Rilind miqesia Presidenti i Skenderbeut Gjicit i jap cdo lojtar

Rilind miqësia, Presidenti i Skënderbeut: Gjicit i jap çdo lojtar

Nga urrejtja në dashuri. Dy pres identët më aktivë të futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit, Ardjan Takaj i Skënderbeut dhe Safet Gjici i Kukësit po përjetojnë një "feeling" të veçantë gjatë kësaj vere.

takaj gjici

Pas përplasjeve, akuzave dhe deri përballjeve në gjyq, krerët e klubeve po tregojnë një "dashuri" të hapur mes tyre gjatë ditëve të nxehta të këtij korriku.

Ditët e fundit, pas transferimeve në formë huazimi të Sabjen Lilajt dhe Liridon Latifit nga Skënderbeu te Kukësi për ndeshjet e Ligës së Europës që klubi verilindor do të luajë kundër Austrisë së Vjenës, një tjetër emër është lakuar për një kalim të mundshëm të këtij lojtari.

Mediat kanë folur shumë për një huazim të Masato Fukuit, japonezit që vetëm këtë merkato iu bashkua Skënderbeut pas aventurës me Tiranën.

Zhurma ka qenë e madhe për një mundësi të tillë, ashtu si edhe dashamirësia e Skënderbeut dhe presidentit Ardjan Takaj ndaj Kukësit dhe ecurisë së tij në Europë. Por, diçka e tillë është e pamundur.

Takaj

I kontaktuar nga "Panorama Sport", presidenti i Skënderbeut ka hedhur poshtë një mundësi të tillë për faktin e vetëm se nga një tur në tjetrin, një ekip nuk mund të bëjë më shumë se dy afrime.

Një gjë të tillë Takaj e ka sqaruar plotësisht madje duke shprehur gatishmërinë që të ndihmojë një ekip shqiptar korrekt sikundër është Kukësi për aventurën në Europë.

"Pas transferimit të fundit të Lilajt dhe Latifit si huazim te Kukësi, kam dëgjuar shumë edhe për një lëvizje të Fukuit në këtë destinacion.

Të ishte për mua, isha i gatshëm t'i jepja Kukësit dhe Gjicit cilindo lojtar që donte të merrte për këto takime, pasi është një ekip mjaft korrekt karshi nesh dhe meriton të ecë sa më gjatë në Europë. Por, është vetë formati i merkatos ai që e bën të pamundur një lëvizje tjetër.

UEFA për ekipet që marrin pjesë në Europë ka një rregull mjaft strikt që nga një tur në tjetrin mund të bësh vetëm dy lëvizje. Të ishte për mua, isha i gatshëm ta ndihmoja Kukësin me çdo lojtar që do të kërkonte", theksoi presidenti i Skënderbeut, Takaj, duke bërë komentin e tij në lidhje me huazimet e dy lojtarëve dhe zërave për një huazim tjetër të Fukuit.

Ndërsa, në lidhje me merkaton, presidenti korçar ka bërë me dije se është shumë shpejt për momentin që të ketë afrime të tjera, pasi klubi po shijon disa ditë pushime.

Shumë shpejt, pasi edhe trajneri Agostineli të mbyllë pushimet dhe të vlerësojë si duhet afrimet që do të piketojë, atëherë Skënderbeu do të kthehet në merkato.

Aktualisht, ekipi është me pushime dhe do të grumbullohet më 31 korrik për të nisur fazën përgatitore.

LLAZI SARO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama