Rikthehet vrasja e Santos/Te gjitha fijet qe lidhen ne Fushe - Kruje

Rikthehet vrasja e Santos/Te gjitha fijet qe lidhen ne Fushe - Kruje

Ndjekja e motorrit të dy vrasësve të Artan Santos, mëngjesin e 26 qershorit të vitit 2014 i çoi forcat e policisë deri në Fushë- Krujë. Pak para hyrjes së qytetit, në një rrugë që degëzon me segmentin e drejtë që vjen nga Rinasi, mjeti me ngjyrë të zezë, bashkë me vrasësit veshur me të zeza, u zhduk.

Policia krijoi bindjen jo vetëm se ata u fshehën në këtë zonë, por edhe se ishin banorë të saj pasi e njihnin mirë terrenin. Në orët e zhurmshme që krijoi atentati i bankierit të njohur, u arrestuan dy banorë të Fushë- Krujës, Klodian e Saimir Gjozi, të cilët u liruan pak javë më pas për mungesë provash. Por hetimet e policisë dhe prokurorisë mbetën të përqëndruara në këtë zonë.

Dy banorë të tjerë të saj mësohet se janë mbajtur nën përgjim si të dyshuar. Gazetari investigativ Artan Hoxha deklaroi mbrëmë në Opinion se këta banorë Durim Bami dhe Enver Stafuka. Të dy, sipas Hoxhës, janë përgjuar nga policia. I pari u bë i njohur, si Duri nga Fushë- Kruja pasi u arrestua për çështjen Doshi, ndërsa i dyti është zhdukur prej disa javësh dhe nuk ka asnjë gjurmë të tij. Ai ishte një ndër dëshmitarët kyç në gjyqin kundër Arben Frrokut, pasi u arrestua si personi që kishte vjedhur automjetin, të cilin e përdori A. Frroku në atentatin ndaj kryekomisar Dritan Lamajt. Stafuka u arrestua më 29 maj të vitit 2013 se bashku me shtetasin G. Betja. Por u lirua më 13 nëntor të po atij viti pasi gjykata vlerësoi se provat e prokurorisë nuk ishin të mjaftueshme për dënimin e tij.

Gazetari Hoxha thotë se Durim Bami dhe Enver Stafuka janë mbajtur nën përgjim deri në shtator të vitit 2014 dhe se ky përgjim është ndërprerë sapo Tom Doshi kishte nisur të informonte miqtë e tij në pushtet, ministrin e Brendshëm, Kryeministrin apo edhe Kryetarin e Kuvendit, se kishte rënë në dijeni të një plani për vrasjen e tij. Nuk dihet me siguri se çfarë ka ndodhur më pas me survejimin e "Durit nga Fushë- Kruja" pasi ai u takua me Tahirin dhe Didin dhe nëse vetë ministri ishte në dijeni se Bami mbahej nën përgjigjim si i dyshuar për rastin Santo.

Burime të policisë konfirmojnë për lapsi.al faktin se Durim Bami dhe Enver Stafuka kishin njohje me njëri- tjetrin. Ata janë persona të dyshuar për disa vepra kriminale. Koha kur përgjimi ndaj tyre ndërpritet, siç pretendon gazetari Hoxha, përkon pikërisht me shfaqjen e Durim Bamit në një tjetër skenë; atë të planit të pretenduar për vrasjen Tom Doshit.

Gazetari Hoxha, në një tjetër dalje publike në Opinion, pak javë më parë, tha se personat që ekzekutuan në mes të Tiranës bankierin Artan Santo në qeshor të vitit të kaluar, ishin nisur për tek Tom Doshi, por kishin devijuar shenjestër. Po ato ditë, Tom Doshi pretendon se Durim Bami kishte planifikuar ta ekzekutonte me një sasi eksplozivi të vendosur në një motoçikletë që përdoret për shpërndarje picash, të parkuar pranë makinës së Doshit përpara Dy Kullave në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Në media janë hedhur disa herë dyshime për lidhje të vrasjes së Santos me kapjen e një sasie të madhe droge në Mal të Zi, afro 250 kg kokainë që vinte nga Kolumbia dhe kishte destinacion Shqipërinë, madje zonën e Fushë – Kuqes ku thuhej se do të shkarkohej.

Por a ka lidhje vrasja e Santos me atentatin e planifikuar ndaj Doshit dhe drogën kolumbiane të kapur në Mal të Zi?

Deri tani, ngjarjet përkojnë vetëm në data. Droga në Mal të Zi u kap më 5 qershor. Tom Doshi pretendon se atentati ndaj tij ishte planifikuar më 21 qershor. Ndërsa Artan Santo u ekzekutua më 26 qershor.

Përgjimi i Durim Bamit për vrasjen e Artan Santos dhe pohimi i tij përpara deputetit Doshi se kishte planifikuar për ta vrarë atë pak ditë përpara eliminimit të Santos i shtojnë dyshimet, për shkak se nga këto të dhëna rezulton se i njëjti person mund të ishte pajtuar për të dy skenarët e planifikuar për t’u realizuar brenda pak ditësh.

Por cila ishte lidhja e Durim Bamit me Doshin?  Deputeti i Shkodrës ka deklaruar se me 36 -vjeçarin nga Fushë Kruja e ka prezantuar Mark Frroku. Deputeti Frroku pretendon se Bami ka njohje të hershme me të afërm të Doshit dhe se nuk është ai personi që i ka prezantuar. Prokuroria ka vërtetuar të kundërtën, pasi në hetimin e saj e cilëson Mark Frrokun si personin që ka iniciuar historinë e sajuar të Tom Doshit.

Mark Frroku dyshohet të ketë lidhje edhe me Enver Stafukën. 46 vjeçari nga Larushku i Fushë- Krujës u arrestua si bashkëpunëtor në vjedhjen e BMV-së të përdorur nga Arben Frroku në vrasjen e Dritan Lamajt. Për vrasjen e Santos, nëse informacioni i gazetarit Hoxha është i saktë, Stafuka mund të jetë përgjuar si personi i dyshuar që ka qëlluar mbi bankierin, por edhe si ai që ka siguruar motorrin që u përdor në atentat. Durim Bami mendohet se ka qenë në drejtim të motorrit. Por dyshime të forta ka gjithashtu se ekzekutuesi i Artan Santos mund të ketë qenë edhe një femër, me lidhje të afërta me Durim Bamin. Në videon e publikuar kohë më parë nga lapsi.al, (video më poshtë) sipas ekspertëve ekzekutori i Santos e hedh këmbën e djathtë ndërsa largohet, me një lëvizje disi femërore, të veçantë.

Deri tani, prokuroria nuk ka mundur të provojë autorësinë e tyre në këtë atentat. Hetimet, bashkë me ato për çështjen Doshi apo edhe për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt kanë nxjerrë në dritë vetëm vetëm faktin se Tom Doshi, Mark Frroku, Durim Bami dhe Enver Stafuka njihen me njëri- tjetrin, në rrethana të ndryshme. Burime të policisë flasin edhe për një takim të Doshit, Frrokut e Bamit në një lokal, në Fushë- Krujë, në të njëjtin qytet ku humbi gjurmët motori i atentatorëve të Artan Santos dhe ku duket se fshihet misteri i vrasjes së tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama