Rikthimi i mendjes ne vendin qe meriton

Rikthimi i mendjes në vendin që meriton
Bjer e ngrihu. Shkurt, këto dy fjalë paraqesin gjendjen e revistave kulturore ose së fundi të quajtura kulturologjike në Shqipëri. Më e reja, ndër fare pak të tilla, quhet "Një". Numri i parë i të "përstinshmes" sapo është hedhur në qarkullim.


Aty gjen kryesisht shkrime ku bashkëjetojnë filozofia me letërsinë, letërsia me gjuhësinë, gjuhësia me historinë, historia me artin, arti me probleme akute të realitetit shqiptar.


Pa përjashtuar religjionin, vëmendjen që i është kushtuar një subjekti mbi mendimin islam. Aty gjen penat e Rudian Zekthit, Agron Tufës, Enis Sulstarovës, Nuredin Nazarkos, Ergys Mërtirit, Alban Balës dhe nga politologjia një Noam Chomsky.


Në bisedë me kryeredaktorin Edison Çeraj, marrim vesh qëllimin e lindjes së "Një"-shit, bashkëpunëtorët e saj, dëshirën për jetëgjatësi. Por jetëgjatësia vetëm prej dëshirave që nuk varet.


Urojmë që të mos vijë ajo ditë që erdhi për një revistë kulturore shqiptare, kur themeluesi i saj ftoi njerëz në një holl hoteli, ftoi mediat dhe duke ngritur duart lart, tha: po ikim. Ndoshta ishin dëshirat për jetëgjatësi që mbytën atë revistë.


Si erdhi dhe çfarë lidhjesh ka me ty një nismë e tillë?


Ishte një nga nismat më të vështira, nëse e shohim si përgjegjësi dhe jo si privilegj në
kushtet e kontekstit në të cilat na duhet të gjallojmë dita-ditës. Përballemi me një realitet kompleks (natyrisht jo vetëm në Shqipëri), dhe si i tillë prodhon jo pak komplekse të cilat shkaktojnë trysni si në rrafshin individual dhe në atë kolektiv.


Duke pasur parasysh këtë, revista u përball me pyetje të natyrave të ndryshme. Pati diskutime ndërmjet pjesëtarëve të bordit, por nga ana tjetër, ishim të bindur për disa të vërteta të dhuntuara të cilat burojnë nga një e vërtetë, ajo që Heidegger-i me të drejtë e quan zbulesë, menduam që arsyeja dhe shtysa ka një pikë mbështetjeje.


Gjithaq, shtysë më vete është edhe dëshira dhe nevoja për ndërtimin e një frymë të lirë intelektuale mbi problematika të realitetit shqiptar qofshin ato që kanë të bëjnë me të shkuarën, me të tashmen dhe pse jo edhe me të ardhmen. Mjafton që të jenë tema të cilat më tepër se sa shoqërisë i thonë diçka individit si i tillë, meqë individi është bërthama e shoqërisë.


Prandaj është quajtur "Një"?


Mund të jetë edhe kjo. Ka patur disa diskutime edhe për këtë. Titulli u zgjodh duke u nisur nga simbolikat që mbart numri në vetvete, qoftë po të kemi parasysh një thënie të Heraklitit ku thotë "Njëshi është çdo gjë", pastaj simbolin e numrit tek Protagora dhe Pitagora po ashtu. Pavarësisht simbolikave të titullit, ai mbetet më shumë se dytësor në raport me përmbajtjen.


Ti the se ke pasur sugjerime për një revistë kulturore njëherë.
Ishte këshilla e një mikut tim përkthyes që më tha "ta bëjmë njëherë kulturën pastaj ta studiojmë atë", dhe kësisoj, më pas ta quajmë kulturologji. Iu përgjigja thjesht se nuk jam prej atyre që mendojnë se nuk kemi kulturë, por prej atyre që mendojnë se kemi por na duhet ta kërkojmë atë, përtej asaj çfarë ofron shoqëria e spektaklit.


Secili nga pjesëtarët e kësaj reviste merr si pikë nisjeje një subjekt që ka të bëjë me letërsinë, me artet, me religjionin, me etikën, me filozofinë etj., sfera të ndryshme ku përvoja njerëzore ka lënë shenjat e veta, për mirë ose për keq, mjaft që t'i shohim si të konsiderueshme dhe, në këtë mënyrë vjen dhe reflektimi.


Ndodh që revistat kthehen në një rreth vicioz i një pakice penash që me kalimin e kohës e humbasin frymën kritike nga ngushtësia. Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj?


Përveç pjesëtarëve të bordit që e kemi bërë të ditur, revista është e hapur që të rifreskohet me emra të rinj, qofshin ata shqiptarë apo të huaj, mjaft që larushia në mendime dhe këndvështrime të arrihet.


Ky është një nga synimet e këtij organi. Jemi një grup ku tek secili kalojnë këto alternativa që na vijnë nga njerëz të ndryshëm.
Në parathënie thuhet se nëse do të kishte një përkufizim për revistën, ndoshta njëri ndër ta do të ishte: "një kontribut dhe një alternativë nga intelektualë drejtuar intelektualëve".


Ajo i drejtohet një kategorie njerëzish me të cilët synojmë të krijojmë ura bashkëpunimi, duke patur parasysh që vetëm truri, vetëm mendja, vetëm kontributi intelektual në përgjithësi mund ta gjenerojë, mëkëmbë, dhe ta shpëtojë një shoqëri.


Tek intelekti është dhe etika e cila në vetvete ka premisat për të plotësuar njeriun si i tillë dhe për të mos e lënë të kalojë në pjesën e tij të dobësisë ku ai përveçse dëmton veten, mund të bëhet i dëmshëm edhe për të tjerët, siç ndodh rëndom me politikanët apo me kategori të tjera të caktuara.


Një nga sëmundjet e revistave kulturore është shkëputja nga mjedisi shqiptar. Në këtë numër të parë të revistës "Një" ka njëfarë ekuilibri me temat për kthimin e intelektualit nga perëndimi në shtëpi, për nevojën e rishkrimit të historisë, apo me tema për mendimin religjioz.


E keni marrë parasysh këtë ekuilibër për numrat e tjerë?


Edhe sikur të duam të rrokim vetëm universalen, për të dalë nga rrënjët tona, nga lokalja, nga vendi ynë, nga problematika të cilat ai na ofron, nuk do të ishte e mundur. Një nga qëllimet është pikërisht ky: rikthimi i mendjes në vendin që ajo meriton. Mund të japim një përkufizim të urtësisë ose të sophia-as tek grekët e lashtë: "vendosja e çdo gjëje në vendin e vet".


Një nga ata që meriton të vendoset në vendin e vet, është intelektuali. Në rastin e revistës, jemi përpjekur që këtë ta sjellim në qendër të vëmendjes dhe të bëjmë maksimumin për t'i qëndruar afër atij që mendon se ka diçka për të ofruar dhe për të thënë.


Është e vështirë ruajtja e koherencës, por një nga synimet tona ka qenë që duke mos vënë një tematikë të caktuar për revistën, duke mos vënë një subjekt fiks, mendojmë që pikërisht kështu ruhet koherenca.


Duke e lënë të hapur diafragmën për prurje të ndryshme intelektuale që vijnë nga këto rrënjë për të cilat folëm më lart. Do merren në konsideratë në mënyrë intensive këto problematika të cilat hapen herë pas here në mendimin dhe në sferën intelektuale shqiptare.


A do t'i thoshe një lexuesi se kjo është revista që tregon çfarë dhe si mendohet në Shqipëri aktualisht?


Në njëfarë mënyre them se po. Shumica e bashkëpunëtorëve janë shqiptarë të Shqipërisë - shpresojmë ta zgjerojmë revistën edhe me emra që jetojnë jashtë Shqipërisë - janë disa nga njerëzit më aktivë në shoqëri dhe disa mund të përkufizohen me kredon e Sartrit për intelektualin e angazhuar, siç është rasti i Enis Sultarovës, i Agron Tufës apo i Ergys Mërtirit, aktivë përmes shtypit të përditshëm, po edhe me kontributet e tyre madhore me librin dhe në forume serioze on-line.


Pavarësia e editorisë prej politikave të sponsorit. Si mund të arrihet kjo?


Pyetja është shumë e qenësishme. Ky mbështetës mund ndërhyjë nga njëra anë "me të drejtë" për faktin se bën të mundur botimin.


Por në rastin tonë, që në krye të herës në diskutimet me Shoqatën Kulturore "Tradita", e cila është mbështetësja e kësaj reviste, një nga kushtet e marrëveshjes ka qenë që të mos ndërhyjë jo vetëm në shkrime, po në asnjë presje, përndryshe do të ishte e pamundur të ndërtohej ky bashkëpunim. Ndoshta është një nga mësimet më të mëdha të historisë që tek një njeri apo tek një grup njerëzish nuk janë mbledhur si idetë dhe mendimet e nga ana tjetër konditat e mira materiale.


Them se është mirë kështu, përndryshe do të ishin prishur ato balanca të cilat prodhojnë sfida dhe na e bëjnë jetën më tërheqëse për të hedhur dritë mbi të dhe mbi fenomenet e saj.


Më thuaj dhe dy fjalë për veten.


Kam lindur në Shkodër. Jam diplomuar në vitin 2005 në Akademinë e Arteve në Tiranë, në atelierin e Artit Konceptual, sot atelieri i Multimedia-s. Prej asaj kohe jam asistent pedagog pranë këtij atelieri. Jam autor i një libri modest me ese mbi artin që titullohet "Arti si mundësi", i botuar në vitin 2008.


Gjithashtu jam autor i dy ekspozitave vetjake; njërën në vitin e tretë kur isha student, ndërsa tjetrën në maj 2009. Përveç pikturës lëvroj letërsi dhe eseistikë. Gjëja e vetme që mund të them me plotgojë është se jam një lexues i mirë, dhe kjo më bën të ndihem vërtetë mirë.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama