Rikthimi i madh i Barbra Streisand

Rikthimi i madh i Barbra Streisand
Barbra Streisand rikthehet në skenën muzikore me "Love is the answer", albumi i saj i ri i prodhuar së bashku me artisten e madhe kanadeze të xhazit, Diana Krall, dhe legjendarin Tommy Li Puma. Albumi që doli dje në Amerikë mendohet të ketë një sukses të jashtëzakonshëm. Streisand është artisja femër me numrin më të madh të disqeve të shitura në SHBA, numër që kalon shifrën e 71 milionë kopjeve. Një zë unik dhe i pangatërrueshëm me mbi 60 albume të realizuara në më shumë se 40 vjet karrierë. Këngët e albumit në përgjithësi janë ato të klasikëve të mëdhenj në një version të ri në të cilin, prezenca e Diana Krall i jep një shije të mrekullueshme xhaz. Mes këngëve spikasin e famshmja "If You Go Away" e Jaques Brel, kënduar nga Streisand në dy versione, anglisht dhe frëngjisht, "In The Wee Small Hours Of The Morning" që arriti suksesin nga Frank Sinatra dhe "Smoke Gets In Your Eyes" versionet më të famshme të së cilës janë ato të Nat King Cole dhe The Platters. Arranximet muzikore të këngëve të "Love Is The Answer" janë të Johnny Mandel.

"Love Is The Answer" do të dalë në dy versione, atë standard dhe atë në versionin De Luxe. Bota e muzikës ka shumë yje, por me Barbra Streisand nuk mund të krahasohet asnjëri. Aktorja, drejtuesja, këngëtarja dhe producentja e famshme, njëkohësisht edhe aktiviste e të drejtave të njeriut dhe adhuruese e ushqimit, është edhe koleksionuese kukullash. Me 63 albume të nxjerra në karrierën e saj, ajo akoma mban rekordin e artistes më të shitur amerikane të të gjitha kohërave. E rritur në Bruklin, në Nju Jork, Barbra kujton se jetonte në një apartament të vogël me familjen e saj dhe ka pasur një fëmijëri të vështirë, për shkak të gjendjes së saj ekonomike. "Jam rritur në Williamsburg deri kur u bëra 7 vjeç. Çdo muaj paguanim 40 dollarë qira për apartamentin. Jetonim të gjithë në një dhomë. Unë dhe nëna flinim në të njëjtin krevat, ndërsa vëllai në një krevat portativ", tregon ajo. Më pas familja vendosi të transferohej në një shtëpi më të madhe. "Më kujtohet që aty ishim më lirshëm dhe paguanim çdo muaj një qira që kushtonte 105 dollarë". Nuk ka rëndësi se sa e famshme është tani, Barbra tregon se ajo në thelb mbetet vajza e vogël që në fëmijërinë e saj nuk ka pasur kurrë një kukull. "Kur rritesh i varfër, mbetesh i varfër edhe në arsye", tregon ajo. Kur ishte fëmijë, këngëtarja 67-vjeçare tregon se përdorte një shishe me ujë të ngrohtë si kukullën e saj të vetme. "Kur nuk ke gjëra, duhet të përdorësh imagjinatën. Gruaja që kujdesej për mua më punoi me shtiza një kapelë rozë dhe një pulovër për t‘ia veshur kukullës sime", rrëfen Barbra. Por, ndoshta kjo mungesë e fëmijërisë ka bërë që ajo sot të jetë një koleksionuese kukullash, madje ka hapur një dyqan kukullash në shtëpinë e saj gjigante prej 1000 metrash katrorë. Gjendja e saj financiare ka ndryshuar përgjatë dekadave, por Barbra tregon se ajo në thelb ka mbetur e njëjtë: njeri i thjeshtë dhe e sinqertë si atëherë kur nuk kishte asgjë. "E kam përsëritur gjithmonë se suksesi nuk të ndryshon. Në shpirt, brenda vetes mbetesh gjithmonë e njëjtë. Thjesht ti nuk je më ajo që ke qenë, sepse je më e suksesshme". Ajo tregon se vështirësitë e kaluara në jetë nuk e bënë që të hiqte dorë nga ëndrrat e saj. Që e vogël kishte imagjinuar një jetë dhe karrierë të suksesshme për veten. "Doja të bëhesha e famshme. Ndoshta sepse që fëmijë kisha qenë e mbyllur dhe e padalë. Mendoj se jeta që kam bërë dhe problemet me të cilat kam jetuar më kanë motivuar shumë". Por më vonë ajo tregon edhe për tronditjen që pësoi kur vërtet arriti të bëhej e famshme në jetë.

"Nuk isha përgatitur për ta jetuar menjëherë famën. Gjithmonë kam dashur të bëhesha e famshme, por kur ia arrita qëllimit, vërtet që nuk po më pëlqente më. Mua nuk më pëlqen fama, nuk dua që dikush të ecë në gjurmët e mia. Nuk dua që njerëzit të mërziten nëse diçka nuk shkon". Kur ti shndërrohesh në modelin e ëndrrave të njerëzve, tregon Barbra, është e vështirë të mos i kënaqësh ata. Vite më parë, ajo tregon se arriti të pranonte adhurimin dhe të vlerësonte veten. "Kur ti e pranon veten ashtu si je, e pranon atë më të mirat dhe të këqijat që ti ke. Pastaj e kupton se gjërat pozitive dëshiron t‘i ndash edhe me tjerët. Tani nuk kam më frikë të performoj para publikut". Por, për 27 vjet, Barbra tregon se frika e ka frenuar të ngjitet në skenë. Frika lidhej me vitin 1967, gjatë koncertit të saj në Nju Jork. Më shumë se 135000 njerëz ishin mbledhur për të ndjekur këtë ngjarje historike. "Harrova fjalët. Më pas kjo ndjenjë frike më pushtonte gjithmonë. Nuk dola në skenë derisa u zbuluan teleprompterat". Kanë kaluar shumë vjet që kur Barbra u largua nga Bruklini, dhe tani përveç albumit të saj të 63-të "Love is the answer" do të nxjerrë edhe kukullën e saj të parë. Me një numër të kufizuar në treg, kukulla e dizajnuar nga Barbra Streisand dhe e prodhuar nga "Mattel" do të dalë në shitje në nëntor. "Kam punuar shumë për këtë kukull. U kujdesa me gjithë shpirt për të gjitha detajet. Sepse unë jam një njeri që shoh me kujdes edhe gjërat më të vogla. U interesova personalisht, për ngjyrën e flokëve, veshjet dhe gjithçka tjetër. Mendova se meqenëse nuk është një qenie njerëzore duhet të jetë perfekte. Ndryshe nga ne njerëzit që nuk jemi perfekt në asgjë që bëjmë", përfundon ajo.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama