Kjo vetiu i bënte të ishin entuziastë për figurat më të ndriçuara të Renesansës e të Iluminizmit, të Revolucionit Frëng, filozofëve dhe ideologëve të Kohës së re. Sikurse kuptohet lehtë, përfytyrimet dhe vlerësimin për Aliun ata i morën në radhë të parë nga vepra e Pukëvilit, ajo e Liikut dhe disa bashkëkohësve të tjerë evropianë, që arritën ta njohin mirë pashain e Janinës.
Bie në sy veçanërisht, qëndrimi i qartë e i prerë i Sami Frashërit në artikullin e tij për Aliun te Enciklopedia Turke (Botuar te libri: Sami Frashëri, Personalitete shqiptare në Kâmûs al-a'làm, Shkup 2002). Pasi përmend faktet kryesore të jetës së tij ashtu siç i gjejmë te Pukëvili, kryeideologu i Rilindjes sonë kombëtare vjen në këto përfundime: "Ali Pasha megjithëse ishte njeri analfabet dhe pa shkollë, ka qenë shumë i zgjuar dhe i zoti.
Në vendet që ka qeverisur, ai ka siguruar qetësinë, ka përmirësuar rrugët dhe ka ndërtuar shumë fortesa, ura dhe godina të mëdha e të forta. Por ka qenë deri në gradën e fundit keqbërës, i egër, gjakpirës dhe intrigant, në sytë e tij bëheshin tortura të tmerrshme e të shumëllojshme, nga të cilat kënaqej duke i parë.
Sa i rritej forca, pushteti dhe pasuria, aq i shtoheshin dredhitë dhe intrigat dhe shumë njerëz i fuste në dorë me mënyra djallëzore madje dhe i zhdukte. Shumë herë bënte që të vritej vëllai me vëllanë dhe pastaj atë që mbetej gjallë e dënonte me vdekje. E tillë ka qenë ngjarja e kardhiqiotëve.
Kudo që gjendej në Shqipëri një familje e parë, me influencë dhe e denjë, Ali Pasha nuk mund ta duronte, prandaj niste dhe zhdukte pjesëtarët e saj, ose e dëbonte familjen haptas, apo me dredhi dhe intriga.
Ata që mbeteshin, për të shpëtuar nderin dhe jetën e tyre, shtrëngoheshin ta linin vendin dhe iknin në vende të largëta. Popullsia e vobekët nga keqbërjet e ndryshme e sidomos nga punët angari, nuk mund të ngrinte kokën. Vajzat dhe gratë e bukura, duke e quajtur bukurinë e tyre një faj të madh dhe shkaktare të fatkeqësisë, qenë shtrënguar të fshiheshin..."
Nuk mund të thuhet se Sami Frashëri i shkroi këto radhë që të konformohej disi me politikën dhe historinë zyrtare të Perandorisë osmane. Nga njëra anë, duket qartë në gjithë artikullin qëndrimi i tij i iluminuar kur gjykon për shtetin, për burrin e shtetit dhe virtytet që duhet të ketë ky ndaj popullit që udhëheq; të kundërtat gjen tek Aliu, ndaj dhe penelatat janë të forta, pak a shumë siç i ndeshim te Pukëvili.
Nga ana tjetër, nuk mund të mendohet kurrsesi se ka patur droje në të shkruar ky frashërlli që në veprën e tij "Shqipëria çka qenë ç'është e ç'do dë bënetë" e paraqiti Perandorinë osmane si një karabina të mbaruar e cila duhet të shpërbëhej një orë e më parë e shqiptarët të përfitonin prej kësaj.
Aq më pak, mund të pritet droje te një përfaqësues tjetër i rëndësishëm i Rilindjes kombëtare, për një kohë edhe guvernator i Libanit në shërbim të Perandorisë, Pashko Vasa.
Tek flet për Kara Mahmutin e Shkodrës dhe Ali pashën, ai shënon: "Njëri sundonte mbi Shqipërinë e Sipërme dhe tjetri mbi të Poshtmen, me pak ndryshim si feudalët e mëdhenj të mesjetës. Që të dy ditën të bashkonin elementin mysliman dhe elementin e krishterë në të njëjtën ide patriotike dhe në të njëjtin vrull për lavdi ushtarake...
Por rivaliteti që ishte shfaqur midis tyre ua hëngri kokën më në fund, ata ishin bërë tiranë, qeverisnin vendin me një despotizëm të tepruar dhe populli i braktisi në dënimin që u dha sulltani".
(Pashko Vasa, Vepra Letrare 1, Tiranë 1987, fq.95-96).
Një tjetër frashërlli dhe përfaqësues i kombëtarizmës, Mehdi Frashëri vjen në këtë përfundim te "Një studim kritik për vrasjen e Ali Pashës": "...Një nga këto fuqi jashtëqëndrore ishte edhe ajo e Ali Pashës.
Ky faqeza thoshte se ishte Asllani i Dovletit, por në realitet mpronte me qëllim që të çdukte fuqitë lokale të Toskërisë dhe, si të mbetej i vetëm, kur t'i vinte rasti, kundrejt Turqisë deklaronte indipendencën e tij, si një satrap që përfiton nga rasti dhe jo si një burrë-shteti që ka për qëllim ringjalljen e Kombit të tij, nën kryesinë e tij" (te Walsh, R., Koka e Ali Pashë Tepelenës dhe rrethanat e vrasjes, Tiranë 1934.).
Për njerëz që e kanë vënë si qëllim të jetës së tyre ngritjen në këmbë të kombit është e natyrshme që shembulli i Aliut nuk entuziazmon: satrap që përfiton nga rasti dhe jo një burrë-shteti që ka për qëllim ringjalljen e Kombit - ja një përkufizim që është e vështirë ta lëvizësh.
Ali pasha nuk përfaqësoi ose nxiti idealin kombëtar - përveçse ndoshta në fund të jetës, kur e gjeti veten ngushtë dhe Porta kishte kthyer armët kundër tij. E pra duke mbajtur parasysh të gjitha këto, ai nuk mund të ishte ideal prapavajtës i rilindasve tanë, një shembull që provonte aftësinë e shqiptarëve për t'u vetëqeverisur; ndryshe ndodhi me Skënderbeun, në të vërtetë e vetmja figurë politike nga e kaluara që mund t'i shërbente zgjimit dhe bashkimit të shqiptarëve.
Mirëpo nuk është gjithkund kështu. Për çudi ndeshim një gjykim krejt të kundërt te një tjetër kampion i kombëtarizmës, Faik Konica, sikurse në artikullin e tij "Ali Pasha i Tepelenit": "Shqiptarët u ngjallnë, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundim të tij... Shihet sheshit se mendimi i tij qe çlirimi i Shqipërisë... Provat gjenden me qindra në jetë të Ali pashës...
Princi i Meternikut, kancelari i athershëm i Perandorisë austriake shkruan në kujtimet e tij: ‹Ali pasha më dërgoi më 3 mars 1822 një njeri të besës me një letër... për të bërë një konstitucion për Shqipërinë›..." (Albania 1902, shih Vepra, Tiranë 1993):
Më 3 mars Aliu nuk jetonte më, vetëm koka e tij rrinte e ekspozuar prej 23 shkurtit në hyrje të Portës perandorake.
Letra e Aliut për princin e Meternikut dëshmon edhe një herë që të vetmet shprehje të kombëtarizmës ose për një Shqipëri të pavarur (më saktë për një Shqipëri-Greqi të pavarur) ai i lëshoi kur humbi çdo përkrahje nga Stambolli dhe kishin ardhur t'i merrnin kokën.
Këto fakte prapëseprapë nuk e pengojnë Konicën të vijë në përfundimin: "është turp të ndodhen njerëz të lindur shqiptarë që përpiqen të pakësojnë fytyrat që i dhanë shkëlqim Shqipërisë... Por kur mendohemi se çfarë shqiptarë janë ata që duan të mbulojnë me këlbaza emrin e luanit që i vuri sëpatën Turqisë, shpejt ngushëllohemi".
Mjetet me të cilat operon Konica në këtë artikull propagandistik janë ato të propagandës. Thotë p.sh.: "Njerëz si lord Bajroni, si admirali Nelson, si mbreti Gustav-Adolf i Suedisë e kishin për nder të piqeshin me të" - mirëpo dihet fare mirë se për t'u pjekur vetëm Bajroni u poq me të, kurse simpatitë që mund të kenë shprehur dy të tjerët, ndryshojnë nga takime reale që kurrë nuk ndodhën.
Mendoj se çelësi që shpjegon admirimin e Ali pashës nga Konica, ky europian kaq i kultivuar, vetë armik i dhunës e i gjakderdhjeve mes shqiptarëve, gjendet te prejardhja e tij: e ëma e Aliut, Hankoja, ka qenë nga dera e bejlerëve të Konicës.
Shkruan ai vetë te "Autobiografi e Faik Konicës" (1922, Vepra, f. 5-7): "Shtëpia nga e cila lindi Faik Konica është jo vetëm një nga më të vjetrat e Shqipërisë dhe të Epirit, po dhe një nga më të nderuarat për të shkuarën e saj të pastër.
Duke qenë se e ëma e Ali Pashë Tepelenës ishte prej kësaj familjeje, të gjithë biografët inglizë, frëngj dhe grekë patnë rastin të flasin për derën e Bejlerëve të vjetër të Konicës dhe të gjithë me një zë e mburrin." Në vijim mësojmë se stërgjyshi i Faikut, Sulejmani e ka patur hallë Hankon, të ëmën e Aliut.
Në këtë pikë mund të themi se Faik Konica ngjan me jo pak shqiptarë që mburren për të parët e tyre fisnikë, pavarësisht ç'mund të kenë bërë këta të parë.
Nuk mund të thuhet se Faiku ka qenë i vetëm në admirimin e tij për Aliun; vlerësim pozitiv gjejmë edhe më parë p.sh. te Dora d`Istria ("Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore", artikull në Revue des deux mondes, 1866), ku autorja e quan një burrë shteti të krahasueshëm me burra të tjerë shteti europianë.
Studiuesja Nathalie Clayer në veprën e saj "Fillimet e nacionalizmit shqiptar" (aktualisht në shtyp) vëren: "Fabrikimi i "panteonit kombëtar", filluar shumë më parë se 1896-a, përmblidhte personazhe të tilla si Aleksandri i Madh, Pirroja, Bushatllinjtë dhe Ali pashë Tepelena..."
Edhe pse ndër rilindasit admiruesit e pashait të Janinës, si njeri me aftësi të jashtëzakonshme që u përpoq për një shtet të mëvetshëm shqiptar, janë një pakicë, në tërësi mund të thuhet se deri në Luftën e dytë botërore, për këtë figurë mbijetuan dy lloj vlerësimesh herë-herë diametralisht të kundërta.
Gazeta Shekulli