Kjo është intervista juaj e parë televizive, për shqiptarët. Pse i ndruheni prozhektorëve?
Nuk kam shumë dëshirë të dal në dritë, përpiqem t’i shmangem kamerave dhe të bëj punën time, të jetoj jetën time. Është më mirë kështu.
Ndërkohë, unë duke njohur punën tuaj, ndërsa po përgatitesha për këtë intervistë, ndjeva gjithmonë e më shumë kënaqësi që do t’ju takoja. Së pari flasim për albanologjinë. Çfarë do të thotë të jesh albanolog?
Çdo njeri ka interpretimin e vet për albanologjinë por për mua, thelbi i punës sime është të prezantoj shqiptarët, t’i prezantoj Shqipërinë, botën shqiptare, gjithë botës. Unë përpiqem t’i transmetoj botës së jashtme njohuritë që kam për këtë vend, që kjo botë të kuptojë se ç’është Shqipëria, kush janë shqiptarët, historia e tyre, kultura e tyre, pra fazat e ndryshme të jetës këtu. Dhe këtë e bëj që të bëhet e njohur pasi në fund Shqipëria mbetet një vend shumë i panjohur.
Po të jesh përkthyes, çfarë do të thotë?
Të jesh përkthyes do të thotë punë, punë, punë. Është punë shumë e vështirë.
Dhe anonime?
Pjesërisht po, pasi është autori ai që bëhet i njohur kurse përkthyesi jo. Thonë që është një punë kot sepse mundohesh për diçka dhe nuk fiton asgjë por unë them që është edhe kënaqësi. Për mua është kënaqësi.
Ku është kënaqësia, për shembull?
Ndjej kënaqësi kur arrij t’a përkthej në mënyrë të duhur. Është si një llogaritje matematikore. Kur del shuma përfundimtare dhe nuk ke bërë asnjë gabim gjatë rrugës, kënaqesh. Kështu është edhe përkthimi. E shikon një faqe, dhe fillon bën vlerësimin, kjo frazë shkon mirë, kjo duhet ndryshuar etj. e vazhdoj dhe e ripërpunoj derisa në fund të del diçka e përkryer dhe vetë ndjehesh i kënaqur.
Si fillim dua të ndaj me shikuesin arsyen pse ju jeni në Shqipëri këtë herë. Librat që ju do të promovoni kanë fjalorin historik të Shqipërisë dhe Kosovës në shqip dhe anglisht. A mund t’i shpjegojmë shikuesit se çfarë janë këto libra?
Këto libra dolën në anglisht kohët e fundit, është një kolanë librash që përfshin çdo vend të botës dhe mua më ngarkuan me hartimin e një botimi për Shqipërinë. Quhet fjalori historik i Shqipërisë dhe Kosovës por në fund janë më shumë si leksikë, enciklopedi të përgjithshme me të dhëna jo vetëm historike por edhe të kulturës, ekonomisë, gjeografisë etj. Unë fillova me vëllimin e Shqipërisë. Më vunë një kufi që duhej ta bëja këtë vëllim jo më shumë se 250 faqe dhe kur mbarova kisha 500 faqe. Botuesi ishte pak i pakënaqur. Më tha “Nëse ecim kështu, vëllimi i Shqipërisë do të dalë më i madh se vëllimi i Rusisë” megjithatë e pranoi dhe në fakt doli më i madh se ai i Rusisë, kjo enciklopedia e Shqipërisë se vogël.
Por që në fakt në këtë enciklopedi Shqipëria është e madhe. Çfarë përfshin enciklopedia, përfshin data, ngjarje, personazhe?
Po, i përfshin të gjithë. Persona historikë, persona publikë, politikanë por kryesisht janë figura historike të historisë shqiptare, ngjarje etj.
Çesk Zadenë por shoh në këtë libër, Injac Zamputin. Deri ku keni shkuar me ngjarje e përmendje historike?
Kam mbërritur deri në vitin 2010. në fillim të librit kam bërë një kronologji të historisë shqiptare që shkon deri në vitin 2010. Ёshtë njësoj si historia e Shqiptarisë, me data kështu që kush interesohet për historinë e Shqipërisë mund ta gjejë tek ky libër në shqip dhe anglisht.
E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën, pra përmenden ngjarje, vend. Deri në cilin vit?
Prapë deri në vitin 2010. Në fakt ky është botimi i dytë për Fjalorin Historik të Kosovës. Unë isha shumë i gëzuar që botuesi pranoi që të bëhej një libër për Kosovën pasi Kosova, në atë kohë kur bëra vëllimin e parë, nuk ishte shtet, rrjedhimisht nuk kishte flamur dhe problemi ishte se çfarë do përdorej për kopertinën e librit. Tani në vëllimin e dytë, kemi kopertinën me flamurin e ri të Kosovës.
Të gjitha figurat që mendoni se do t’i interesonin një personi që do të informohet për Shqipërinë dhe Kosovën, ju i keni përfshirë në këto libra. Si e ndërmorët ju këtë vepër? Është një vepër e madhe që zakonisht e bëjnë Institute të tëra ose që do duhej ta bënte shteti shqiptar.
Është i madh, kërkon një farë përgatitje pastaj, pjesa tjetër është një punë e rëndomtë, është mbledhja e të dhënave, informim, kujdes nga keqinformimi. Është diçka që arrihet ngadalë ngadalë. Unë në fakt habitem sa i trashë ka dalë por duket që ka shumë gjëra brenda.
Cila është marrëdhënia juaj me shqipen, ditët e para, takimi juaj i parë me gjuhën tonë. Çfarë ndodhi? Si e njohët këtë gjuhë që sot ju bën të bëni libra kaq të mëdhenj?
