Rikthehet teatri i ndaluar i Hekuran Zhitit

Rikthehet teatri i ndaluar i Hekuran Zhitit

Pas 60 vitesh, “Nusja në thes” e autorit Hekuran Zhiti i rikthehet skenës, kësaj here në qendrën kulturore “Tirana” (Teatri i Metropolit). Vepra e shkruar në 1944-n, vjen premierë nga regjisorja Elma Doresi, në datën 21 shkurt 2014, salla “Shekspir” ora 19:00. Komedia “Nusja në thes” është një vepër që godet sa të mundet veset e njerëzve të veshur me pushtet, përkatësisht një prefekt, i cili në vend që të zgjidhë hallet e popullit, përfiton nga detyra për të zgjidhur hallet personale. “E kam zgjedhur këtë vepër për të vetmin fakt, për mesazhin dhe problematikën që ajo trajton. Një vepër e tillë më ngacmoi shumë imagjinatën dhe kur ke një vepër të mirë të jep dorë të punosh mirë me simbolin dhe spektaklin”, shprehet regjisorja. Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘20 në Myzeqe. Prefekti, ndonëse i zgjedhur për të zbatuar me përpikëri detyrat e tij si qytetar në shërbim të popullit, gjithçka e vë në shërbim të vetes.

 

Abuzime, të cilat kalojnë çdo kufi, etje për pushtet dhe uri për të pasur gjithçka që e rrethon. Një njeri i cili nuk ngopet kurrë dhe asgjë nuk është e mjaftueshme për të. Kulmi arrin kur prefekti vendos të dërgojë ushtarë edhe sakatët, duke përkrahur njerëzit me pushtet. Në këtë rrugë pa kthim, shpëtimi gjendet vetëm tek Hëna ose ndryshe “Hakmarrja”, një personazh sa mistik aq edhe real, si vetë emri i saj… Regjisorja ka vendosur që shfaqjen ta ndërtojë tërësisht në simbol, një veçori e njohur kjo tashmë për Doresin. Pas Mollës tek “Karnavalet e Korçës”, Ëndrrës, te “14 vjeç dhëndër”, Burgut te “Tri mendje në ankand”, “Nusja…” na vjen nga thesi në thes.

“Më pëlqen që të luaj gjithmonë me simbolin. E kam bërë që në hapat e mi të parë në skenë. Ky është çelësi për mua që më bën të jem larg faktit “vënie në skenë”, apo dekoreve statike. Nuk më pëlqejnë shabllotë”, thotë Dorezi. Kostumografia e punuar nga Edlira Qyshka, përveç simbolit dhe karakterit të personazhit, do të ketë edhe elemente folku. Sikurse edhe muzika është e mbështetur në folk. Te komedia “Nusja në thes” interpretojnë aktorët Klea Huta, Devis Muka, Valina Muçolli, Klodian Hoxha, Ermela Ruri, Aldjon Matarangasi, Alban Musa, Lorenc Kaja. “Nusja në thes” është shkruar nga Hekuran Zhiti, në vitet 1944-1945, në Berat. Ai rrjedh nga një familje patriote dhe artdashëse në Tomorricë, por veprat e tij nuk mundën të botoheshin dot në komunizëm. Edhe “Nusja në thes” i shpëtoi “bastisjes”, pasi ndodhej dorëshkrim në copa letrash. I biri i autorit mundi ta ruante këtë vepër si dhe disa të tjera të tij. “Nusja në thes” u vu në skenë në Berat gjatë viteve që u shkrua, nga aktorë amatorë.

Çka është për t’u theksuar është se pasi u shfaq “Nusja në thes” në Berat, autori Hekuran Zhiti u arrestua pak metra larg teatrit. Është autor i shumë komedive dhe dramave, poezive dhe skeçeve të cilat u botuan vetëm nëpër faqe gazetash.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama