Gjatë periudhës së Europianit, emri i Armando Sadikut u lakua si dëshirë e disa skuadrave të ndryshme.
Një prej tyre ishte edhe Sampdoria. Mediat zvicerane bëjnë me dije se një interesim i tillë është zgjuar sërish. Sipas "fusolinfos.ch", Sadiku është edhe një herë tjetër pjesë e listës së dëshirave nga skuadra italiane, mirëpo nuk ka nisur asnjë tratativë zyrtare.
Kjo media vijon shkrimin me fjalët e përfaqësuesve të agjencisë që ka në menaxhim sulmuesin e Kombëtares. Sipas tyre, ka disa ekipe që kanë shprehur interes për shërbimet e shqiptarit, por për momentin nuk ka asgjë të re që të mund të bëhet publike.
Ndërkohë, shkrimi përfundon me kërkesën e lartë financiare që ka presidenti i Zyrihut.
Vlera prej 9 milionë eurosh që i është bërë kartonit të sulmuesit duket e ekzagjeruar, ndërkohë që të hënën e ardhshme sulmuesi duhet të paraqitet në skuadër për të nisur përgatitjet duke qenë se ka edhe dy vite kontratë.