Mbase është histori e gjatë por e rastësishme. Mbarova studimet në Gjermani, në Universitetin e Bonit. S’kisha lidhje me gjuhën shqipe pasi atje studiova gjuhësinë krahasuese dhe gjuhën kelte, pra gjuhën e Irlandës, Uellsit, Skocisë dhe kur mbarova studimet profesori im, gjuhëtar, mori një ftesë nga Akademia e Shkencave për të vizituar Shqipërinë pasi ai vetë kishte studiuar në Vjenë me një shqiptar, konkretisht me Aleks Budën. Aleks Buda e ftoi profesorin tim në Shqipëri. Në atë kohë Shqipëria ishte një vend i mbyllur, i panjohur dhe ftesa nuk ishte vetëm për të por edhe për studentët e tij. Dhe kështu, jemi nisur për në Shqipëri një grup prej 20 studentësh në vitin 1978. Ishte një gjë e rrallë për ne të hynim në Shqipëri pasi Shqipëria në atë kohë ishte si Korea e Veriut sot, dmth zor të depërtoje.
Si qe të hyje në këtë vend në ’78?
Për mua ishte shumë interesante. Madje kam qeshur me vete se më dukej vetja sikur isha në një film Hollivudian dhe nuk e mora shumë seriozisht anën politike, as tabelat, propagandat.
Ju mendonit se po bëhej shaka, nuk ju dukej e vërtetë?
Jo, por thjesht nuk e mora seriozisht, më tepër me ngjante si film. Por ishte shume interesante.
Ju kujtohet diçka që ju ngacmoi atëherë apo diçka që ju çuditi?
Kishte shumë gjëra, ishte një vend absurd, gjithë vendi ishte absurd por njerëzit e merrnin seriozisht. Nuk e di se deri në çfarë mase i merrnin seriozisht vetë njerëzit por gjithsesi e kuptonin që jetonin në një realitet tjetër.
Ju qëllonte që të takonit shqiptarë që midis tyre flisnin për këtë gjë?
Jo haptazi, jo. Më vonë ky takim që nisi në 1978 u bë takim i përvitshëm midis Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave dhe vinim çdo vit në Shqipëri për 2 javë. Gjatë takimeve dhe udhëtimeve, fillova të interesohesha për shqipen. Nuk e dija fare gjuhën veç fillova, në atë kohë, madje edhe në Gjermani, fillova të mësoja gjuhën më seriozisht.
Ku e mësonit shqipen në Gjermani?
Ishte e vështirë pasi nuk kishte fjalor, kishte doracakë, libra mësimorë. Mbaj mend që gjeta një fjalor frëngjisht-shqip dhe nga ana tjetër shqip-gjermanisht, ndërsa në anglisht nuk kishte fare. E vështirë ishte.
Kur thatë me vete që tani e di shumë mirë shqipen?
Pas shumë viteve. Ndërkohë shkoja çdo vit në Prishtinë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën Shqipe për të mësuar gjuhën. Aty ishte, nga njëra anë më kollaj sepse mund të bisedoja lirisht me njerëzit pasi kosovarët flisnin më lirisht.
Sa e ndryshme ishte Kosova e atyre viteve me Shqipërinë?
Shumë, shumë.
Ju ku ndiheshit më mirë?
Në Kosovë, pasi ishte më perëndimore, më normale. Në Shqipëri nuk kisha mundësi të flisja lirisht me njerëzit. Unë flisja me zyrtarët, të cilët ishin shumë të dashur, mikpritës por prapë ishte një farë frike, që të pengonte të flisje lirisht.
Po tani flitet lirisht në Shqipëri?
Po, qartë. Tani nuk ka problem, njerëzit flasin, madje nuk pushojnë së foluri fare. I thonë të gjitha, nuk mbajnë sekrete.
Shqipëria e Hoxhës krahasuar me Shqipërinë e Berishës që takoni tani, çfarë kanë të ngjashme dhe çfarë kanë të ndryshme?
Unë mendoj se ka disa gjëra të kontinuitetit që nuk kanë ndryshuar, që janë të çuditshme jo vetëm nga koha e Hoxhës por edhe nga koha e Zogut, gjëra që vijnë nga koha osmane, ajo e Zogut, e Hoxhës e deri te e sotshmja. Një nga këto gjëra është korrupsioni burokratik. Kjo është një nga gjërat që gjithmonë ka qenë kështu. Tjetra është paaftësia e administrative, e vendit. Nuk është diçka që varet vetëm nga partia, është më tepër qëndrimi i popullit. Pra, që të marrësh diçka që do, duhet të njohësh dikë në Ministri, të pish kafe me të, pastaj të pish prapë kafe javën tjetër me të, edhe një herë të tretë, e më pas ai të lidh më personin që ty të intereson. Dmth është njësoj si në kohën osmane, nuk është si një shtet normal.
Edhe tani që flasim kështu është si në kohën osmane?
Po, po.
Po në Kosovë, është e ngjashme kjo gjë?
Nuk di, nuk kam patur këto probleme në Kosovë. Natyrisht që Kosova e para 20 viteve është e ndryshme nga Kosova sot por mua më duket se njerëzit janë njësoj, shqiptarët aty apo këtu, me pak ndryshime, në thelb njësoj janë.
Po për të kuptuar gjuhën që flitet në Tiranë dhe gjuhën që flitet në Prishtinë, keni probleme apo është njësoj?
Po, këtë doja të thoja. Unë shkoja në atë seminar të gjuhës shqipe në Prishtinë për të mësuar, pasi aty flisja lirisht, por ata flisnin diçka që për mua nuk ishte shqip. Për një student që mëson gjuhën letrare, që përpiqet të zbulojë të gjithë lakimet e gjuhës, dhe del në rrugë e ballafaqohet me një gjuhë tjetër, është shumë e vështirë dhe unë nuk kuptoja asgjë. Ky ishte një problem shumë i madh dhe më pengonte shumë të mësoja gjuhën sepse nuk i kuptoja njerëzit fare. Kjo ishte në fillim sepse tani i kuptoj madje i kuptoj edhe arbëreshët tani.
Edhe arbëreshët i kuptoni?
Po, tani po, por mbaj mend në Prishtinë, kur isha student, kisha dhomë studenti të cilën e ndaja me një arbëresh nga Kalabria. Nuk e kuptoja fare se çfarë thonte. Ai ishte me mendimin që fliste shqip dhe unë e dëgjoja me vëmendje por nuk e di nëse fliste italisht apo shqip.
Besoj, ju i keni takuar tani arbëreshët, arvanitasit, shqiptarët e Ukrainës, shqiptarët e Bullgarisë, shqiptarët kudo janë. Pra, keni takuar shqipen kudo është. Ka akoma të përbashkëta apo secili flet shqipen e vet?
Është një gjuhë e përbashkët që kuptohet por ka elemente vendore që ndryshojnë dhe shyqyr që janë sepse kjo është pasuria e gjuhës, janë ndryshime. Unë gëzohem shumë për dialektet e shqipes. Kam një projekt në internet me incizime të shqipes dhe çdo herë që udhëtoj, që shkoj nëpër fshatra të ndryshme, marr një mikrofon me vete, si gazetar siç jeni ju, dhe incizoj, kryesisht çobenjtë sepse ato flasin një gjuhë të pastër kudo që janë. Më interesojnë shumë ndryshimet gjuhësore midis vendeve dhe për mua kjo është pasuria më e madhe e gjuhës.
Ndërsa tani flitet për rishikimin e Kongresit Drejtshkrimor të 1972-shit, ju çfarë mendimi keni në këtë përplasje mendimesh?
Mendimi im është që nuk kam një mendim për këtë. Kjo është punë e shqiptarëve që të vendosin për gjuhën e tyre. Kuptoj që zhvillimi historik ka çuar që toskërishtja të sundonte pak më shumë në një kohë kur shumica ishin gegë dhe kjo krijon sot një problem por gjithsesi gjuha standarde ekziston dhe duhet për një komunikim të përbashkët por në fund është puna e shqiptarëve që të vendosin se si ta konkretizojnë këtë gjuhë.
Ama kur kërkuat një fjalor gegënisht-anglisht, i zemëruat shqiptarët!
Po, po. U habita shumë nga kjo gjë sepse e mendoja si diçka normale që të kishte një fjalor dhe nuk kishte. Kjo ndodhi në Kosovë që është më keq se ato janë shumë fanatikë për gjuhën letrare standarde në qarqet intelektuale. U thashë “po pse nuk ka një fjalor të gjuhës që flisni përditë?” dhe ata më thonin “jo, nuk ka, se ne flasim shqip”. Kështu, unë bëra një kërkesë publike pak a shumë dhe kishte reagime interesante për mua.
Nga vendet e ndryshme ku keni incizuar gjuhën shqipe, ku mendoni se është ruajtur më mirë gjuha shqipe, ku flitet më pastër? Personalisht më kanë bërë përshtypje shqiptarët e Ukrainës të cilët flisnin një shqipe të përkryer.
Po, e kam dëgjuar intervistën tuaj që keni bërë në Karakurt të Odesës në Ukrainë. E kam dëgjuar me shumë vëmendje dhe ishte shumë e bukur. Më pëlqeu shumë kur njëri tha “Cari i Rusisë na dha balltë” pra tokë. Përsa i përket pyetjes suaj, mua më intereson shqipja kudo është. Në veri habitem për pasurinë e gjuhës, për dialektet e ndryshme, forma që dallohen shumë nga standardja. Edhe Greqia është shumë interesante, arvanitasit e Shqipërisë së mesme flasin atje një gjuhë shumë të bukur e të vjetër, më duket se dialekti më i vjetër i shqipes është në jug fare, atje nga Peloponezi, Evia, Andros por është një gjuhë që po vdes. Shumica e folësve më të mirë janë mbi moshën 80 vjeçare dhe ata flasin por nuk kanë me kë të flasin. Zbulova një grua në ishullin Andros, një plakë që fliste shqip. Në fillim ngecte sepse nuk kishte me kë të fliste por kur filloi të fliste, e fliste shumë mirë e bukur shqipen. Por ishte e vetmuar sepse nuk kishte me kë të fliste shqip.
Ç’lloj emocioni keni kur takoni njerëz të tillë që janë diku dhe flasin një shqipe që po shuhet?
Bukur është por më trishton që kjo gjuhë po zhduket aty dhe nuk bëhet asgjë për ta ruajtur. Dhe jo vetëm aty, ka edhe zona të tjera ku shqipja dhe dialektet po zhduken.
Çfarë gjuhe është kjo shqipja jonë profesor?
Një gjuhë shumë e përzier. Ka elemente shumë të vjetra por ka shumë ndikim nga gjuhët e tjera. Ka shumë ndikim nga latinishtja, sllavishtja, turqishtja, pak nga greqishtja, pak nga italishtja. Pra, është një lëmsh. Për të punuar në fushën e gjuhësisë historike krahasimtare, shqipja është një tmerr sepse nuk zbulohen dot shtresat e ndryshme të shqipes pasi janë si një lëmsh. Shumë interesante.
Por kur fillon lëmshi dhe ti e kap fillin, është mirë besoj.
Nëse kapet.
Ju e keni kapur fillin e këtij lëmshit tonë?
Jo, fare. As në fushën e gjuhës e as në fushën e kulturës në përgjithësi. Prapë një lëmsh.
Si ishte të takoje Fishtën, profesor?
T’ju them të drejtën ishte një punë shumë e vështirë. Gjuha e tij është e vështirë pasi unë nuk isha mësuar me dialektin e tij dhe kur fillova gjeta shumë vështirësi pasi çdo fjalë më është dashur ta kërkoj në fjalor por në fund, u habita, pasi doli një punë shumë e mirë. Tani u bënë 4-5 vjet që e kam përkthyer dhe kur e lexoj edhe sot Lahutën e Malcisë në anglisht më pëlqen shumë. e di që është një përkthim me cilësi të lartë.
Ju ndodh ndonjëherë të dëgjoni një njeri që reciton Fishtën dhe ndiheni mirë për punën e madhe që keni bërë për një vepër të madhe?
Po, po, dhe jam shumë krenar për përkthimin që kam bërë me Fishtën. Më duket se nga të gjithë librat është një nga librat më themelor të të gjitha botimeve të mia. Ishte një mundim, t’ju them të drejtën, pasi më është dashur një vit e gjysëm për të përkthyer 17 mijë vargje dhe kam luftuar me çdo varg.
Do t’i rekomandonit shqiptarëve që ende nuk e kanë lexuar pse duhet ta lexojnë Fishtën?
Për mua është një vepër shumë interesante, nëse e kuptojnë gjuhën. Tani nuk e di, ndoshta të rinjtë që nuk e dinë gegënishten do e kenë të vështirë për ta kuptuar, është njësoj si tek ne kur lexojnë Shekspirin dhe nxënësit e kanë të vështirë pasi nuk e kuptojnë gjuhën, por prapë them se duhet ta lexojnë. Ndoshta mund të lexojnë edhe përkthimin tim në anglisht. (qesh)
Megjithatë Lahuta e Fishtës erdhi vonë në letërsinë tonë…
T’ju tregoj diçka. Kur udhëtoja me avion, në fillim të viteve ’90, në atë kohë, normalisht nuk kishte shumë udhëtarë që lëviznin drejt Shqipërisë dhe dikush prapa meje tha: “A ka ndonjë ndryshim orari?” dhe një person tjetër prapa tij tha “Po, po, 150 vjet prapa”.
Ky është ndryshimi i orarit të këtij vendi i cili gjërat i ka bërë me vonesë përfshirë edhe Lahutën e Malcisë, përfshirë edhe Pavarësimin, përfshirë edhe komunizmin, përfshirë edhe rrëzimin e tij, edhe tranzicionin.
Dhe hyrjen e Evropë.
Po vonon ende apo jo?
Po, po, por është diçka që bëhet. Unë kam përshtypje se shqiptarët janë të ngadalshëm nga njëra anë por janë shumë të shpejtë në anën tjetër. Kam qeshur një herë kur dikush më tha: “Ne jemi më të shpejtë se bullgarët. Bullgarët janë të ngadalshëm ndërsa ne Shqipërinë e ndërtojmë 5 herë në një kohë që bullgarët e ndërtojnë një herë Bullgarinë por është e vërtetë edhe që e rrëzojmë 5 herë më shpejtë”.
Po shqipja e Migjenit, si ishte profesor?
Gjuhë e bukur dhe nuk ishte kaq e vështirë sa Fishta për t’u përkthyer. Kisha fat që ekzistonin edhe përkthime të tjera me të cilat mund të bëja krahasime. Migjeni është një poet që më ka tronditur. Kur kemi parasysh traditat e letërsisë së rilindjes me një frymëzim kombëtar, atdhetar, fjalë herë bajate të lavdërimeve kombëtare, Migjeni vjen dhe tregon realitetin e vendit. Ai tregon vuajtjen, varfërinë, urinë, keqtrajtimin e njerëzve, pra realitetin e këtij vendi dhe ky vend është një vend me vuajtje.
E keni vene re që është jo aq i lexuar Migjeni në Shqipëri?
Po, ka mundësi. Unë nuk e di me siguri por kam përshtypjen që Migjeni ka qenë lavdëruar në kohën e diktaturës komuniste si poet që kritikonte kohën para çlirimit të Shqipërisë. Ndërsa tani, pas rënies së komunizmit, mbase njerëzit e identifikojnë Migjenin me atë periudhë që është gabim sepse kritika e Migjenit ishte po kaq i vlefshëm për periudhën komuniste.
Po shqipja e Ismail Kadaresë si është profesor?
Kjo për mua është shqipja më e bukur. Unë kënaqem kur lexoj Kadarenë thjesht nga pikëpamja e gjuhës, të lexoj se si i ndërton fjalitë, fjalët që përdor. Është i veçantë dhe që ka ndikuar shumë në ecurinë e gjuhës së shkruar.
Ju ka ndodhur më pas të ndeshni një shqipe dhe të thoni është kaq e bukur sa shqipja e Kadaresë?
Po kam dëgjuar por besoj se ai është kryes në çuarjen e shqipes përpara.
Do duhet të kënaqemi, pra, të krenohemi, të gëzohemi në këto 100 vjet komb që kemi Kadarenë. Sepse kjo bëhet herë pas here, kur bëhesh 100 vjeç shikohesh në pasqyrë dhe shikon çfarë ke prodhuar gjatë këtyre viteve.
Atëherë po ju pyes unë juve si shqiptare, çfarë shikoni pas 100 viteve?
Shumë lavdi, shumë marrëzi, pak nga të gjitha por e mira është që ndonjëherë të shohësh edhe gjërat e mira dhe Kadareja, Migjeni, Fishta hyjnë tek ata. Prandaj edhe është fantastike puna juaj profesor sepse i keni bërë që t’ia tregojmë botës, të ndajmë me të tjerët më të mirën që kemi.
Po, ashtu siç thashë në fillim, puna ime nuk është për të bërë diçka të mirëfilltë, puna ime është për të transmetuar gjërat që ekzistojnë këtu në Shqipëri, botës.
Doja t’ju pyesja diçka, si ë bëni përzgjedhjen e librave, merrni autorë që pëlqeni apo autorë që jeni të detyruar?
Jo, jo, nuk kam asnjë detyrim dhe as interes financiar. Unë në fakt, nuk përkthej shumë letërsi, kohët e fundit jam marrë më shumë me historinë shqiptare por kam rreth 10 vjet që nuk përkthej më. Përpara kam përkthyer poezi, pak prozë por jo tani.
I përmendim pak autorët që keni përkthyer? Shoh që keni përkthyer realisht poetët më të mirë shqiptarë. Ndërsa përgatitesha për intervistën lexova që kishit përkthyer disa vargje të Eqerem Bashës që thonin “shqiptar jam, vij nga vendi i urrejtjes, të kuptohem, nuk insistoj në dashuri” dhe këto vargje shoqëronin pyetjen a duhet përkthyer letërsia shqipe?
Jo në fakt, nuk është pyetje që duhet bërë pasi letërsia shqipe ekziston, duhet të njihet, jo tërësisht pasi është mirë të mos dihen të gjitha por ka libra me vlerë që janë si prezantues të këtij vendi, pra vepra me të cilat ky vend mund të krenohet, kuptohet nëse dalin me sukses.
Ju ndërpreva ndërsa po tregonit për poetët që keni sjellë në anglisht, mund t’i tregojmë për publikun?
Kam përkthyer shumë poetë, mbase 50 apo 80, vepra që i kam bashkuar në një antologji të poezisë shqiptare që doli në anglisht para 2-3 viteve në Amerikë. Besoj që antologjia doli shumë mirë, kur i rilexoj, më pëlqejnë poezitë. Nuk mund të them që çdo poet është i madh por çdo poet kam 1 ose 2 poezi të mira. Në letërsi ka poetë që mund të përkthehen dhe poetë që nuk mund të përkthehen.
Kush është një poet që përkthehet?
Një poet që përkthehet është një poet tregimtar, që tregon, pra narrativ. Ndërsa një poet që varet vetëm nga gjuha, nga bukuria e gjuhës, nga tingëllimi i gjuhës, kuptohet që nuk mund të përkthehet.
Ju do veçonit një poet shqiptar që ju vetë e lexoni jo vetëm për ta përkthyer por edhe për kënaqësi, që ju kënaq, që ju pëlqen?
Ka shumë, por jo një poet i caktuar. Për shembull më pëlqen Lasgush Poradeci.
Lasgushi na pëlqen të gjithëve. Ju besoj e keni përkthyer atë apo jo?
Po, por është shumë i vështirë për t’u përkthyer, nuk është kollaj. Kam përkthyer pak nga veprat e tij. Jam përpjekur të përkthej disa por nuk më dolën mirë dhe kështu i lashë.
Cilat poezi i keni përkthyer Lasgushit?
Dimri, Mëngjesi është një poezi tjetër, një poezi për Shën Naumin. Kam përkthyes disa që më kanë prekur por përkthimi varet shumë nga gjuha dhe Lasgushi është i lidhur shumë me gjuhën dhe për këtë nuk përkthehet kollaj. Kurse Migjeni është krejt tjetër, ai është narrativ, ai të tregon diçka, ai ka një histori, çdo poezi e tij është një tregim.
Po prozën shqiptare, e keni përkthyer? Keni marrë tregime të shkurtra apo pjesë të mira të autorëve? Si e keni sjellë prozën shqiptare në anglisht?
Është diçka e rastësishme, unë kam bërë më pak prozë shqiptare, nuk kam përkthyer shumë, ndoshta kam përkthyer dy romane por jo shumë pasi është një mundim. Nëse një autor ka nevojë për një vit për të shkruar një libër, përkthyesi ka nevojë për një vit për ta përkthyer dhe unë nuk kam një vit për të përkthyer një vepër që mbase as nuk shitet jashtë. Tregu anglisht-folës nuk është shumë i interesuar për letërsitë e vendeve të vogla apo letërsinë në përkthim, nuk ka shumë treg për këtë për fat të keq.
Çështja e tregut është në fakt një pyetje që do doja të bëja. Kadareja për shembull e ka çarë tregun. Çfarë ndodh me të tjerët, pse nuk munden, pse nuk ia dalin, kush e ka fajin gjuha, vendi i vogël apo mungesa e interesit?
Së pari është mungesë përkthyesish, nuk ka shumë përkthyes të letërsisë shqipe ose ka shumë pak. Kjo është pengesa e parë. Pengesa e dytë, unë e di për tregun anglisht-folës, nuk ka shumë interes. Anglishtja është kaq e madhe dhe ka shkrimtarë nga e gjithë bota, nga Anglia, Australia.
Por ka vende të tjera të vogla që ia kanë dalë, janë future në tregun e huaj, janë bërë bestseller-a papritur. Çfarë i mungon Shqipërisë që nuk po çan?
Përkthyes letrarë, pasi nuk ka.
Pra nëse do kishim përkthyes letrarë ato do gjenin botues?
Besoj se po, nëse libri është i mirë, nëse është interesant, nëse përkthimi është i mirë, nuk ka arsye pse të mos ketë sukses. Por këtu nuk ka pasur kurrë një traditë për përkthim të letërsisë shqiptare. Për shembull, vendet e tjera të lindjes që ishin në bllokun komunist, gjithmonë kishin institucionet e tyre, thërrisnin përkthyesit jashtë nga Amerika, Franca, Çekia apo Polonia, i shkollonin në gjuhën e tyre, i ndihmonin, i inkurajonin që të përkthenin veprat e tyre por këtu nuk është bërë me shqipen. Shqipëria nuk ka thirrur kurrë përkthyes të mundshëm të huaj që të vinin ë Shqipëri e të mësonin të përkthenin gjuhën. Dhe kjo ka patur pasojë që sot nuk ka përkthyes.
Pra nëse kemi ndër mend të na hapet një derë do të na duhet një urë, por nuk e ngritëm do mbetemi këtu.
Po, por duhet shumë kohë për të shkolluar një brez përkthyesish që mund të bëjnë këtë punë.
Ndërkohë, ju mbani marrëdhënie me shtetin shqiptar apo gjithçka e bëni në mënyrë personale, individuale dhe prej pasionit?
Punoj në mënyrë individuale.
Pra nuk ndihmoheni nga Institucionet tona, nga Akademia jonë, nuk keni financime? Nuk keni medalje, mirënjohje.
Jo, asnjëra prej këtyre. Jam krejtësisht i pavarur.
E keni pyetur ndonjëherë veten pse e bëni?
Unë e bëj për qejfin tim, për interesin tim.
Ç’qejf të madh ju jep kjo shqipja jonë e përbashkët?
Çdo njeri ka interesa të veçantë, njëri luan golf, tjetri mbledh pulla postare, një tjetër është sportist, njëri merret me letërsi kineze. Ndërsa unë përfundova këtu me shqiptarët.
Mua më pëlqeu shumë një shprehje e juaja që do doja ta ndaja, kur dikush ju pyeti “a mund të ishit ju një shqiptar dhe nëse po, çfarë lloj shqiptari do ishit”. Dhe ju u përgjigjët “unë do të jetoja me shumë frustracion po të isha shqiptar, unë ndoshta do të çmendesha. Nuk kam përshtypjen se do të mund të jetoja në botën shqiptare, jam një njeri pakëz i brishtë dhe duhet të kesh shumë forcë për të jetuar si shqiptar me shqiptarët”.
Po, kjo është e vërtetë. Unë nuk mund të jetoj këtu. Është një vend pak i egër për mua, marrëdhëniet midis njerëzve janë pak të egra. E di që është vetëm një fasadë se brenda e kanë shpirtin e mirë por kanë një egërsi në marrëdhëniet njerëzore. Ju dini të mbroheni këtu, ndërsa unë këtu jam si lepur, nuk di të mbrohem. Unë vij këtu me shumë kënaqësi por nuk besoj se mund ta përballoj të vij të jetoj përgjithmonë këtu. Ka shumë frustracion të jetës së përditshme. Jeta është shumë e shkurtër e unë nuk kam kohë te përplasem në pengesa, vetëm për të arritur diçka, kur në një vend tjetër e arrij menjëherë dhe pastaj jetoj jetën time. E di që ju kaloni shumë kohë në ditën tuaj me pengesat që ju dalin përpara dhe kjo ha shumë kohë. Për shembull, po të jetoja këtu do të kaloja sigurisht gjithë ditën duke pirë kafe sepse do të më lajmëronin njerëzit hajde të pimë kafe dhe nga një kafe gjysëm ore, ajo do të shkonte një orë, dy orë, tre orë, katër orë dhe gjithë dita do të shkonte në kafe. Kurse unë jetoj një jetë pak të veçuar dhe nuk kam shumë shoqëri. Kjo është preference ime, unë jetoj me librat e mi, me idetë, projektet e mia dhe kënaqem me to.
Pastaj po të jetonit këtu do të merreshit shumë me politikë. Do duhej patjetër të ishit me njërën palë ose tjetrën përndryshe do të ishte shumë e vështirë të jetonit si asnjanës apo i paanshëm.
Dhe jeta politike është diçka që ndryshon shumë, duket shumë kujdes me konjukturat. Kështu që unë nuk merrem fare me politikë.
Po letërsia i ka këto problemet e përditshme? Për shembull, letërsia e pas ’90-ës, a është një letërsi që nuk e ka forcën e dramacitetit të jetës së përditshme? Është një art nën nivelin e jetës, një art që nuk e tregon dot jetën.
Ka mundësi, nuk e them dot. Është e vështirë ta thuash.
Ose të pyes ndryshe, juve vetë, letërsinë që lexoni pas ’90-ës, ju pëlqen?
Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë. Herë pas here gjej gjëra interesante por ka një mori librash, them që tregu është mbushur me libra dhe nuk di kush i lexon gjithë këto libra. Kam përshtypjen që ka më shumë autorë sesa lexues. Ka shumë njerëz që duan të shkruajnë, të shprehen por ka shumë pak që dëgjojnë. Mbase është jeta e sotshme shqiptare ku njerëzit më shumë shprehen dhe askush nuk dëgjon.
Në botën e sotme është problem shurdhëria, ka ikur koha kur vetëm verbëria ishte problem.
Po, kështu është.
Edhe diçka profesor, në Kosovë për shembull, diçka që bën përshtypje. Ju keni përkthyer në Gjyqin e Hagës dhe keni treguar se si stresi i përkthimit ju bëri të kalonit ndjeshmërinë e aq shumë gjaku, vdekjeje, vrasje, përdhunimi për të cilat u fol në atë gjyq. Ku janë këto në letërsinë kosovare, i shikoni ju?
