Unë isha një adoleshent, të cilit i pëlqente shumë muzika. Kur isha gjimnazist krijova edhe një grup muzikor me emrin: ''Music of Space''. Grupi i parë Hip-Hop në Durrës dhe në Shqipëri që këndonte dhe krijonte muzikën vet. Me të cilin kam bërë një cd, e titulluar ''Refleksion'' me dy klipe që transmetoheshin në të gjithë televizionet shqiptare. Por në Durrës si në të gjithë Shqipërinë, siç dihej, të rinjve nuk iu jepej asnjë mundësi për të punuar dhe për t'i dalë ballë jetës. Kështu që në gusht të vitit 1999, pasi mbarova gjimnazin mendova të largohesha nga Shqipëria. Në Padova më priste një pjesë e familjes sime, por unë erdha si klandestin. Kam punuar edhe si murator, jo pak, por për katër vjet, derisa bëra dokumentet. Paralelisht punoja edhe nëpër diskotekat e krahinës së Veneto-s si kubist.
Një natë, kur isha duke kërcyer në kub, më pa një koreograf me fame, Mauro Astolfi, i cili është mësues në një shkollë profesionale të Romës. Ai më përgëzoi dhe kur i thashë që unë nuk kisha studiuar asnjëherë për kërcim, më tha që duhej të zbrisja sa më parë në Romë dhe të studioja, sepse isha shumë i talentuar. Kështu më ftoi dhe më dha një bursë studimi në këtë shkollë, që quhet IALS. Në moshën 23-vjeçare lashë gjithçka që kisha krijuar në Padova për të realizuar një ëndërr. Për të studiuar dhe për t'u bërë balerin profesionist në Itali.
Një rrëfim që i ngjan kaq shumë atij të balerinit tjetër shqiptar në Itali, Kledi Kadiu, e shumë shqiptarëve të tjerë...
Po. Vërtet. Por Kledi ishte i pari. Përpara se të shfaqej Kledi, në Itali nuk vlerësoheshin dyqind shqiptarë që punonin ndershmërisht në fabrikë, por dy që mund të bënin krime, pavarësisht se krime bëjnë edhe italianët. Pas Kledit, shqiptarët nisën të shiheshin edhe si balerinë, si artistë.
Shpesh tani kur them që jam balerin më përgjigjen: "A ju jeni shumë të zotë. Keni një shkollë shumë të fortë në Tiranë". Por përsëri ka vështirësi. Për shembull, mund të kisha marrë pjesë në xhirimet dymujore të filmit 'Nine' të regjisorit të madh Rob Marshall dhe me aktorë si Nicole Kidman, Penélope Cruz, Sophia Loren, Kate Hudson etj.
Nuk munda të shkoj për faktin sepse kam pasaportë shqiptare, xhirimet ishin në Londër dhe rregullat angleze për të hyrë aty dihen. Pas një viti studimi nisa bashkëpunimet për shumë teatro të Italisë, edhe jashtë Italisë. Kam filluar me kompani të vogla baleti, derisa përfundova me kompaninë "Ensemble" të regjisorit dhe koreografit të madh me famë botërore "Micha van Hoecke".
Kam kërcyer për të rreth 7 vjet dhe vazhdoj akoma të bashkëpunoj me të. Por edhe në spektakle si; 'Romeo e Zhulieta' dhe 'Notre Dame de Paris' të Riccardo Cocciantes, duke vazhduar me 'Tosca', 'Amore disperato' të Lucio Dallas e të tjera me radhë. Kam bërë në televizion, për shembull, 'Concerto di Capodanno 2004', shfaqje në 'La Fenice' të Venecias, që u transmetua në Raiuno Eurovision.
Kam marrë pjesë në filma si 'Jago' me Nikolas Vaporilis e Laura Chiati në 'Domenica In' me Pippo Baudon dhe shumë të tjera. Kam qenë në skena prestigjioze në Spanjë, Belgjikë, Kinë, Gjermani, SHBA etj, gjithmonë si balerin.
Nga 'Domenica In', përse u shkëpute dhe çfarë të jep më shumë kënaqësi; spektakli, skena teatrore apo s'ka dallim, mjafton të kërcesh?
Për mua kanë më rëndësi spektaklet me vlerë dhe art të lartë, teatri. Ka më adrenalinë dhe më emocion sesa drita e kuqe e telekamerës. 'Domenica in' e lashë se s'kishte me kuptim për mua pa Pippo Baudon.
Të jetosh në një vend tjetër, sa e pengon apo sa e ndihmon një artist?
