua një seminar shkencor me temë: "Voskopoja dhe tradita e saj kulturore". Në vitin 1999, "Ditët e trashëgimisë kulturore evropiane" nuk u zhvillua në një qendër të vetme dhe nuk pati një tematikë fikse. Objekt i aktivitetit nuk ishin specialistët me temat e tyre, por vetë të rinjtë e shkollave të mesme të disa qyteteve dhe njohja e tyre me monumentet kulturore. Përzgjedhja e tematikës "Të njohim monumentet kulturore të rrethit tonë", synonte promovimin e vlerave historike, dhënien e një informacioni për vlerat që mbartin shumë kala, objekte kulti, ura, fortifikime etj., si dhe rritjen e krenarisë për trashëgiminë tonë të pasur kulturore. Ky projekt u realizua në disa qytete njëkohësisht, si në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër. Turneu u udhëhoq nga specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Viti 2000 do ta gjente aktivitetin në Tiranë, ku kësaj here u përurua faza e parë e restaurimit të kompleksit të ministrive, e quajtur "Kthim në Identitet".
Ky aktivitet u shoqërua me një ekspozitë me foto të vjetra të qytetit të Tiranës, si dhe me koncerte e parada me veshje popullore, të cilat i shtuan atmosferën festive aktivitetit.
Në datat 28, 29 e 30 shtator 2003, "Ditët e trashëgimisë kulturore evropiane" u zhvillua në Gjirokastër.
Më pas, aktiviteti "Ditë të trashëgimisë kulturore evropiane" për vitin 2005 u organizua në një sërë aktivitetesh me një gjeografi të pasur, të shpërndarë, si në Tiranë, Berat, Gjirokastër etj. Në vitin 2007 u krijua një rrjet aktivitetesh të zhvilluara nga institucione të ndryshme si: në Galerinë e Arteve në Tiranë, Drejtorinë Rajonale të Monumente në Durrës, në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Butrintit etj.
Nga : Gazeta Shqip