Rinisin kufizimet e energjise elektrike

Rinisin kufizimet e energjise elektrike
Prej më shumë se një jave, lagje të ndryshme të kryeqytetit, janë duke u përballur me ndërprerje të theksuara të energjisë elektrike duke paralizuar çdo lloj aktiviteti. Situata është shqetësuese prej të paktën dy ditësh. Nga mbrëmja e ditës së hënë, ndodhen në terr lagje të mëdha të kryeqytetit si “Kombinati”, “Selita”, “Komuna e Parisit”, “Rruga 5 maji”, “Dëshmorët e 4 shkurtit”, etj., ndërkohë që po përballen me ndërprerje të shkurtra edhe lagje të tjera. Nuk dihet nëse ndërprerjet bëhen për shkak të defekteve teknike apo për mungesë të energjisë. CEZ Shpërndarja nga ana e saj siguron që bëhet fjalë vetëm për probleme teknike.

Të kontaktuar nga gazeta, mbi shkaqet e këtyre ndërprerjeve të pazakonta të energjisë elektrike, për kryeqytetin, por edhe zona të tjera të vendit, kompanitë KESH dhe CEZ shpjegojnë se nuk ka mungesa të furnizimit me energji, ndërkohë që ndërprerjet sipas kësaj të fundit bëhen për shkak të avarive dhe punimeve për përmirësimin e rrjetit.

Në lidhje me ndërprerjet në Tiranë, CEZ Shpërndarja shpjegon se prej disa ditësh janë duke u kryer punime për përmirësimin e rrjetit. Ndërkohë, gjatë ditës së hënë ka ndodhur djegia e një transformatori në nënstacionin e Selitës, e cila ka lenë pa energji zona të mëdha në kryeqytet. CEZ Shpërndarja vijon se djegia e transformatorit ka ndodhur për shkak të mbingarkesës në këtë zonë, gjë e cila ka lenë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së të hënës disa lagje në kryeqytet. Kompania konfirmoi se punimet për zëvendësimin e transformatorit të djegur mund të zgjasin deri ditën e sotme.

KESH nga ana tjetër, konfirmon se furnizon plotësisht CEZ Shpërndarjen me energjinë e kërkuar nga kjo e fundit duke rrëzuar mundësinë e ndërprerjes së energjisë për shkak të mungesës apo kursimit.

Konsumi i energjisë në këtë periudhë është i lartë. Të dhënat nga KESH shpjegojnë se në ditë të caktuara, konsumi ditor i energjisë për Shqipërinë kalon edhe mbi 23 milionë kWh.

Miratohet dëmshpërblimi 11 mln USD për të përmbyturit e Shkodrës

Qeveria miraton pas 11 muajsh fondin për dëmshpërblimin e banorëve të Shkodrës, të cilët u përballen me përmbytjet gjatë muajit dhjetor të vitit të shkuar. Fondi ka një vlerë prej rreth 11 milionë dollarë dhe parashikohet të mbulojë dëmet e shkaktuara në bujqësi dhe biznese në bashkinë e Shkodrës dhe komunat Bushat, Dajç, Velipojë, Bërdicë, Ana e Malit, Rrethina, Qendër Koplik, Gur i Zi, Kastrat, Gruemirë, etj. Bashkë me fondin, qeveria ka miratuar edhe listën e hartuar pas verifikimeve të bëra nga terren pas përmbytjeve.

Banorët e zonës kanë zhvilluar herë pas here protesta duke kërkuar dhënien e dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundivitit të kaluar. Për dy vite me radhë, Shkodra dhe zonat përreth u përballen me përmbytje për shkak të reshjeve të dendura por edhe nga mosadministrimi i mirë i kaskadës së drinit, gjë e cila detyroi KESH-in të hapte portat për të shmangur kalimin e ujit mbi diga. Në rastet e përmbytjeve të tilla, ligji përcakton se dëmshpërblimi do të bëhet nga fondet e vetë korporatës. Vendimi vjen pikërisht në momentin kur vetë KESH ka dhënë alarmin për mungesë fondesh duke i kërkuar qeverisë që të financojë blerjen e energjisë gjatë muajve të ardhshëm.

ERE vendos sot për çmimin e energjisë

Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë mblidhet sot në mesditë për shqyrtimin e kërkesave të tri kompanive të energjisë elektrike, CEZ Shpërndarja, KESH dhe OST për rritjen e çmimit të saj për një periudhë 3 vjeçare. Mbledhja vjen pas disa dëgjesave të zhvilluara me kompanitë në fjalë dhe shqyrtimit me detaje të kërkesave të tyre. Bordi pritet të dalë me një vendim të përbashkët në orët e pasdites, ku do të përcaktohet nëse do të ketë rritje ose jo apo nëse do të aplikohet e njëjta skemë si vitin e shkuar, ku të preken çmimet e shërbimit midis kompanive në fjalë.

CEZ Shpërndarja ka kërkuar një rritje mesatarisht 4.6 për qind, e cila për konsumatorët familjarë përkthehet në rritje nga 7.7 lekë në 8.05 lekë kWh për konsum deri në 300 kWh në muaj dhe nga 13.50 lekë në 14.16 lekë kWh për konsum mbi fashën 300 kWh. Nga ana tjetër, KESH ka kërkuar që t’ia shesë CEZ-it një kWh me jo më pak se 5.05 lekë nga 148 lekë kWh që është aktualisht, kurse OST kërkon rritjen e çmimit nga 0.6 lekë kWh në 0.73 lekë. Përkundër tre kompanive, rritje çmimi kanë kërkuar edhe HEC-et e Ulzës edhe Shkopetit, të cilët me një ligj të veçantë u ndanë nga KESH dhe funksionojnë si kompani të veçanta. Çmimi final që paguajnë konsumatorët për një kilovat energji përbëhet nga kostoja e prodhimit të KESH-it apo e ajo e blerjes në tregun ndërkombëtar, kostoja e transmetimit nga HEC-et tek linjat e operatorit të shpërndarjes nga OST-ja dhe nga kostoja e CEZ Shpërndarjes plus fondet e nevojshme për të investuar gjatë vitit tjetër si dhe fitimi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama