Rio de Zhaneiro Qyteti i endrrave prane detit dhe i mrekullueshem

Rio de Zhaneiro: Qyteti i endrrave, prane detit dhe i mrekullueshem
Ish-kryeqyteti kolonial i Brazilit po përjeton kohën e vet më të mirë. Stadiumet po ndërtohen për Kampionatin Botëror të Futbollit dhe për Lojërat Olimpike. Lagjet e reja po zëvendësojnë barakat, transporti publik po shtrihet drejt periferisë

Rio de Zhaneiro është pothuajse pabesueshmërisht i mrekullueshëm, me plazhet ledhatuese të bardha dhe me lagjet e qytetit të vendosura rrëzë maleve të gjelbra, të gjitha janë me pamje nga bluja e thellë e Oqeanit Atlantik. Qyteti është duke u transformuar si një ekonomi në lulëzim të shpejtë dhe me norma kriminaliteti me rënie të vazhdueshme. Qyteti po josh ata që pëlqejnë të punojnë shumë dhe të shijojnë jetën. Nga rrugët e qytetit gjatë Karnavaleve të shkurtit te mbrëmjet në plazhin Kopakabana, jeta është e ndërthurur me tingujt e sambës dhe kërkimit të jetës së mirë.

Për çfarë njihet?

Vajza nga Ipanema është ende duke ecur, ndërsa pamjet nga mali mbi gjirin Guanabara të qytetit janë më të ëmbla se kurrë, por është e ardhmja e Rios ajo që përbën temën e diskutimit tani për tani. Qyteti, ashtu si pjesa tjetër e Brazilit, po lulëzon me shpejtësi, jo vetëm si pasojë e burimeve naftëmbajtëse të zbuluara së fundi në oqean, por gjithashtu për shkak të dy ngjarjeve të stërmëdha botërore që po vijnë në Rio. Qyteti do të mikpresë finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit më 2014, si dhe lojërat olimpike veriore në vitin 2016. Rio po përjeton projekte masive ndërtimi, përfshirë rehabilitimin e lagjeve, transportit dhe ambienteve sportive.

Stadiumi i famshëm, “Marakana”, një nga më të mëdhenjtë në botë, po i nënshtrohet një rinovimi të plotë që do të përfundojë më 2013 para për të pritur ndeshjen e parë të Kampionatit Botëror në qershor 2014 si dhe ceremoninë hapëse të lojërave olimpike në gusht 2016. Metroja po zgjerohet dhe zona të reja të qytetit po ndërtohen. Për shembull, Porto Maravilha, një projekt me vlerë 8 miliardë realë, pritet të përfundojë më 2016. Projekti pritet të rigjallërojë pjesën para portit në gjirin Guanabara deri te lagjet me pallate të larta. Projekti do të sjellë shkatërrimin e një autostrade të ngritur dhe mbjelljen e 15 mijë pemëve. Aty po ndërtohet Muzeu i së Nesërmes, i dizajnuar nga Santiago Calatrava dhe që do të hapet në vitin 2014.

Një pjesë e favelave të famshme të qytetit (lagjet me baraka të të varfërve), të cilat kanë simbolizuar kaq shumë varfërinë e dikurshme të qytetit, po bëhen gjithnjë e më të sigurta që nga koha kur shteti krijoi një forcë të re policore më 2008, e cila ia doli të mposhtë pjesën më të madhe të dhunës.

Qiratë dhe çmimet e pronave po rriten kaq shpejt në lagjet mbi kodra – të cilat ofrojnë një pamje përrallore – sa banorët e varfër nuk janë në gjendje t’i përballojnë e për rrjedhojë, po detyrohen të ikin.

Pavarësisht të gjitha ndryshimeve që po ndodhin në të gjithë qytetin, kariokasit (banorët e Rios) sërish vijojnë të mblidhen deri natën vonë për të dëgjuar muzikën samba që del nga lokalet dhe restorantet nëpër lagjet e qejfit si Lapa, në jug të qytetit. “Shumica e njerëzve këtu janë miqësorë dhe të hapur”, thotë Claudia Solano, një banore e vjetër. “Në krahasim me Sao Paulo, këtu ka mundësi të relaksohesh, madje edhe në vendet më shik”.

Ku dëshironi të jetoni?

Tradicionalisht, zonat e apartamenteve në qytet, të tilla si e pasura Zona Sul (Zona e Jugut), kanë qenë vendet më të dëshiruara për të jetuar. “Brazilianët e pasur dhe blerësit ndërkombëtarë pëlqejnë lagjet Leblon, Ipanema, Jardim Botanico dhe Lagoa, ndërsa banorët me të ardhura të mesme blejnë apo marrin me qira në Kopakabana, Botafogo, Flamengo, Laranjeiras etj.”, shpjegon Robson Lemos, një agjent pronash të paluajtshme. Në lagjen moderne të Rios, pranë Porto Maravilha, shumë ndërtesa të reja janë duke u ngritur. “Ndryshimet në planifikimin urban lejuan që në vijën e parë pranë oqeanit, lartësia të rritet nga maksimumi katër kate në deri 50 kate, duke tërhequr ndërtues të mëdhenj ndërkombëtarë, si Donald Trump e të tjerë”, thotë Lemos.

Barra da Tijuca në pjesën perëndimore të qytetit është planifikuar si një lagje për ndërtesa të larta dhe infrastrukturë moderne. Ajo do të bëhet shtëpia e Arenës Olimpike ku do të zhvillohen garat në gjimnastikë, si dhe aty po ngrihet stadiumi ujor i Olimpiadës. Kjo lagje tërheq familjet që po kërkojnë për apartamente të mëdha dhe që janë të pakapshme në Zona Sul. “Aty gjen ambiente më të mëdha për një çmim më të mirë”, thotë Solano. “Metroja për të lidhur këtë pjesë po ndërtohet, por për momentin pasja e një makine është domosdoshmëri, ndërsa bllokimi i trafikut ndodh shumë shpesh”.

Lagjet e shtresës së mesme si Tujuca dhe Meier në veri janë gjithashtu popullore. “Kariokasit thonë se zona e veriut ka më shumë nga shija origjinale e Rios së vjetër”, thotë Lemos. Shumë njerëz përdorin transportin nga qyteti Niteroi, një qytet me përmasa të mesme që lidhet me Rion me anë të një ure mbi gjirin Guanabara.

Kur ti jeton në Brazil, ti ke dilema të mëdha mbi plazhet ku duhet të shkosh. Shumë banorë shkojnë në një zonë që është rreth 150 kilometra në veri të Rios. Por edhe në jug, në një distancë po 150 kilometra, banorët e Rios tërhiqen nga Komuna Angra dos Reis, e cila ka edhe disa qindra ishuj, përfshirë pyje shiu spektakolare dhe plazhet me rërë të bardhë, Ilha Grande.

Në brendësi të tokës gjendet Petropolis, vetëm 70 kilometra larg Rios, vendi kur dikur familja mbretërore gjente strehë nga vapa e verës, ndërsa tashmë është një destinacion shumë popullor për fundjavë për shkak të restoranteve dhe hoteleve të këndshme.

Pronat në qytet kanë pësuar një rritje stratosferike prej 165 për qind përgjatë tri viteve të fundit. Një apartament modest me 100 metra katrorë në lagjet e shtresës së mesme kushton aktualisht rreth 2 milionë realë (rreth 800 mijë euro) ndërsa marrja me qira kushton mes 8 mijë dhe 20 mijë realë në muaj (3 mijë -7800 euro).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama