Prof. Meta, pas vitit 2000, debati për nevojën e rishkrimit të historisë së Shqipërisë ka qenë jo pak prezent. Ju keni përmendur pak kohë më parë nëvojën për një projekt gjithëpërfshirës, me historianë nga të gjitha trevat shqiptare për të hedhura hapa konkretë në këtë drejtim…jeni bërë bashkë për të nisur nga puna?
Në nisje dua të them se rishkrimi i historisë është komentuar shpesh si diçka negative. Them se nuk ka arsye pse kjo gjë të trembë aspak dhe askënd sepse kjo nuk do të thotë që të mos mbahet parasysh asgjë e shkruar më heret. Kjo do të thotë se çdo brez që vjen, shton mbi gjërat afirmative, disa teza që evoluojnë sepse dalin burime e botime të reja dhe metoda të reja kërkimore. Ky rishkrim për të cilin flitet nuk bën fjalë për shndërrimin e ngjarjeve historike, as kthimin nga e zeza në të bardhë dhe anasjelltas, ky rishkrim do të thotë që historiografia të sjelltë tërë burimet e munguara për të hedhur dritë mbi ngjarje që për shkak të të shkuarës sonë historike, ka rezultuar që janë lënë në harresë apo janë anashkaluar.
Ndaj kanë shumë rëndësi shumë dokumente që botohen sepse na bëjnë ne të mundur që të përballemi me të vërteta faktike historike. Këto burime krijojnë avantazhe se punën e historianit e bëjnë edhe të kontrollueshme sepse ka në dorë dokumentat historike. Të gjitha këto botime dokumentesh që këtë vit të 100-vjetorit të pavarësisë janë shtuar në sasi, janë hapa para. Sa i takon rishkrimit dhe projektit, them se e kemi bërë një hap tepër të rëndësishëm. Projekti që ka bërë bashkë 37 studiues për shkrimin e historisë së shqiptarëve të shekullit XX nuk është veçse në letër sepse ne e kemi pasur një takim të parë. Ajo që unë vërej nga këto kontakte të para që kemi pasur, të cilat do të vijohen nga diskutime të shpeshta, ka përafri të mëdha pikëpamjesh sepse po vendosen mbi baza shkencore, duke mbajtur si ‘mbret’ të punës së tyre argumentin shkencor, faktin në tërë dimensionet e veta. Kjo sjell një shoshitje të argumentit shkencor dhe për pasojë është më pak i kontestueshëm.
Jemi në ditët e fundit të vitit jubilar të pavarësimit të vendit. Është folur shumë për kontributin e historianëve dhe prurjet e tyre në këtë vit, sidomos për periudha që kanë qenë jo fort të ndriçuara. Në fund të këtij viti, c’keni bërë ju si Institut i Historisë saktësisht?
Ka pasur një prurje shumë interesante dhe në themel të këtyre prurjeve janë sjellja në shqip e dokumentave austro-hungareze për periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, gjithçka ata kanë në arkiva për vitin 1912, dokumente që sjellin një panoramë të qartë se si rrodhën ngjarjet në atë vit të rëndësishëm për shqiptarët. Janë mijëra dokumenta të cilat sjellin tërë dinamikat e asaj që ndodhi në këtë moment kyç për Shqipërinë. Qëndrimin e vendeve fqinje dhe ecurinë e gjithçkaje ndodhi por edhe zhvillimet brenda shqiptare mbi të gjitha. Nëse gjithçka do të përmbushet siç ne e kemi menduar, them se do të shkojmë drejt botimit të të gjitha arkivave që kemi aksesuar. Kemi në dorë 100 volume me dokumente për Shqipërinë nga arkivat italiane, rreth 50 vëllime nga arkivat gjermane dhe po aq britanike e franceze. Për t’i botuar këto duhet një investim i madh shtetëror por kur t’i kemi të botuara këto vëllime, një brez shumë i madh studiuesish, studentësh, doktorantësh, do kenë mundësi ta kenë në studiot e tyre këtë dokumentacion dhe nga ana tjetër, tezat e historianëve do të jenë të verifikueshme. Çka sjell kësisoj jo vetëm kërkim shkencor më cilësor por edhe më të besueshëm, pra pak të kontestueshëm.
Ju i sillni këto dokumenta dhe janë studiuesit ata që i interpretojnë. Po çarë rezulton nga këto dokumenta, çfarë ka ndodhur në momentin kyç të pavarësimit të vendit?
Interpretimi është një moment themelor që nuk lidhet veçse me këto dokumenta andaj edhe vlen të theksohet se kanë ardhur edhe nga arkiva të tjera, jo veç atyre austriake. Botuam vëllimin me dokumenta britanike dhe franceze për të bërë sa më të plotë tërë kuadrin e vitit 2012 por nuk janë vetëm këto. Ka edhe studime të cilat vijnë me konkuzione dhe analiza të rëndësishme. Në konferencën e mbajtur gjatë muajit nëntorm, këto dokumente kanë qenë brumi i tërë prurjeve dhe konkuzioneve të rëndësishme që erdhën aty nga studiues shqiptarë dhe të huaj dhe një ndër risitë ishte njohja dhe ridimensionimi i politikës austro-hungareze në çështjen shqiptare, duke dhënë peshën kryesore që ka pasur në autonominë shqiptare, zhvillimin e identitetit kulturor, përgatitjes së autonomisë shqiptare dhe në fund pavarësia sepse kushtet në Ballkan e bënë të domosdoshme pavarësinë e Shqipërisë.
Procesi i shtetformimit ka qenë një analizë tërësisht e re që është bërë nga studiues vendas dhe të huaj.
Prof. Meta, komuniteti i historianëve është i ndarë sa i takon rolit të Perandorisë Austro-Hungareze në pavarësinë e Shqipërisë. Disa mbrojnë tezën se ka qenë faktori i brendshëm kyç, ndërsa të tjerë flasin për kontribut thelbësor të austro-hungarisë në pavarësinë e vendit. Ju i keni parë këto dokumente tanimë, sipas jush, ç’mund të themi në këtë moment?
Them se të dyja këto interpretime janë të gabuara! Nëse do të vendosim njërin faktor mbi tjetrin dhe anasjelltas, nuk besoj që kemi bërë ndonjë analizë shkencore. Arsyet pse e theme këtë janë disa. Së pari, faktori i jashtëm austro-hungarez nuk do të mund të vepronte nëse nuk do të gjente po them një zjarr të ndezur, pra nëse këtu nuk do të kishte lëvizje të brendshme. Nga ana tjetër, po aq e gabuar do të qe nëse do të thonim se nacionalizmi shqiptar mund të vepronte i vetëm dhe mund të arrinte objektivat e veta politike pa faktor të jashtëm. Ndaj edhe do të thoja se këtu ka një kohezion dhe është vështirë të vendosësh se kush qe primar e cili sekondar. Një ndarje e tillë do të qe metafizike. Them se ka pasur një bashkërendim e bashkëveprim për të sjellë këtë rezultante historike. Ne nuk mundemi sot të fusim në laborator asgjë për të parë se çfarë do të bënte njëri faktor pa tjetrin, por di të them se asnjë objektiv nuk do të ishte arritur nëse të dy faktorët të mos bashkëvepronin për të arritur te nëntori i vitit 2012.