Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë ka shkuar deri në 50%, çka do të thotë se paguhet vetëm gjysma e energjisë që konsumohet, ndërsa pjesa tjetër ose humbet në rrjet ose vidhet nga qytetarët. Edhe pse kufiri mes humbjeve në rrjet për shkak të amortizimit të tij dhe vjedhjeve nuk është vënë, Enti Rregullator i Energjisë ka marrë një mase të re për rritjen e arkëtimeve. Me vendim të entit, çdo familje që nuk ka matës energjie ose e ka atë të dëmtuar, do të paguajë energjinë me faturë aforfe. Vlera e faturës do të varet nga stina dhe pozita gjeografike ku gjendet familja që nuk ka sahat. Faturat më të larta do të jenë deri në 6360 lekë pa përfshirë këtu Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ndërsa më e ulëta do të jetë 1540 lekë pa TVSH-në. Për llogaritjen e kilovatëve që do t’u faturohen familjeve pa sahat, është marrë historiku i konsumit të energjisë në zonën përkatëse.
Kush do të paguajë aforfe?
Drejtori i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, pohon për gazetën “Shekulli” se, është marrë vendimi për rikthimin e faturave aforfe dhe ky akt ka hyrë në fuqi. Shkak për rikthimin e këtyre faturave që ishin ndaluar me ligj që nga vitit 2010, është bërë rrija e humbjeve në rrjet për shkak të vjedhjeve të energjisë. “U krijua një precendent, i cili u shtri në të gjithë vendin dhe në masë të konsiderueshme, meqë nuk kishte aforfe, qytetarët filluan të prishin sahatët. Kjo kategori konsumatorësh duke përfituar nga mungesa e faturave aforfe dhe mungesa e sahatit, nuk kanë paguar energjinë. ERE vendosi të marrë vendimin për faturim aforfe duke e përllogaritur mbi bazën e një metodike për konsumin e tyre sipas zonave. Rikthimi i këtyre faturave u bë për një arsye të thjeshtë: sepse precendenti i prishjes së matësve duhej të mos ndodhte dhe energjia që konsumohet të paguhet. Mungesa e faturave aforfe solli si pasojë rritjen e mosarkëtimeve në sektorin e energjisë. Enti Rregullator i Energjisë gjykoi se duhej marrë ky vendim për t’i krijuar mundësinë kompanisë që shpërndan energjinë që të mbledhë paratë për energjinë që konsumohet. Çmimet e energjisë në faturat aforfe janë ato të vitit 2009, sepse edhe konsumi i saj është thuajse në ato nivele”- deklaron drejtori i ERE-s Petrit Ahmeti.
Tarifat
Të gjithë familjeve konsumatore që nuk kanë matës të energjisë elektrike në banesat e tyre ose e kanë atë të dëmtuar, konsumi i energjisë do t'u faturohet në formë aforfe. Tarifat e energjisë do të jenë 7.7 lekë/kw/orë deri në kufirin 300 kw dhe 13. 5 lekë/kw/orë për njësitë e konsumuara mbi 300 kw/orë. Sipas vendimit të ERE-s, faturimi aforfe për një familje në Tiranë, brenda qytetit, do të llogaritet për 600 kw/orë në dimër dhe vlera e faturës shkon në 6360 lekë pa TVSh, ndërsa në verë, 400 kw dhe vlera e faturës shkon në 3660 lekë pa TVSh. Për të njëjtën zonë, por për stinën e verës, një familjeje pa matës ose me matës të dëmtuar do t'i faturohen 400 kw/orë në qytet vlera e faturës shkon në 3660 lekë pa TVSh dhe 300 kw/orë në fshat, ku vlera e faturës shkon në 2310 lekë pa TVSh. Qyteti i Durrësit do të faturohet për 500 kw/orë në dimër, ndërsa fshatrat e tij për 400 kw/orë. Ndërsa, në verë, qyteti do të faturohet për 400 kw/orë, ndërsa fshatrat për 300 kw/orë. Në qytetin e Fierit, në dimër do të faturohet për 500 kw/orë, ndërsa fshatrat për 350 kw/orë. Ndërsa në verë, faturimi do të jetë për 400 kw/orë për qytetin dhe 350 për fshatin. ERE ka vendosur që faturimi aforfe të bëhet thuajse i njëjtë për të gjitha zonat e vendit, sipas ndarjes qytet-fshat. Një faturë aforfe me 600 kw llogaritet të kushtojë në rreth 7600 lekë me TVSh. Por për shumë familje kjo mund të lërë hapësirë abuzimi pasi ato mund të shpenzojnë shumë herë më tepër energji sesa ajo faturuar.
Gjiknuri: Fatura aforfe 300 mijë familjeve pa matës
Rreth 300 mijë familje që nuk kanë matës të energjisë elektrike ose që e kanë atë të dëmtuar do të përballen me faturat aforfe. Enti Rregullator ka rikthyer faturat aforfe të energjisë elektrike, të cilat nga viti 2010 nuk aplikoheshin më. Vendimi bëhet publik nga ministri Damian Gjiknuri, i cili pohon se kjo masë vjen si detyrim, pasi janë me mijëra matës elektrikë në të cilët familjarët kanë ndërhyrë duke vjedhur energjinë elektrike. Nisur nga emergjenca në të cilën ndodhet sistemi energjetik, task-forca e ngritur për këtë qëllim ka evidentuar zonat me problematike për të ndërhyrë. Fillimisht do të kontrollohen zonat industriale ku vjedhja është edhe më e madhe. Por, sistemi energjetik vuan nga një spirale borxhesh, ku një ndër borxhlinjtë më të keq është vetë shteti. Nëse ka një emergjencë kombëtare, ajo është në sektorin e energjisë ku humbjet, arkëtimeve dhe vjedhjet bëjnë që shteti të humbasë çdo vit rreth 140 milionë euro. Ndaj përmirësimi i këtyre treguesve është një nga sfidat që mbetet për t’u parë se si do ta zgjidhë qeveria. Sipas këtij vendimi, është përcaktuar që një familje në Tiranë, në qytet, do të paguajë 600 KW në dimër, ose rreth 7600 lekë në muaj me TVSh, ndërsa një familje në fshat llogaritet të konsumojë 400 KW dhe do të paguajë 4300 lekë në muaj, por kjo sasi energjie është përcaktuar e ndryshme për rrethet e tjera ku minimalja nis me 250 KW deri në 500 KW në muaj. Ndërsa për periudhën e verës shifrat janë më të ulëta. Ky vendim hyri në fuqi nga 1 janari i këtij viti.
Peleshi: Vjedhja ndaj CEZ –it, 140 milionë euro
Rreth 140 milionë euro është fatura e energjisë që vidhet në Shqipëri. Zv/kryeministri Niko Peleshi ka bërë të ditur faturën që rëndon, jo vetëm CEZ-in, por edhe buxhetin e shtetit. Në mbledhjen e parë të Taks-forcës, të krijuar për të mbledhur borxhet e sistemit të shpërndarjes së energjisë, ai u shpreh: “Kjo barrë nuk mund të mbetet thjesht e një kompanie, kjo duhet të jetë një sfidë e vërtetë shtetërore. Task forca ka një rëndësi të veçantë për momentin që jemi. Siç besoj, të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë vënë re, fatkeqësisht Shqipëria ka hyrë në një vit të thatë. Reshjet kanë qenë 30% e mesatares së viteve të kaluara, që do të thotë që ne duhet të jemi shumë më eficient me konsumin e energjisë. Njëkohësisht, duhet të bëjmë çmos që ne të parandalojmë dhe të luftojmë çdo lloj abuzimi me vjedhjen e energjisë. Prandaj, kjo punë duhet të fillojë sa më shpejt dhe me goditje të përqendruar në ato zona që quhen ‘hot spote’. Së bashku me strukturat e CEZ-it, janë përcaktuar vendet, dihen shumë mirë cilët janë ‘hot spotet’”-tha Peleshi.
Faturat aforfe të energjisë elektrike sipas zonave
Rrethi qytet/fshat Tarifa për familje Vlera në lekë (pa TVSh)
Tiranë/qytet 600 kw/orë në dimër 6360
Tiranë/qytet 400 kw/orë në verë 3660
Tiranë/fshat 400 kw/orë në dimër 3660
Tiranë/fshat 300 kw/orë në verë 2310
Durrës/qytet 500 kw/orë në dimër 5010
Durrës/qytet 400 kw/orë në verë 3660
Durrës/fshat 400 kw/orë në dimër 3660
Durrës/fshat 300 kw/orë në verë 2310
Fieri/qytet 500 kw/orë në dimër 5010
Fieri/qytet 400 kw/orë në verë 3660
Fier/fshat 350 kw/orë në dimër 2985
Fier/fshat 350 kw/orë në verë 2985
Elbasan/ qytet 500kw/orë në dimër 5010
Elbasan/fshat 300 kw/orë në verë 2310
Elbasan/ qytet 400 kw/orë në dimër 3660
Elbasan/fshat 300 kw/orë në verë 2310
Korçë/ qytet 500 kw/orë në dimër 5010
Korçë/ qytet 300 kw/orë në verë 2310
Korçë/ fshat 350 kw/orë në dimër 2985
Korçë/ fshat 250 kw/orë në verë 1925
Pogradec/qytet 450 kw/orë në dimër 4335
Pogradec/ qytet 250 kw/orë në verë 1925
Pogradec/fshat 300 kw/orë në dimër 2310
Pogradec/fshat 200 kw/orë në verë 1540
Gjirokastër/qytet 450 kw/orë në dimër 4335
Gjirokastër/qytet 300 kw/orë në verë 2310
Gjirokastër/fshat 350 kw/orë në dimër 2985
Gjirokastër/fshat 250 kw/orë në verë 1925
Saranda/qytet 500 kw/orë në dimër 5010
Saranda/qytet 300 kw/orë në verë 2310
Saranda/ fshat 400 kw/orë në dimër 3660
Saranda/ fshat 250 kw/orë në verë 1925
Tepelene/qytet 450 kw/orë në dimër 4335
Tepelene/qytet 300 kw/orë në verë 2310
Tepelene/ fshat 350 kw/orë në dimër 2985
Tepelene/ fshat 200 kw/orë në verë 1540
Shkodër/qytet 500 kw/orë në dimër 5010
Shkodër/qytet 300 kw/orë në verë 2310
Shkodër/ fshat 400 kw/orë në dimër 3660
Shkodër/ fshat 250 kw/orë në verë 1925
Berat/qytet 500 kw/orë në dimër 5010
Berat/qytet 350 kw/orë në verë 2985
Berat/ fshat 400 kw/orë në dimër 3660
Berat/ fshat 250 kw/orë në verë 1925
Kukes /qytet 550 kw/orë në dimër 5685
Kukes /qytet 300 kw/orë në verë 2310
Kukes / fshat 400 kw/orë në dimër 3660
Kukes / fshat 250 kw/orë në verë 1925
Burrel/qytet 450 kw/orë në dimër 4335
Burrel/qytet 300 kw/orë në verë 2310
Burrel/ fshat 300 kw/orë në dimër 2310
Burrel/ fshat 250 kw/orë në verë 1925