Danilo Alvesh rikthehet te Flamurtari. Sulmuesi brazilian do të jetë pjesë e kuqezinjve edhe për sezonin e ardhshëm dhe një lajm i tillë konfirmohet nga burime zyrtare brenda klubit. Lojtari mësohet se ka komunikuar me drejtuesit mbrëmjen e së shtunës dhe u ka kërkuar falje për gjithçka ka ndodhur. Sulmuesi brazilian dhe menaxheri i tij pak ditë më parë denoncuan klubin me pretendimin se lojtari nuk ishte paguar.
Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i administratorit Idrizi. Ky i fundit publikoi listëpagesën ku paga mujore neto e Alveshit shkonte në 5700 euro. Idrizi akuzoi menaxherët se po e shantazhonin, ndërsa pak ditë më pas sulmuesi brazilian u kap "mat" në rezidencën e klubit të Skënderbeut në Durrës. Por, pavarësisht polemikave dhe akuzave të ndërsjellta, duket se çështja po zgjidhet dhe klubi vlonjat e ka pranuar faljen e lojtarit. Ndërsa ky i fundit ka arritur të kuptojë se në bazë të kontratës që ka me klubin e Flamurtarit, nuk mund të largohet në drejtim të asnjë klubi tjetër brenda apo jashtë Shqipërisë.
Ndëshkimi
Por, pavarësisht rikthimit, Danilo Alvesh do të ndëshkohet. Drejtuesit e klubit kishin në plan që ta "internonin" Alveshin në Pyllin e Sodës, por gjasat janë që planet të kenë ndryshuar. Mësohet se braziliani do të vendoset së shpejti nën urdhrat e trajnerit Magani. Ndëshkimi që do t'i bëhet Alveshit mësohet se është financiar dhe për prishje të imazhit. Që në momentin që lojtari ka folur publikisht, ka marrë një dënim me 10 për qind të kontratës vjetore ose 3400 euro për 6 muajt e parë që qëndroi te vlonjatët.
Ai gjithashtu do të ndëshkohet edhe për përdorim të simboleve të klubit dhe të imazhit të tij, në favor të të tretëve, pasi ka bërë një reklamë për një subjekt privat. Megjithatë, fakti që Flamurtari e pranoi sërish Alveshin, tregon se situata është zbutur disi edhe për shkak të kërkesës së Maganit.
ERMAL SIKA