"Sigurisht, jam kundër qëndrimeve ekstreme të atyre që thonë se s'ka nevojë për ndryshime edhe kundër atyre që mendojnë se ndryshimet duhet të shkojnë thellë. Nuk jemi përgatitur për të bërë ndryshime të thella sepse nuk i kemi bërë këto studime." Gjuhëtari Seit Mansaku nuk ka qenë firmëtar i Kongresit të Drejtshkrimit, por çështjen e gjuhës letrare e quan një nga zgjidhjet e mëdha që u bë në atë kohë, ku u përfshinë studiues nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga arbëreshët e Italisë. E njëjta gjë si nesër, kur të mbledhurit nga këto anë diskutojnë gjendjen e gjuhës dhe dalin në propozime për rishikimi i gjuhës standarde.
Në ditën e parë të konferencës shkencore, në kumtesën "Nga gjuha letrare kombëtare te gjuha standarde", prof. Mansaku trajton dy konceptet si të pabarabartë. "Për mua gjuha standarde duhej të ishte ndarë në funksione të detyrueshme dhe fakultative. E detyrueshme si gjuhë zyrtare e shtetit, e administratës, e shkollës sigurisht. Këtu duhej kërkuar zbatimi i saj me përpikmëri, ndërsa gjuha e letërsisë artistike të ishte e lirë." Varianti i shkruar gegë nuk i lirë. Dëmin më të madh gjuhësor pas 1972-it, prof. Mansaku e sheh te moslëvrimi i letërsisë në gegërisht. Tekefundit, çështjet historike të standardit nuk do ishin argumentet më të rëndësishme për konferencën. Ai konfirmon se gjuhëtarët dhe institucionet shqiptare nuk janë gati të ndërmarrin procesin e rishikimin të standardit.
Pra, duke iu referuar vitit 1972, ju përmendi dëmin më të madh ndalimin e letërsisë në gegërisht...
Më 1972, shprehimisht nuk është thënë që ndalohet gegërishtja, por udhëzimet që u jepeshin shtëpive botuese, autocensura e njerëzve që mendonin se duke shkruar gegërisht dilnin kundër një gjuhe standarde që e kishte miratuar dhe shteti, u shtri edhe në gjuhën artistike. Dhe pothuajse nuk ke vepra gegërisht nga 72 e këtej.
Nuk ka qenë dëm vetëm në gjuhë. Në të vërtetë u godit letërsia e qarkut katolik shkodran, e asaj pjese, sidomos autorët e së cilës u quajtën antikomunistë, të lidhur me Vatikanin, me Perëndimin. Realisht ishin antikomunistë, u quajtën të rrezikshëm për komunizmin, prandaj kultura e tyre u mënjanua dhe bashkë me të, edhe vlera gjuhësore. Për mua dënimi gjuhësor ishte pasojë e ndalimit të letërsisë të atij qarku, jo i tëri. Por Fishta, Prenushi, Koliqi që kanë një krijimtari me një pasuri gjuhësore të begatë.
Çfarë shtrohet për zgjidhje?
Në plan të përgjithshëm: varianti letrar gegë të mos pengohet.
Po në 20 vjet nuk është penguar...
Le të jetë në zgjedhjen e autorëve dhe nëse ata duan t'i drejtohen një publiku sa më të gjerë. Po të ketë njerëz që dinë ta shkruajnë mirë, është pasuri. Çfarë doni të thoni me "ta shkruajnë mirë"? Është vënë se ndryshe nga njëri-tjetri e shkruajnë gegërishten autorët që i përkasin të njëjtit brez. Për mua gegërishtja nuk ka nevojë të jetë e unifikuar. Të jetë e lirë. Mjaft e kemi një standard të unifikuar, por jo më me ndërhyrje për ta standardizuar edhe atë. Gegërishtja letrare nuk mund të thuhet se i ka shteruar mundësitë e pasurimit të shqipes qoftë në leksik e frazeologji, edhe në sintaksë, jo shumë në forma morfologjike dhe fonetike.
Profesor, çfarë duhet riparë në sistemin drejtshkrimor të shqipes?
Për shikimin e disa rregullave të drejtshkrimit, janë dy postulate të rëndësishme që duhen mbajtur parasysh. Gjuha është një fenomen që zhvillohet bashkë me shoqërinë, ndryshon sipas ligjeve të saj, por ndikohet edhe nga faktorë jashtëgjuhësorë, jo në atë shkallë sa të thuhet se gjuha duhet t'u përgjigjet ndryshimeve shoqërore-politike. Postulati tjetër është që standardi duhet të ketë qëndrueshmëri, kjo ruan komunikimin për një kohë të gjatë. Disa ndryshime që mund dhe duhet të bëhen, të mos prekin bazat dialektore, por të kenë të bëjnë me përmirësimin dhe thjeshtimin e disa rregullave, përfshirjen e fjalëve që në kohën kur është bërë ai drejtshkrim, nuk ekzistonin.
Ju çfarë prisni nga konferenca?
Kjo konferencë do të riparaqesë ato vërejtje që janë bërë herë pas herë, që në Kongresin e Drejtshkrimit. Duhet bërë një inventar i çështjeve që duhen rishikuar dhe këto pastaj duhen studiuar. Këtë duhet të bëjë kjo konferencë që të mos ngelet në nivelin e konstatimeve. S'ka asnjeri që ta kundërshtojë që duhet të përfshihet në gjuhën standarde ose letrare pasuria leksikore e shqipes, e gegërishtes apo e toskërishtes. Do duhen të parashikohen edhe politika, projekte konkrete se si mund të bëhet vjelja e gjithë kësaj pasurie e përfshirjes së saj në studime, në fjalorë, që të hidhen në qarkullim, që të mund të përdoren. Kjo është kryesorja.
Janë disa tema të veçanta që kërkojnë studim të gjithë materialit gjuhësor. Për shembull në qoftë se është thënë që amtar shkruhet pa ë, mua më lind dyshimi pse amtar pa ë, dhe pse anëtar me ë.
Që të thuhet se duhet hequr ë tek anëtar, kjo nuk mund të bëhet duke pasur parasysh vetëm atë fjalë. Prandaj duhet të nxjerrësh nga fjalori i gjuhës shqipe ose nga kartoteka, tërë inventarin e fjalëve femërore me ë si kishtar, kordhëtar që të bësh listën e plotë edhe të shqyrtosh se ku ka mundësi të hiqet ë-ja. Pra duhen parë rast pas rasti.
Janë gati gjuhëtarët, institucionet?
Këtë doja të thosha: në vendimet për ndryshime, duhet pasur parasysh edhe aspekti teknik që s'është thjesht teknik, po edhe ekonomik. Disa ndryshime në drejtshkrim do të kërkojë edhe rishikimin e teksteve shkollore që janë botime me tirazh të lart. Nuk do të thotë se kjo do të pengojë punën për rishikimin e drejtshkrimit. Studiuesit bëjnë punën e tyre, pastaj është Ministria e Arsimit që vendos që të ribotojë tekstet apo jo.
A mund të imponojë QSA autoritet për ta kryer procesin?
Vetë QSA dhe Ministria e Arsimit duhet të kenë parasysh gjendjen në të cilën ndodhet realisht Qendra e Studimeve Albanologjike, fondet që i japin asaj. Që të bësh këto duhet ta ndjekësh procesin e zhvillimeve gjuhësore, që ta ndjekësh procesin duhen njerëz. Ka pasur dikur një Departament të Kulturës së Gjuhës që ndiqte dukuritë, gabimet që bëheshin në shtyp, krijonte skedarë. Duhen statistika: sot nuk ka asnjeri në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë që të merret me këtë punë.
Më 2005, me iniciativën e Ledi Shamku-Shkrelit, Instituti në fjalë nënshkroi një aktmarrëveshje me Institutin e Gjuhësisë të Universitetit "La Sapienza" të Romës. Qëllimi ishte ngritja e një grupi pune për të parë gjendjen e përdorimit të gjuhës shqipe që flitet e shkruhet sot. Asgjë deri më sot.
Ledi Shkreli ka një dëshirë që duhet bërë pasaportizimi i shqipes. Kjo për mendimin tim është e saktë. Duhet bërë kërkimi në terren, si përdoret. Ndërsa ndjeka e përdorimit është shumë e domosdoshme dhe jep mundësi për studime të reja sociolinguistike, gjendja e krijuar tani në Tiranë me një popullsi mjaft heterogjene, kërkon ndjekjen e proceseve gjuhësore. Në asnjë mënyrë nuk mendoj se kjo situatë duhet të ndikojë të ndryshimin e standardit. Gjuha e shkruar nuk mund të pasqyrojë gjithmonë ndryshimet e gjuhës së folur. Dhe nuk mendoj është një problem për shqipen, por për gjuhë që janë standardizuar prej kohësh dhe që është krijuar një hendek midis gjuhës së shkruar dhe gjuhës së folur.
Megjithatë, fjalorët e botuar "në liri", tani vonë, nuk reflektojnë realisht pasurinë e gjuhës kombëtare. Sigurisht, zhvillimi në terren në gjuhën e folur shkon më përpara. Për mundësitë reale të forcave shkencore dhe për fondet që i ka kushtuar shteti kësaj fushe, vështirë se mund të bëhej fjalori i madh. Është nisur prej kohësh fjalori i madh i gjuhës shqipe i menduar të dali në disa vëllime.
Është pasur parasysh kjo sepse kartoteka që është krijuar në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë ka një numër të madh skedash, disa miliona skeda. Pra është baza për të krijuar një fjalor të madh. Por nuk është e lehtë. Duhen forca ndihmëse për vjeljen e botimeve të reja që të pasurohet kartoteka, duhen forca shkencore të kualifikuara për ta ndërmarrë dhe për ta vazhduar. Kurse tek ne ka ndodhur e kundërta. Forcat ndihmëse teknike për arsye të shkurtimeve që u bënë kudo, u shkurtuan plotësisht; forcat shkencore të kualifikuara për të bërë fjalorë pak nga pak po dalin në pension, dhe vihet në dyshim vërtet hartimi i një fjalori.
Kjo konferencë duhet ta mbajë parasysh këtë, jo thjesht për gjuhëtarët dhe studiuesit, por duhet t'ia parashtrojë qeverisë. Nuk bëhet një fjalor i madh nëse nuk ka mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe të Qeverisë për të dhënë fondet e duhura që të paguajë njerëzit e duhur dhe të bëhet puna paraprake.
Kritikat që kanë gjetur përgjigje
Prof. Mansaku mendon se janë disa probleme të historisë së standardit që nuk kanë nevojë të rimerren.
Njëri: duhet apo s'duhet standardi.
Kritika tjetër, që të liheshin dy variantet letrare të lëvroheshin dhe të pritej gjersa ato të bashkoheshin dhe të shkriheshin në një standard të veçantë, "nuk i qëndron as kritikës teorike, as të dhënave që jep gjuhësia e përgjithshme, sepse siç thotë një nga themeluesit e gjuhësisë moderne Ferdinand de Saussure, Gjuha e lënë në mëshirën e fatit, është e destinuar të qëndrojë e ndarë në dialekte dhe të sjellë vetëm ndarje. "
Duke iu referuar historisë së vetë standardizimit të shqipes, prof.
Mansaku kujton se që në vitin 1940, Mustafa Kruja, një njeri që është marrë mjaft me mbrojtjen e gjuhës, në Kongresin e Parë të Studimeve Shqiptare, qe ngarkuar nga Instituti i Studimeve Shqiptare që të bënte një raport për gjendjen e gjuhës letrare shqipe dhe ç'duhej bërë më tutje.
Kruja shkruan në këtë moment se nuk duhet pritur më ta lëmë gjuhën të zhvillohet në mënyrë spontane, duhet të diskutohet për të vendosur një gjuhë standarde, pa dhunuar ligjet e zhvillimit të gjuhës.
"Edhe kritika që bëhet se politika dhe shteti ka ndërhyrë në vendosjen e gjuhës standarde, besoj e ka marrë përgjigjen.
Ndërhyrja e shtetit është e nënkuptuar. Kur themi ka ndërhyrë, kemi parasysh, pa mbështetjen e shtetit, pa përkrahjen e tij, pa shkollën, mjetet publike të informacionit. Pa këtë nuk vendoset dot një gjuhë letrare zyrtare", komenton prof. Mansaku.
Realisht të dy dialektet nga pikëpamja shkencore ishin barabartë të mundshme për t'u ngritur në nivelin e gjuhës standarde. Të dy ishin të lëvruar me shkrim, sigurisht gegërishtja më herët. Që në fillimet e shkrimet të shqipes doli Buzuku më 1555, Matrënga më 1592, po në shekullin XVI u shkrua toskërishtja, në një masë me të vogël.
Dokumentin e parë të shkruar shqip, Formula e Pagëzimit, është në gegërisht. Vjen pastaj ajo që quhet Ungjilli i pashkëve ose Perikopeja e Ungjillit, në toskërisht.
Në periudha të ndryshme janë shkruar në përpjesëtime të ndryshme. Gjatë Rilindjes Kombëtare pati tjetër raport.
Por pas vitit 1944 qenë rrethanat politike shoqërore që përkrahën dialektin toskë për t'u ngritur në gjuhë standarde.
"Pati edhe arsye gjuhësore, sepse është një realitet që toskërishtja është më e njësuar, nuk ka përthyerje dialektore aq sa ka gegërishtja", shton gjuhëtari. Megjithatë ai është kundër diskutimeve që shtrojnë edhe sot sa vepra letrare janë shkruar toskërisht, sa gegërisht; sa shkrimtarë kanë qenë nga jugu, sa nga veriu. Është kundër sepse këto nuk mund të përdoren si argumente për çështje të gjuhës standarde.
Dje
Në tetor 2005 Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë Universitetit të Tiranës nënshkroi një aktmarrëveshje me Institutin e Gjuhësisë të Universitetit "La Sapienza" të Romës. U parashikua ngritja e një grupi pune nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, që do të punonte për vjeljen e 100 mijë fjalëve nga shtypi i shkruar, letërsia autoktone, tekstet shkollore elementare, tekstet e prodhuara për gjuhën e folur, filma teatër.
Nga këto do të nxirreshin prirjet e gjuhës dhe perspektiva e saj, për të parë përdorimet e shqipes së shkruar e të folur. Iniciatorët thoshin se kishte ardhur momenti për të parë sa përdoret standardi afro 30 vjet pas normimit të një sistemi drejtshkrimor të shqipes, në kushte të reja shoqërisë, kulturës, zhvillimit shqiptar.
Gjendja rezulton e tillë që leksiku aktiv i shqiptarëve është rrudhur shumë dhe ka rënë ndërgjegjësimi gjuhësor. Me katalogimin që parashikonte aktmarrëveshja e mësipërmes do të dilnin në pah fjalët e shqipes së përdorshme dhe pasuria e saj, të sugjerueshme për tekstet shkollore dhe për të shpresuar në zgjerimin e leksikut aktiv.
Nesër
Angazhimi i qendrave albanologjike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, Gjermani duket total. Ka pasur edhe zëra që dyshojnë që një dasmë si kjo për nga pjesëmarrja nuk do të ketë rezultat, se akoma nuk dihet çfarë kërkohet të rishikohet.
Dhe rishikimi i standardit në praktikë, do të kërkonte një institucion autoritar, autoritet që Qendra e Studimeve albanologjike nuk e ka. Autoritar në kuptimin e mundësive për mbledhur forcat shkencore efektive, po edhe forcave teknike, siç e vë në dukje i intervistuari ynë, profesor Seti Mansaku.
Gjithsesi, njoftojmë se Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë hapin nesër në Durrës konferencën shkencore "Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të Standardit", 15-17 dhjetor.
Hapja bëhet nga Prof. Dr. Ardian Marashi, kryetar i Qendrës së Studimeve Alabanologjike.
Në dy seancat e ditës së parë lexohen referate dhe kumtesa mbi Historinë e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni dhe Probleme gramatikore të standardit. Referojnë Bahri Beci, Rexhep Ismajli, Bardhyl Demiraj, Bahtjar Kryeziu, Gjovalin Shkurtaj, Rrahman Paçarrizi, Ethem Likaj, Wilfried Fiedler etj.