Edicioni i parë "Anifest Rozafa 2010" mbahet më 3-4 tetor në Shkodër. Drejtori artistik Artur Dauti përshkruan tablonë e plotë. Një ditë i kushtohet filmit shqiptar të animuar, me rastin e 35-vjetorit të filmit të parë
Nga 3 deri më 7 tetor, në Kinemanë "Millenium" të qytetit të Shkodrës mbahet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe nga fëmijët (krijues janë edhe fëmijët), "Anifest Rozafa 2010". Sipas drejtorit artistik, Artur Dauti është zgjedhur Shkodra për ta prezantuar këtë festivali me qëllim "shpërndarjen gjeografike të festivaleve të filmit".
"Në të gjithë botën festivalet e filmave zhvillohen larg qendrave. E menduam Shkodrën sepse është edhe qytet me tradita në fushën e artit dhe kulturës", shprehet Dauti.
Në garë janë 40 filma nga Amerika Latine, Argjentina, Meksika, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Ukraina, Hungaria, vendet baltike dhe dominon kinemaja e ish-vendeve të Lindjes. Po me ç'synim i kanë hyrë punës organizatorët e këtij festivali: "Shoqata e Kineastëve të Animacionit dhe organizata jofitimprurëse, "Koha e fëmijëve"?
"Do t'i dhurojmë fëmijëve të Shkodrës dhe atyre që do të ndjekin festivalin, filma cilësorë, që trajtojnë problemet e tyre, që pasqyrojnë me realizëm, diku edhe me humor problemet që ata ndeshin në shkollë, në raportet midis tyre, me ambientin, problemet e brezave, të racizmit", sqaron Dauti njërin nga synimet.
Synimi tjetër ka të bëjë me ndërgjegjësimin e atyre që akordojnë fondet, për ta mbështetur më tepër filmin e animuar. Festivali "Anifest Rozofa 2010" së fundmi, ka përfituar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë 1.900.000 lekë, një shifër që nuk e ka kënaqur drejtorin e festivalit, Artan Maku.
"I gjithë buxheti i festivalit shkonte te 16.000.000 lekë dhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike janë aprovuar vetëm 1.900.000 lekë. Kjo është diskriminuese, po të marrim parasysh shumat që dha Qendra Kombëtare e Kinematografisë për festivalet e tjerë që u aprovuan.
Ajo është e detyruar që të bëjë financime dhe me politikat e saj t'u japë garanci sponsorëve që e mbështesin festivalin", pohon Maku, i cili i mëshon faktit që animacioni nuk ka zë në Këshillin Miratues të Projekteve në QKK. Festivalin e ka mbështetur edhe Bashkia e Shkodrës me financa dhe ambiente.
Në "Anifest Rozafa 2010" morën pjesë 100 filma, nga të cilët 40 u zgjodhën dhe hyjnë në konkurrim. Drejtori Dauti jep një panoramë të përgjithshme, të filmave, autorëve, regjisorëve dhe në seksionet që përbëjnë strukturën e festivalit.
"Kemi tri seksione bazë: i pari është seksioni i konkurrimit ku janë filmat autorë të të dyjave moshave 5-12 vjeç dhe 12-16 vjeç, në seksionin e dytë janë filmat e shkollave dhe në seksionin "Panorama" shfaqen ata që nuk janë klasifikuar në festival", thotë Dauti.
Në "seksionin" e filmave më të njohur, ai përmend titujt: "Bretkosa" i regjisorit Thierry Schiel ("Fog" Luksemburg 2009), "Djali dhe pema" i regjisorit Panagiotis Rappas ("Ena dentro mia fora", Greqi 2009), "Kafja e çikores" i regjisorit Duan Kastelic ("ikorja an' kafe", Slloveni 2008), "Vëllai nga hëna" i regjisorit Frédéric Philibert ("Mon petit frère de la lune", Francë 2008), "Memorja e qenit" i regjisorit Simone Massi ("La memoria dei cani", Itali 2006), "Makina Smart" i realizuar në formatin 3D nga 13-vjeçari amerikan Jane Sabloë ("Smart Machine", 2008) etj.
Nga kinemaja hungareze vijnë dy legjenda të realizuara nga regjisori Lajos Nagy. Në konkurrim janë edhe tri filma shqiptarë: "Ishulli" nga Rikarda Nova, "Bishtprerat" Gjin Varfi dhe "Kamioni" i Ilir Kasos.
Në konkurrim hyjnë dhe disa shkolla që prezantojnë prodhimet e tyre të fundit, shkolla estoneze, lituaneze, kroate, sllovene, gjermane. Artur Dauti theksoi se ato kanë një rol me rëndësi, sepse "krijojnë një edukatë tjetër për sa i përket konceptit të filmit të animuar". "Nga 16 filma të animuar të prodhuar dikur, të kalosh në 2-3 filma, është një humbje goxha e madhe.
Një pengesë e madhe është edhe mungesa e shkollës së animacionit. Për këtë arsye, mendoj që futja e grupeve dhe e prodhimeve të shkollave të huaja, edhe nga fëmijët, është për t'i treguar edhe pjesës zyrtare të këtij vendi që filmi animuar duhet zhvilluar. Nuk ka të bëjë më prodhimin e një, dy ose pesë filmave, ka të bëjë me edukimin e brezave", përfundon drejtori i festivalit.
Filmat pjesëmarrës u prezantojnë të pranishmëve edhe kombinimet e teknikave të ndryshme në fushën e animacionit, atë "me karton të lirë, me vizatime, plastelinë".
Ende nuk është thënë fjala e fundit për anëtarët e jurisë, por deri tani mendohet të jenë: Anita Killy, Reinhold T.Schoeffel, Pál Tóth dhe nga Shqipëria, Gëzim Qendro e Edlira Roqi.
Edicioni i parë i këtij festivali përkon me 35-vjetorin e realizimit të filmit të parë të animuar në Shqipëri, "Zana dhe Miri" i regjisorit Vlash Droboniku. Një ditë e festivalit i kushtohet filmit shqiptar të animuar, ku prezantohen 3-4 filma nga regjisorët më të njohur të animacionit në vite.