Nga veriu në jug të vendit, kilometra të tërë rrugë, hekurudha e toka të reja, mbi një milion të rinj që u radhitën vullnetarë për ndërtimin e tyre. Ishte “Rinia e aksioneve”, që megjithë vështirësitë e kohës, ende sot nuk i shpëton dot nostalgjisë për ditët kur pa e menduar gjatë radhitej me vullnetarët për ndërtimin e vendit. Në një intervistë për “JAVA”, autori i librit, Agim Mero
E shkuara, sado e trishtë apo stërmunduese qoftë, mbetet nostalgjike për këdo. Jo rrallë edhe e bukur, me gjithë rropullitë e fatit të saj. Kjo është një aksiomë e çdo kohe, në fakt. Të rinjve të sotëm mund t’iu duket më shumë se utopike mënyra se si prindërit e gjyshërit e tyre e kaluan adoleshencën zboreve, aksioneve, rrugëve, poligoneve, brezareve e hekurudhave, me armë, kazma e lopata në duar. E lodhshme? Sigurisht që po. Por përsëri e bukur, do të të thoshin njëzëri adoleshentët e viteve ’50 sot, nëse do mundeshin. Agim Mero, ish sekretari i parë i rinisë së asaj kohe, inxhinier i vjetër në profesion, ka provuar ta bëj këtë me librin e tij “Rinia e Aksioneve”, duke sjellë kujtimet e tij dhe të disa bashkëkohësve.
A do t’ju vlejë për ndonjë gjë të rinjve të sotëm të dinë se si i kalonin muajt e verës të rinjtë si ata më 60 e kusur vjet më parë? Nuk i dihet. Kur pat nisur të rendiste kujtimet e mbresat e asaj kohe, Agim Mero, ndoshta këtë nuk e pat menduar gjatë. Dikur ai ishte një ndër eksponentët kryesorë të udhëheqjes rinore të rinisë komuniste. Ish funksionari i lartë i asaj kohe, sot, në dritën e botimit të tyre, teksa flet, qartazi i lexohet se mbi të gjitha e shtyu nostalgjia. Natyrisht, në të shkuarën e inxhinierit të ri, jo çdo segment jete mbetet nostalgjik. Rinia e dikurshme e inxhinierit të ri, pati të tatëpjetat e saj, si pasojë e regjimit të kohës, e megjithatë, ai përsëri arrin të ndajë me ëndje me lexuesin ato pjesë të jetës rinore të asaj kohe, për të cilat është i sigurt se nostalgjik janë gjithë bashkëkohësit e tij. Ndaj nuk kish sit ë mos i bënte pjesë të librit, duke sjellë në gjysmën tjetër të tij, mbresat e kujtimet e disa prej emrave më të njohur të organizatave rinore të asaj kohe, udhëheqës aksionesh që njësoj si ai dëshironin të mos i hiqnin asnjë vlerë këtyre organizimeve. Edhe njëherë, si dikur në aksione: Agim Mero, Ismet Elezi, Drita Harito, Dhora Jançe, Ksenofon Dilo, Luçie Doçi, Xhelal Gjeçovi, Lemçe Peza, Zef Gurakuqi, Idajet Beqiri, Marita Koroveshi etj.
“Rinia e aksioneve”, kujtime të më shumë se 60 viteve më parë. Përse pikërisht tani ky libër?
Sigurisht që unë gjithmonë e kam pas ndërmend të shkruaja rreth kujtimeve të asaj kohe, jetës rinore që gëlonte, pavarësisht ngjyrimeve që i diktonte regjimi i kohës. Por ngacmimi i vërtetë për tu ulur e për ta shkruar për rininë e aksioneve më erdhi teksa dëgjoja lart e poshtë se thuhej që këto ishin punë skllavëruese, që s’ishin vullnetare por të rinjtë i merrnin me zor, i detyronin, vajzat torturoheshin me kazma e lopata, thaheshin për bukë e ujë... Por nuk është fare kështu. E vërteta është shumë më ndryshe dhe kjo duhej treguar. Të rinjtë emancipoheshin në aksionet e organizuara. Punonin dhe argëtoheshin. Kishte mjaft organizime dhe një frymë që i bashkonte e i afronte me njëri-tjetrin, frymë solidariteti që vështirë se mund ta shohësh sot mes të rinjve. Në aksionet e para kishte shumë pak vajza. Kuptohet, ishin vitet e para mbas çlirimit, të paarsimuara, të padala, të ndrojtura... Pastaj mentaliteti ndryshoi. Kërkohej që edhe vajzat të radhiteshin vullnetare dhe dalëngadalë u thye akulli. Mbaj mend që pas kësaj, Gjirokastra dërgoi plot 250 vajza të zonës së Dropullit. Ato dolën vullnetare dhe punonin bashkë me vajzat e Radomirës, nga Peshkopia. Më qeshet teksa pyes më kot veten, nëse sot do të bëhej thirrje për një solidarizim të ngjashëm, a do të dilnin vullnetare vajzat e reja, të merrnin kazmat e lopatat...
Z. Mero, ju e keni jetuar kohën e komunizmit me të mirat e të këqijat e saj. Përse zgjodhët të flisnit vetëm për aksionet, ndryshe nga ç’mund të kenë bërë bashkëkohësit e tyre në kujtimet që kanë botuar?
Ajo kohë, drejt e thua, kishte boll të metat e veta. Edhe aksionet nuk qenë të lehta, por ama e vërteta nuk duhet shtrembëruar. Unë, që gjithmonë kam punuar me të rinjtë atëherë, e di fort mirë se drejt punës vullnetare i shpinte ideali dhe dëshira, aspak detyrimi apo diktati.
Aksionet ishin një vlerë e veçantë për rininë e asaj kohe. Asokohe unë isha ngarkuar për organizimin dhe drejtimin e aksioneve. Me të vërtet punohej shumë, vendi ishte në ndërtim. Por përveç punës, të rinjtë e aksioneve edukoheshin aty. Shumë të rinj mësuan ABC-në në aksione. Në aksionin e hekurudhës Durrës-Tiranë, nga 30 mijë të rinj e të reja që morën pjesë, 5 mijë prej tyre ishin analfabetë. Paraditeve punonin e pasdite shkonin në kursin kundër analfabetizmit. Kujtoj që u kishin vënë detyrë që në fund të aksionit do t’i shkruanin letër familjes. Nga këta 90% arritën t’i shkruajnë letër familjes. Tani mund të duken çudi këto që po them, por kështu ishte dhe mbi të gjithë nuk mungonte vullneti për të ndryshuar.
Të tjerë mësuan plot zanate që iu vlejtën për tërë jetën. Mbrëmjet që organizoheshin i afronin me kulturën e kohës, me njëri-tjetrin. Shkrinë dalëngadalë paragjykimet zonale. Shqipëria ishte një dhe veriu e jugu ishin thjesht koncepte gjeografike.
Libri nuk përcjell vetëm rrëfimin tuaj. Të tjerë bashkëkohës tuajt në aksionet e atyre viteve i janë bashkuar librit me mbresën e kujtimet e tyre. Si e pritën ata idenë dhe ftesën?
I kam kontaktuar secilin prej tyre. Ideja nuk kish si të mos i tërhiqte. Secili kishte shumë për të thënë, por brenda hapësirës, nuk ngurruan një e nga një të ndanin me mua dhe me lexuesin më pas kujtimet dhe mbresat e kohës së aksioneve. Të gjithë eksponentë të lëvizjeve rinore të kohës, djem e vajza që u radhitën fare të rinj në vullnetarizmin për ndërtimin e vendit e më pas secili vazhdoi karrierën profesionale. U përpoqa të zgjedh pjesëmarrës nga çdo aksion që është bërë. Shumë prej tyre u bënë emra ekselent në fushat që zgjodhën.
Rinia e sotme, krahasuar me rininë e asaj kohe, s ai takon vullnetarizmit, vullnetit dhe dëshirës së mirë për tu solidarizuar..
Të isha i ri sot, përsëri do zgjidhja të punoja me rininë, njësoj si atëherë. Nuk dua të bëj krahasime që i nxjerrin këta të sotmit si rini jo aktive. Do isha i keqardhur ta pranoja si të pandreqshme këtë. Do të doja të besoja se një organizim më i mirë i tyre, një frymë më optimiste, do t’i zgjonte pa diskutim nga gjumi “modern”. Fundja ata janë bijë, nipër e mbesa të atyre aksionistëve të dikurshëm, që punonin pa u lodhur e dinin të gëzonin pa kushte. Ndaj më vjen keq të shoh se si vajzat e sotme, ende adoleshente, rrinë gjithë ditën kafeneve e pinë cigare pa pushim; të shoh se si të rinjtë e sotëm nuk lexojnë më si dikur, venë në universitete dhe shumë prej tyre s’kuptojnë ç’ka shkruhet. Edhe atëherë, kur nisi vala e aksioneve e Shqipëria ndërtohej si një vend i pasluftës që ishte, ne kishim 92% të popullsisë analfabete, situatë që u kapërcye shumë shpejt, sepse njerëzit kishin dëshirën e mirë për arsimim. Sot nuk është kështu. Sot nuk kemi analfabetë si ata atëherë, sot kemi 56 universitete private, por kemi atë që e quajnë analfabetizëm funksional. Të rinjtë venë në shkolla, po s’kuptojnë asgjë nga sa lexojnë e dëgjojnë.
Cilin do të shkëpusnit sot nga kujtimet tuaja të aksioneve?
E kam të vështirë të ndaj një të tillë. Por më kujtohet si tani aksioni për ndërtimin e parkut “Rinia” në Tiranë. Ne ishim nxënës të Politeknikumit. Ka qenë mbrëmja e 7 nëntorit 1951. Të nesërmen festohej 10-vjetori i 8 nëntorit, ditës së themelimit të Partisë Komuniste. Na zgjuan në mes të natës, na rreshtuan e na thanë se do shkonim në aksion. U nisëm, ishte gati mesnatë. Aty ku sot është parku kishte vetëm ferra. Na ndanë dy e nga dy, na dhanë nga një kazmë e nga një lopatë e iu përveshëm punës. Të nesërmen, kur qyteti të zgjohej, do të shikonte jo vetëm një park të ri, të sheshuar, të pastruar, por edhe shumë pemë të mbjella. Unë e shoku im mbollëm një pishë. Ka qenë deri vonë aty. U pre kur u bë shatërvani te Taivani.
E meqë mu kujtua Taivani. E dini pse u quajt i tillë? Jo ky i riu, po edhe ai i vjetri që thirrej kështu. Emër të shkruar nuk kishte gjëkundi, po nga një batutë mes të rinjsh, mbeti ashtu. U hap një birrari që kishte dhe pistë vallëzimi, mu aty ku është Taivani sotëm, e cila ishte degë e “Dajtit” matanë bulevardit. E meqë Hotel “Dajti” thirrej “Kina e Madhe”, birraria u quajt me humor, pale nga kush, si “Taivani i vogël”.