Nga përvoja profesionale të them sigurisht është më e vështirë. Pengesa është në fillim se nuk njeh dhe s'të konsideron njeri. Por mendoj se në çdo fushë, po të jesh këmbëngulës për një gjë që do të arrish me çdo kusht, me përpjekje, sakrifica dhe vendosmëri mendoj se ia del mbanë. Të jesh i huaj edhe mund të të ndihmojë në spektakël. Për shembull, në spektaklin ''Notre Dame de Paris'' të jesh i huaj është vlerë, përderisa ne balerinët jemi në rolet e klandestinëve që kërkojnë azil. Unë mund ta kuptoj më mirë se çfarë do të thotë një gjë e tillë, se sa një italian që s'ka emigruar.
Kërcimi bën një dezintoksifikim të shpirtit, të lidh me diçka të epërme. E përshkruan dot vetveten kur kërcen?
Kjo është pyetja më e vështirë që më ke bërë. Është e vështirë të shpjegoj gjendjen shpirtërore në ato çaste. Por mund të tregoj një fragment. Kur bëj spektakle në teatër, kur kërcen në skenë nuk e sheh publikun, pasi është natë dhe dritat janë të fikura.
Kur mbaron spektaklin dhe hyn në skenë për të marrë duartrokitjet në fund ndizen dritat. Kur sheh 15 mijë persona që të duatrokasin, atëherë kupton se në të vërtetë je ti një ndër ato 15 mijë persona që je duke parë një spektakël shumë emocionant. Këto çaste janë pasuria e një artisti.
Për kolegët, publikun, a ka rëndësi çfarë je, shqiptar apo italian? Të admirojnë apo përballesh edhe me shkopinj zilie nën rrota?
Mendoj se publiku i aftë, inteligjent dhe i ditur, që kupton artin që shpreh dhe interpretoj në skenë, nuk mendon gjëra të tilla. Po ka edhe nga ata që mund të kenë zili dhe inat. Unë kam pasur të bëj me artistë, që janë më të gjerë në mendje dhe zemër. Por ne shqiptarët kemi më shumë vepra se sa fjalë që atje mund të jenë me shumicë sa kohë kanë interes tek ty. Të bie të shfrytëzosh kohën kur kanë interes.
Je pasuruar ndopak me gjithë këto shfaqje baleti apo s'ndodh ajo që thuhet në përgjithësi për spektakle të tilla?
Mendoj se një artist që dashuron atë që ushtron në skenë e arrin pasurinë kollaj. Flas për pasurinë e brendshme dhe jo atë materiale. Në qoftë se arrin t'i trasmetosh publikut emocion. Mendoj se kjo është pasuria e vërtetë dhe më e çmuar e një artisti.
Ti ke qenë edhe kantautor. Ndjeshmëria muzikore është e lidhur me atë të kërcimit. E ndjen këtë si përparësi apo kërcen njësoj edhe një balerin që s'di të këndojë?
Mendoj se një kantautor ose një aktor transmetojnë më shumë se një balerin i thjeshtë në skenë. Po për mua është sigurisht një përparësi.
Deri kur do të kërcesh?
Derisa të dërrmohem dhe fiziku mos të ma lejojë më. Maksimumi për balerinët është mosha 45 vjeç. Më pas do të doja të punoja si koreograf. Por nuk dua të mendoj shumë për të ardhmen.
Dashuri italiane, shqiptare apo ky ndryshim për ty nuk ka pikë rëndësie?
Kam pak muaj që jam ndarë nga e dashura ime italiane. Quhej Tiziana Minio, një balerinë edhe ajo, 28-vjeçare nga Venecia, por jetonim dhe punonim bashkë në Opera di Roma. Jemi njohur në kompaninë ''Ensemble" të regjisorit të njohur Micha Van Hoecke.
Para 5 vjetësh në një turne jashtë Italisë në Kinë u dashuruam dhe u lidhëm. Kemi ardhur dy herë bashkë për pushime në Shqipëri dhe i pëlqente shumë Shqipëria. Kemi qenë bashkë të dashuruar pesë vjet, por erdhi momenti i ndarjes, pikërisht edhe nga disa ndryshime mentalitetesh, që sado që i kapërcyem hera-herës, nuk mundëm plotësisht.
Ne shqiptarët e duam dashurinë vetëm për vete, ndërsa italianët jo dhe aq. Kur erdhëm këtë verë në gusht për pushime në Shqipëri kuptuam që edhe dashuria kishte përfunduar mes nesh. Ishim bërë si motër e vëlla. Kështu që morëm guximin dhe u ndamë.