Në fakt jo, nuk besoj se ka dalë një vepër e madhe për dramën që ka kaluar Kosova. Mbase duhet kohë, mbase është ende herët, mbase njerëzit janë ende të traumatizuar. Do të vijë edhe ajo kohë. Për mua ishte sigurisht një traumë kur punoja në Hagë si interpret simultan në gjyqin e Millosheviçit, ishte një punë me shumë stres sepse nuk mund të bënim gabime. Gjuha ime transmetohej dhe normalisht njerëzit bëjnë gabime por aty nuk duhej të bënim gabime. Por edhe përmbajtja ishte me shumë stres, gjithë vuajtjet e tyre dhe unë nuk isha mësuar me këto gjëra.
Mendoni se pas asaj lufte njerëzit e njohin Kosovën më shumë?
Gjatë luftës ka qenë, po ka qenë. Unë hartova një antologji të Kosovës në vitin ’87 apo ’90 por nuk gjeta botues, nuk u interesua asnjë botues për temën e Kosovës pasi ishte krejt e panjohur. Nuk kishte asgjë në treg për Kosovën dhe libri im ishte libri i parë i madh për Kosovën, ishte si një libër leximi të autorëve të ndryshëm. Nuk ishte letërsi, ishte më tepër politike dhe historike. Pastaj në vitet ’90 gjatë luftës u botuan qindra e qindra libra në Kosovë. Tani prapë Kosova është pak e harruar.
Po Shqipëria?
Shqipëria nuk është kaq e harruar sa Kosova por prapë është vend i vogël, vend i panjohur dhe nuk ka shumë kërkesa nga botuesit.
Ju i kërkoni vetë botuesit?
Po, por është shumë e vështirë.
Sa libra keni që presin botues, libra të përkthyer?
Kam disa libra që janë gati por që nuk ka botues ose fonde për t’i botuar. Kam një libër leksiku të madh që quhet Fjalori Biografik i Historisë Shqiptare që është si një enciklopedi e historisë shqiptare që ka 750 figura historike, një libër i madh ky. Një libër tjetër po bëj për Çamërinë me dokumenta historike që do të botohet në Londër. Së shpejti, do të botoj veprat e Edith Durhamit, të gjithë artikujt e saj do t’i mbledh në një libër të veçantë. Kam një libër tjetër për Luftën Ballkanike 1913 në Maqedoni me dokumenta historike jo vetëm të shqiptarëve por edhe të sllavëve. Një tjetër vepër e rëndësishme dhe interesante ka qenë Operacioni i Agjencive të Zbulimit Amerikan dhe Anglez në Shqipëri në vitin 1947-1948, në përpjekje për të rrëzuar komunizmin. Agjentët anglezë dhe amerikanë stërvitën një grup shqiptarësh për të hyrë në Shqipëri por të gjitha përpjekjet dështuan për shkak të zbulimit të spiunit anglez Kim Filbi. Unë kam gjetur disa materiale, intervista që janë zhvilluar në atë kohë me njerëzit që kishin lidhje me operacionin. Të gjitha këto do t’i bashkoj në një libër. Por duhen fonde, duhen para.
Duke folur për albanologjinë si një dritare të mbyllur tashmë, pyetjes si i bëhet për ta hapur, me çfarë mund ta hapësh, ju i përgjigjeni me diçka që është ë thjeshtë dhe e lashtë sa vetë bota: “me para”.
Po, e vërtetë, duhet një financim. Vendet e tjera të Evropës bëjnë diçka, japin fonde për të mbështetur kulturën, letërsinë e tyre. Për shembull për përkthimin ka fonde, pothuajse për të gjitha vendet e Evropës përveç Shqipërisë. Të gjitha janë fonde shtetërore që mbështesin promovimin e kulturës së vet. Mbase ka fonde por unë nuk kam dëgjuar të ketë.
Çfarë ndryshimi ka midis albanologjisë së asaj kohe, instituteve të asaj kohe, me ato të sotshmet? Çfarë ju kujtohet kur hynit në një institut shkencor në kohën e Hoxhës dhe tani në kohën e Berishës?
Në kohën e Hoxhës kishte të paktën një fasadë e një shkence të themeluar të vërtetë. Tani nuk e di a ishte e vërtetë por kishte institucione serioze, kishte njerëz që punonin seriozisht në lëndën e albanologjisë. Çfarë kanë arritur realisht është tjetër gjë por kishte fonde shtetërore sepse sistemi ishte shtetëror. Tani me kapitalizmin e egër që keni nuk ka shumë fonde për të mbështetur kulturën, albanologjinë. Shkencëtarët nuk mbështeten.
Po në Kosovë?
E njëjta gjë pak a shumë. Atje ka Institucion të Albanologjisë por nuk është në gjendje shumë të mirë. Ka shkencëtarë të mirë që mundohen por prapë më duket se u mungojnë fondet.
Ju e keni përkthyer profesor Qosen?
Po, patjetër. Një pjesë të librit të tij për çështjen shqiptare.
Si është biblioteka juaj profesor?
Shumë e madhe. Kohët e fundit kam ndërruar shtëpi dhe e kisha problem bibliotekën time, kam mbledhur shumë libra në vitet ’80-’90. Çdo herë që vija në Shqipëri merrja me vete një çantë të madhe me vete. Edhe në Kosovë të njëjtën gjë. Kështu që kam një bibliotekë të madhe edhe për letërsinë shqiptare por edhe për albanologjinë në përgjithësi. Unë nuk e di sa libra janë por di, nga transportimi i bibliotekës tek shtëpia e re, që pesha e tyre është 2 ton e gjysmë. Është pesha e në elefanti.
Shqipja jonë peshon sa një elefant në bibliotekën tuaj?
Dhe sinqerisht nuk kam më vend për libra, nuk i flak dot dhe nuk di tani ç’të bëj me këto libra. Më tmerrojnë librat kur futem në bibliotekën time dhe mbase bëra gabim që i mblodha të gjitha këto.
Sa vjen e merrni më pak libra nga Shqipëria tani?
Po, tani jam shumë përzgjedhës, jam shumë i kujdesshëm. Një bibliotekë e madhe është një përgjegjësi e madhe.
Më treguat që librin e Helena Kadaresë, e morët. E lexuat, në shqip apo frëngjisht?
Kujtimet e saj i kam lexuar në frëngjisht kur doli në Paris, ishte një libër shumë i bukur. Më duket se do ketë shumë sukses në tregun francez. Nuk e di si është pritur në Shqipëri.
Është pritur shumë, shumë mirë.
E meriton, për mua ishte një libër shumë interesant.
A është problem në jetën e këtyre 20 viteve mungesa e të vërtetës, ose fakti i të qenit shumë hipokrit të njerëzve të cilët nuk flasin, nuk e tregojnë atë që duhet të thonë. A është ky problem edhe për letërsinë?
Po, besoj se letërsia është një pasqyrë e realitetit të vendit. Duke qenë se njerëzit kanë pak frikë nga njeri-tjetri, keqpërdoren kollaj nga njeri-tjetri, janë më të rezervuar këtu në Shqipëri se në vendet e tjera. Në vendet e tjera njerëzit janë më të hapur, më direkt, kështu çdo njeri mendohet mirë para se të flasë, duke menduar se çfarë do të bëjë tjetri me këtë informacion, si do ta keqpërdorë, janë të kujdesshëm. Edhe në letërsi mund të jetë e njëjta gjë, njerëzit nuk janë kaq të sinqertë dhe një letërsi e mirë duhet të jetë e sinqertë. Mbase kjo është që e pengon letërsinë dhe marrëdhëniet njerëzore, mungesa e sinqeritetit. Nëse dikush është i sinqertë, shahet nga të gjithë. Nëse dikush arrin diçka të madhe, shahet.
Por këtë vit ne bëhemi 100 vjeç, vitin tjetër hyjmë në 100 vjetorin tjetër. Ju na njihni mirë tashmë, flisni shqipen si ne, e doni këtë gjuhë, e studioni, e vëzhgoni. Ka diçka që do donit të ndryshonte kur të hyjmë në 100 vjetorin tjetër, diçka që vjen si urim, si kritikë, si mesazh?
Për të ndryshuar ka mijëra gjëra në këtë vend, pothuajse çdo gjë. Unë them se Shqipëria 100 vjet është një kohë e gjatë dhe me thënë të drejtën habitem si ky vend ka mbijetuar si shtet. Ishte një shtet kaq i brishtë jo vetëm në fillim, në kohën e Ismail Qemalit, erdhi Lufta e parë, u rrëzua shteti, u rikrijua prapë më Kongresin e Lushnjes, erdhi diktatura e Ahmet Zogut. Nuk ishte një shtet normal. U bë ngadalë ngadalë një shtet në vitet ’30. Pastaj erdhën italianët, u rrëzua. Pastaj erdhën komunistët. Erdhi pastaj demokracia por me një kaos politik e një egërsi që e pengonte zhvillimin dhe Shqipëria zhvillohet shumë me hap të ngadalshëm por gjithsesi zhvillohet dhe besoj do vazhdojë të zhvillohet. Por gjithsesi habitem si ka mbijetuar si shtet.
Ka gjëra që do na ndihmonin t’ia themi vetes tani që jemi 100 vjeç për t’u bërë më shpejt qytetar të Evropës.
Do doja të thoja diçka. Përpara se të bëheni qytetarë të Evropës do të doja që shqiptarët të bëhen shqiptarë në kuptimin kulturor, të jenë përfshirës, jo të ndarë. Konkretisht flas për ndarjen midis Shqipërisë dhe Kosovës që shihen si dy popuj, si dy shtete, si dy identitete. Mirë do ishte që njerëzit të komunikonin më shumë me njeri-tjetrin. Kërkon kohë, për fat të keq, që ky bashkim të bëhet. Mbase nuk ka nevojë për një bashkim politik por sigurisht që ka nevojë për një bashkim kulturor. Dhe me këtë bashkim kulturor me 6 milionë shqiptarë apo më shumë, shqiptarët mund të bëhen qytetarë të Evropës.
Pra vetëm bashkimi kulturor, komunikimi, krijimi i urave me shqiptarët e Preshevës, me shqiptarët e Maqedonisë, me shqiptarët e Greqisë, me arbëreshët do të mund të na bënte qytetarë dhe mund të na jepte ato që na mungojnë.
Një komunitet gjuhësor i madh gjithmonë ka përparësi dhe komuniteti shqiptar gjuhësor nuk është kaq i vogël. Po të shohim Shqipëria është vetëm 3 milionë, Kosova vend i vogël, shqiptarët e Greqisë nuk e di sa janë, mbase gjysmë milioni, por po të bashkohen si komunitet gjuhësor në tërësi është një komunitet i madh.
Ky është një nga urimet më të mira që mund të vij kur bën bilancin e 100 viteve.
Unë shpresoj, unë dua që Shqipëria të bëhet pjesë e Evropës si gjithë shtetet e tjera, jo vetëm të hyjë në BE, kjo është një mundësi, por të marrë pjesë në Evropë si gjithë shtetet e tjera. Dhe Shqipëria është prapa, realisht është prapa në çdo drejtim. Ka shumë për të bërë por besoj që do të bëhet dhe gjatë jetës sonë do të shohim një Shqipëri, them një Shqipëri normale.
E mbyllim këtë bisede me urimin për një Shqipëri normale!