Një vit më vonë do të botohej romani që njeh lexuesi i gjerë: një gjeneral dhe një prift gjerman vijnë në Shqipëri të tërheqin eshtrat e ushtarëve që gjetën vdekjen gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Bota me të cilën ndeshen merr përmasën e një zbulimi më së shumti psikologjik. Është vepra e parë e përkthyer e Kadaresë në disa gjuhë të huaja e që i dha atij njohje ndërkombëtare. Qysh atëherë vepra është ribotuar shumë herë në Shqipëri dhe Kosovë. Ndërsa tregimi, tri herë në revistat letrare “Nëntori”, “Zëri i Rinisë” dhe “Jeta e Re”.
Botimi i ri vjen nga shtëpia botuese “OM”, enti më i ri botues nga Kosova. Lexuesi merr në dorë versionin e tij të parë, që do të thotë një tekst burimor pothuajse i harruar. Tregimi botohet edhe me ilustrimet që e kanë shoqëruar atë në revistën “Nëntori”. Pra, përveç dizajnit që është i ri, gjithçka ka vlerën e mbrojtjes së tekstit burimor.
Vihet në qarkullim teksti, nga i cili doli vepra më e njohur shqiptare. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” shoqërohet nga një parathënie e gjatë dhe analitike e Ag Apollonit, studiuesit, poetit e dramaturgut shqiptar. Parathënia fillon me gjenezën e “Gjeneralit...”, siç e quan shpesh Apolloni, për të vazhduar më tej me një studim të detajuar të këtij tregimi. Botimet kritike (“critical editions”) janë niveli më i lartë i botimit të një vepre, sepse shoqërohen me një analizë të thellë kritike dhe dallohen për seriozitetin dhe përkushtimin që kanë ndaj tekstit dhe autorit.
Drejtori i shtëpisë botuese “OM”, Xhemajl Avdyli na siguron se për këtë botim kritik është punuar me seriozitet dhe përkushtim të madh, ndaj edhe priten reagime pozitive. “Gjithsesi, një falënderim të veçantë meriton shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, i cili me kënaqësi na e dha lejen për botimin e tregimit të tij”, thotë për “Shekullin” Avdyli. Ndryshimet që ka sjellë koha e që pa dyshim shoqërohen edhe me kërkesa të tjera ndaj librit e ka bërë stafin e kësaj shtëpie botuese të jetë e vendosur për t’i sjellë lexuesit libra të një rëndësie të veçantë, qoftë në prozë, poezi, dramë, apo edhe në studimet letrare, të cilat i kanë munguar mjaft lexuesit shqiptar. Pritet që javën e ardhshme “Gjenerali...” të qarkullojë edhe në libraritë e Tiranës.