Rishikimi i disidentit

Rishikimi i disidentit
Mihal Luarasi ka shpresë që një ndër katër projektet dramaturgjike që ka çuar në Teatrin Kombëtar, të jetë në repertorin e premierave për këtë sezon. Nuk ka rëndësi cila dhe ai nuk bën komente shumë meqë bordi është në punë e sipër. Ka, megjithatë një përjashtim në rastin e 79-vjeçarit. Është projekti për rimarrjen e dramës “Një dashuri e tillë” e disidentit çek Pavel Kohout, dramë të cilën regjisori shqiptar e vuri në skenë në vitin 1963.

Atëherë Luarasi jetonte akoma në një klimë të mirë artistike: mes ekos së studimeve në Hungari (në vitin 1952 nisi studimet në Budapest, në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit), dhe sidomos ngjarjeve të revolucionit hungarez, pjesëmarrja në klubin “Petëf” ku mblidheshin shkrimtarë e intelektualë dhe ku flitej për socializmin e mirë dhe të lirë; ndërsa në Shqipëri klima ishte deri-diku liberale, deri kur do të vinte Pleniumi IV, i vitit 1973, që e dënoi Luarasin si një ndër bashkëfajtorët e Festivalit të 11 të Këngës, i quajturi “festival modernist”.

Autori, Pavel Kohout, bashkëmoshatar i Luarasit i lindur në Pragë, anëtar i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, do të ishte 5 vjet më vonë një eksponent i Pranverës së Pragës. Ai dhe disidentë të tjerë të teatrit u dëbuan nga puna në teatrin shtetëror dhe krijoi kompaninë Living-Room Theatre ku u luajt një përshtatje e “Makbethit” të Shakespeareit duke marrë shkas nga ngjarjet në vend.

Në fakt drama e tij më e njohur mbetet “Vrasësi fukara” e shfaqur në Broduej më 1976. E cilësuar një figurë e diskutueshme e kulturës dhe politikës në historinë e Çekisë në gjysmën e dytë të shekullit XX, Kohout ishte stalinist në rininë e tij në vitet ‘50, një komunist i reformuar në vitet ’60, disident në vitet ‘70, azilant politik në vitet ‘80. Bashkëpunëtor i ngushtë i Vaclav Havelit më 1977, Kohout u përfshi në hartimin dhe organizimin e manifestit për të drejtat e njeriut “Karta 77”. Në këtë kohë ai ka qenë i kërcënuar me jetën nga Policia sekrete. Një vit më pas, largohet nga Çekosllovakia për në Austri dhe nuk do të lejohej nga autoritet vendase të kthehej pas.

Ky ishte autori që sillte Luarasi në një kohë që pjesa komuniste e Evropës qendrore po synonte “komunizmin me fytyrë njeriu”.

Kështu, pas suksesit që pati si punë diplome me studentë të cilëve u jepte mjeshtëri aktori në Institutin e Arteve “Aleksandër Moisiu”, “Një dashuri e tillë” u fut në repertorin e Teatrit Popullor. Regjisori kujton se vepra u kritikua në gazetën “Zëri i rinisë”. “Vepra atakonte sistemin në një çështje që ka të bëjë me njeriun si person që mund të tjetërsohej nga ambjenti i asaj kohe. Prandaj kishim një lloj frike mos vepra pengohej e parë nga pozitat ideologjike”.

Luarasi nuk ka një përgjigje të saktë përse i kthehet “Një dashuri e tillë”. “Nuk e di pse i kthehem. Kjo nuk është një vepër vetëm kundër sistemit” dhe shton se diçka shumë njerëzore që ka të bëjë dobësitë e karakterit në thelb të natyrës humane, ka drama e Pavel Kohout, një rrëfim në retrospektivë mbi vetëvrasjen e një studenteje në Pragën e viteve 60.

Nga aspekti i dramaturgjisë skenike, regjisori e quan me interes veprën sepse për herë të parë ndodh ajo që ka bërë Kurosawa në filmin “Shtatë samurajt” ku krimi në pyll rrëfehet në mënyra të ndryshme. Vetë Luarasi e ka përdorur edhe së fundi këtë “teknikë” në dramën e shkruar prej tij dhe e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, “Korbi i bardhë”.

Arsyeja pse nuk ka aq entuziasëm tek regjisori për rimarrjen pas 45 vjetësh të dramës së Kohout është se aktorët e sotëm, ata që janë të punësuar në Teatrin Kombëtar, një pjesë nuk ia mbush mendjen, kurse pjesa tjetër janë të plakur për moshën e personazheve. “Teatri është i plakur. Akademia nxjerr çdo vit aktorë, po të rinjtë nuk duken gjëkundi”. Ai nuk harron lojën e mrekullueshme të aktorëve studentë tek “Një dashuri e tillë”,Bukuroshe Kola, Bernard Koka, Donika Barçi, Vera Zheji, Kadri Piro, Robert Ndrenika, Viktor Zhusti. Më vonë disa prej tyre do ishin pjesë e një plejade. Veç kësaj ato ishin kohë kur të gjitha rolet dubloheshin.

Si regjisor i shkollës realiste, Luarasi vë në plan të parë veprën dhe aktorin, idetë e autorit dhe jo gjetjet regjisoriale, prandaj mungesa e aktorëve të rinj është për të pjesë e një atmosfere të tërë ku ka zënë rrënjë modeli i aktorit pa kokëçarje, sipërfaqësor, i mbytur nga rutina, që boll të firmosë në bordero, model që sipas tij mbetet “gangrenë për teatrin”.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama