Rikthehet greva e punonjësve të transportit urban në Tiranë. Ka kaluar pak më shumë se një muaj, nga greva disa-orëshe e urbanëve në kryeqytet, dhe nesër pritet greva e radhës. Nesër në mëngjes nga ora 05:00 deri në orën 09:00 lëvizja e të gjithë linjave urbane do të pezullohet. Vendimi është bërë publik sot paradite nga Sindikata e Transportit Urban. Sindikata e Transportit thotë se ndodhet përballë kushteve të falimentit,ndërkohë që punonjësit nuk kanë marrë ende pagat. “Marrëveshja për pagat e prapambetura u prish, ndaj në shenjë proteste do të zhvillojmë nesër grevë”, -shprehen drejtuesit e sindikatës.
Sindikata e Transportit Urban kërkon rritjen e çmimit të biletës në 70 lekë të reja, nga 30 që është aktualisht, ose kërkon që bileta të bëhet 50 lekë dhe të marrin subvencionim nga qeveria. Sindikata ka paralajmëruar grevë pa afat, në se nuk plotësohen kërkesat e bëra publike që para shumë kohësh, dhe vazhdojnë ende të përsëriten.