Një studim i bërë nga Instituti EUNACAl tregon se shumë të rinj të papunë në Shqipëri i kanë humbur shpresat për gjetjen e një pune. Sondazhi online, i bërë në periudhën qershor 2013-prill 2014, që përfshiu 7555 subjekte nga e gjithë Europa juglindore, tregon se Shqipëria ka numrin më të vogël të të rinjve të papunë, që aktualisht po kërkojnë një vend pune. Vetëm 36% e pjesëmarrësve nga Shqipëria thanë se po kërkonin në mënyrë aktive një punë, të ndjekur nga Maqedonia dhe Mali i Zi, ku përqindjet ishin 38 dhe 39, respektivisht.
Të dhënat tregojnë se papunësia e të rinjve në rajon është më i lartë në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, ku 59% dhe 42% e pjesëmarrësve u identifikuan si të papunë.
Gjetjet e EUNACAL tregojnë edhe se Shqipëria ka numrin më të madh të të rinjve që punojnë pa një kontratë pune, që vjen për shkak të informalitetit në ekonomi. Të rinjtë shqiptarë kanë kaluar 7.3 muaj në një punë të siguruar, që, sipas të dhënave të sondazhit, është koha më e shkurtër në rajon.
Të pyetur lidhur me “sa rehat do të ndiheshin, në një shkallë nga 1 në 10, me një shef homoseksual”, të rinjtë shqiptarë dhanë një përgjigje mesatare prej 5.8. Pikët mesatare për një supervizor mbi moshën 75 vjeç, ose një person me aftësi të kufizuara, ishin 5.7 dhe 7.5. Pjesëmarrësit ndiheshin më rehat nëse punonin me një shef nën moshën 30 vjeç, një grua, ose dikë që vinte nga një minoritet etnik ose besim fetar i ndryshëm.