Roben Une se kam pare turneun por sot shanset jane

Roben: Unë se kam parë turneun, por sot shanset janë

Arjen Roben e ka bojkotuar këtë Europian. Holanda e tij dështoi të kualifikohej dhe për holandezin fluturues nuk ka asnjë interes për ta ndjekur, përveçse ndeshjet e shokëve të tij të Bajernit. Në një intervistë për "Tz", ai tha se gjysmëfinalen e sotme e shikon të ekuilibruar.

Van Persi dhe Roben

Keni nisur përgatitjet me një javë përpara grumbullimit të Bajernit. Si ndiheni?

Ndihem mirë dhe jam i kënaqur. Kjo është ajo që më duhet. Pas finales së Kupës kam nisur të stërvitem përsëri. Objektivi im është që të jem me skuadrën kur të grumbullohet më 11 korrik.

Keni ende probleme?

Probleme jo, por më mungon kondicioni fizik për shkak të mungesës së gjatë pa stërvitje me grupin. Tani duhet të ambientohem. Por këtë do ta bëjmë ngadalë. Faza përgatitore është ende e gjatë dhe duhet të tregohemi të matur.

roben

Çfarë mendoni që tani do të stërviteni nga Karlo Ançeloti?

Nuk e di. Nuk jemi takuar dhe as kemi folur. Nuk kam dëgjuar ende asgjë nga ai. Gjërat pozitive që kam dëgjuar për të janë shumë, por një lojtar duhet t'i përjetojë vetë. Si futbollist, unë jam i kënaqur që do të punoj me një trajner klasi. Në karrierën time unë kam punuar me shumë trajnerë të mirë dhe do ishte një nder dhe uroj që të jetë kështu edhe këtë radhë.

Objektivat janë po ato: ju doni të gjithë titujt e mundshëm?

Ai është gjithnjë qëllimi. Duhet të jemi krenarë që i vendosim këto objektiva. Por objektivat mbeten objektiva. Duhet të punojmë shumë që t'i bëjmë realitet.

Po objektivat tuaja personale cilat janë?

Kam vetëm një: që të mos dëmtohem. Kur jam mirë fizikisht, atëherë unë e di se çfarë rezultatesh mund të jap për skuadrën. Ky është objektivi, që të rigjej edhe një herë ritmin dhe të argëtohem në fushë. Pjesa tjetër vjen vetë.

Roben

E ndiqni Europianin pavarësisht faktit se nuk është Holanda?

Të jem i sinqertë, nuk e kam ndjekur. E kam shfrytëzuar kohën për të qëndruar pranë familjes. Isha disa javë në SHBA me pushime dhe atje njerëzit nuk janë shumë të apasionuar pas futbollit. Megjithatë, i kam ndjekur rezultatet.

Në gjysmëfinale do të takohen Franca dhe Gjermania. Një mendim...

Besoj se do të jetë 50 me 50. Gjermani-Francë do të jetë një ndeshje interesante, ndoshta do të jetë ndeshja e parë që do të shoh. Shpresoj që djemtë t'ia dalin dhe të shkojnë përsëri në finale, por do të jetë e vështirë. Francezët luajnë në shtëpi dhe unë i shoh lehtësisht favoritë. Por gjithçka mund të ndodhë.

Mendoni se kush do të fitojë në Marsejë do të ngrejë edhe titullin?

Kështu do thosha, por ndoshta edhe jo. Sepse ka edhe një skuadër tjetër në finale që e ka merituar ardhjen e saj deri aty dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Por e pranoj gjithsesi se kush do të fitojë gjysmëfinalen e dytë, do të shpallet edhe kampione e Europës.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama