Ish-kampioni i Botës me skuadrën e Brazilit, Rivaldo, ka paralajmëruar të gjithë ata që duan të shkojnë në Olimpiadën e Rios që të kenë kujdes, pasi siguria në vend është kaotike.
Në një koment të publikuar në profili e tij në "Instagram", Rivaldo shprehet i tronditur nga vrasja e një 17-vjeçareje në Rio dhe thotë se në Brazil mund të vritesh në rrugë. Ai shigjeton sistemin shëndetësor në vend duke thënë se nuk mund t'ju ofrojë shërbimet e duhura dhe policia sipas tij, nuk garanton jetën.
"Sot në mëngjes disa banditë kanë vrarë këtë vajzën (17-vjeçarja në foto). Gjërat më të shëmtuara ndodhin në Brazil. Unë i këshilloj të gjithë ata që kanë ndërmend të vijnë në Brazil në Olimpiadën e Rios që të rrinë në shtëpi.
Këtu jeni në rrezik për jetën. Për mos të folur për spitalet publike që nuk janë në gjendje të sigurojnë asistencën e duhur dhe kur situata në polici është kaotike. Vetëm Zoti mund ta ndryshojë situatën tonë në Brazil",-shkruan ish-milanisti, Rivaldo.