Rikthehet tradita e kultivimit dhe prodhimit te geshtenjes

Rikthehet tradita e kultivimit dhe prodhimit te geshtenjes
Rrethi i Tropojës ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan,me një sipërfaqe prej 2000 ha, duke u shtrirë kurorë Alpeve përmbi qytetin “Bajram Curri”, bjeshkëve deri në Dragobi, e vazhdon me Bujan, Tpla, masivet në vargmalet e Shkëlzenit në Tropojë, për të përfunduar në kurorën e Brisës, kufi me Toplanën, përngjatë Kaponit, Gjonpepaj, Bëtoshë, Korja e Merturit në komunën Lekbibaj.

Siç informojnë për “Shekulli” specialistët e bujqësisë, herë pas here për gështenjën janë siguruar fonde në shtimin e numrit të rrënjëve duke mbjellë fidanë të rinj në disa komuna, apo për kryerjen e shërbimeve, si krasitje,prerje të degëve të thata për t'u ardhur në ndihmë pronarëve me shumë rrënjë gështenja.

Por ngritja e linjave të reja të përpunimit të gështenjës është e domosdoshme. Është një ndihmesë e madhe për afrimin e tregut, veçanërisht atij të huaj në Tropojë, thonë specialistët e drejtorisë së shërbimit pyjor në Tropojë.

Për mjaft fermerë tropojanë, tregtia e gështenjës përmes së cilës sigurojnë të ardhurat për gjithë vitin është parësore në jetën e tyre. Edhe se Tropoja është e njohur për kultivimin e këtij drufrutori, dihet, se edhe para viteve '90 eksportohej gështenja tropojane në Gjermani, Turqi, Austri e vende të tjera, ku përpunohej dhe prodhoheshin nënprodukte si çokollata, ëmbëlsira, apo nënprodukte të tjera të kërkuara nga konsumatorët.

|Pas viteve '90 fillimisht nisi dëmtimi i kësaj pasurie, por shpejt interesi ekonomik që të ruhej kjo pasuri, kërkoi dhe privatizimin e domosdoshëm, që solli ruajtjen e shtimin e numrit të rrënjëve të këtij drufrutori. Ne tani i ruajmë  dhe i mirëmbajmë , e bëjmë përpjekje për shtimin e numrit të rrënjëve, pasi kështu rrisim të ardhurat tona”, thotë Gjeloshi nga komuna Lekbibaj.

Masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2000 ha me rreth 220 mijë rrënjë, prej të cilave rreth 190 mijë janë në prodhim, ku rendimenti arrin deri në 40 - 45 kilogram për rrënjë, thuajse është i trashëguar nga brezi në brez. Është masiv i vjetër dhe i ruajtur dhe shtrihet thuajse në të gjithë rrethin e në toka relativisht inproduktive, por ka ardhur edhe duke u shtuar. Por kryesore është mbrojtja e tij, ky është shkaku që po investohet në masat mbrojtëse, tashmë edhe nga vetë pronarët.

Sipas tij, gështenja në këtë rreth është e shtrirë në të gjithë zonën, por masivet më të mëdha janë në komunat e Lekbibajt, Bujanit, Fierzës, Margegajt e deri në bashkinë e Bajram Currit, qytet thuajse i rrethuar nga gështenja.

Një prej fermerëve të komunës së Lekbibajt, Fran Zhivani, thotë se aty ku ka shtëpinë, gështenja siguron një pjesë të ardhurave sa për të mbajtur familjen.

Ai ka në pronësi rreth 300 rrënjë gështenja të cilën e tregton ku të ketë kërkesa nga tregtarët e mëdhenj të qyteteve të fushës. Tani sigurojmë jo shumë   të ardhura, por mund të rriten nëse sigurojmë një treg të garantuar dhe besojmë se këtë vit gështenja do ketë rendimente të larta e rruga e rikonstrutuar Fierzë-Lekbibaj është një garanci më e madhe për transportin, thotë Gjeloshi,një tjetër pronar.

 

Pronarët e gështenjave në Tropojë thonë se tregun e kanë të siguruar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Në Shqipëri çmimi i një kilogrami gështenje ka arritur në 50-70  lekë, ndërsa në Kosovë me 80 cent deri në 1 euro, thonë ata.

Edhe pse fermerët përpiqen të mbjellin gështenja të reja, në fakt, sipas specialistëve, futja e tyre në prodhim zgjat shumë, rreth 10 vjet. Por interesi i tyre për rritjen e numrit të rrënjëve është edhe për faktin se kërkon pak investime dhe zë toka jo produktive. Veç kësaj, mikroklima ideale e këtij rrethi ka bërë që gështenja të zërë vendin kryesor ndër drufrutoret e këtij rrethi.

Por shqetësim i pronarëve të gështenjës është kërcënimi nga sëmundja e kancerit të këtij drufrutori. Kjo sëmundje ka qenë e pranishme që prej 30 vitesh e sjell tharjen e drufrutorit para kohe. Në realitet, dëmtimi nga kjo sëmundje është i rrallë dhe është gjithnjë nën vëmendjen e specialistëve të pemëtarisë. Fatmirësisht këto vite masivet e gështenjave nuk janë prekur nga kjo sëmundje.

Specialistët e drejtorisë së shërbimit pyjor, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe kryepleqtë e fshatrave kanë hartuar programin për luftën kundër zjarreve në gështenja. Ndonëse vitet e fundit janë dëmtuar masive të mëdha pyjesh nga zjarret, gështenja ka shpëtuar pa u dëmtuar.

Pronarët gjatë këtyre muajve të pranverës organizojnë punën duke pastruar masivet nga dëmtimet e dimrit,krasitjen e tyre dhe kujdesin ndaj fidanëve të rinj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama