Robert Ndrenika kumbar i festivalit

Robert Ndrenika, kumbar i festivalit
Robert Ndrenika është President Nderi i Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar. Asgjë që e vë para ndonjë përgjegjësie apo detyre konkrete. Një president nderi e jep imazhin e tij për një ngjarje kulturore e cila edhe do mund t’ia turpëronte kot së koti kontributin në vite një individi. Kështu që urojmë që festivali të jetë sadopak në nivelin e karrierës së aktorit Robert Ndrenika.

Emri i tij lidhet drejtpërdrejtë me festivalin në dy momente, me dy prodhime. I pari është “Nëntori i Dytë” që shfaqet i restauruar më 3 nëntor, natën e ceremonisë së festivalit. Dhe këtu Ndrenika, në një bisedë me “Shekullin” përmes telefonit, bën një koment për kinemanë historike e prodhuar nga ish-Kinostudio. I dyti është “Ne dhe Lenini” ku i shfaqet në rolin e një fanatiku komunist me jetë private të ndërlikuar. Mirëpo kinemaja e sotme nuk e ka gërvishtur akoma imazhin e aktorit për të përfituar karaktere fatlume.


Sapo mësuam që QKK ju ka shpallur President Nderi i Festivalit të 13-të.

Nuk i thosha dot jo Minarollit.

Është shenjë e veçantë për ju shfaqja e versionit të restauruar të “Nëntorit të dytë” ku ju keni një rol?

Është gjë shumë e mirë shfaqja e “Nëntorit të Dytë”. Nuk flas për të vërtetat historike dhe as për vlerat artistike. Por si film historik ai tregon se ç’do të thotë të bësh, nga ana organizative e administrative, film të tillë.  Siç ishte e vështirë të bënim filma si “Skënderbeu” në atë kohë, është sot e kësaj dite e vështirë të bëjmë filma si “Nëntori i Dytë”.
Edhe artistikisht më duket një film i goditur, një maratonë që fillon nga Durrësi e konkretizohet me ngritjen e flamurit në Vlorë. Në këtë maratonë shpërfaqet në njëfarë mënyre Shqipëria e asaj kohe.

Dhe të vërtetat historike? Sa objektive, patetike apo e shtirur është kinemaja shqiptare në raport historinë?

Padyshim që janë të gjitha këto që përmendët. Ishte një kohë që nuk iu shmangeshe dot. Kam frikë se edhe sot po të bëhen filma historikë, rrezik të bëhen gabime të asaj natyre që janë bërë dikur.

Në konkurrim është “Ne dhe Lenini” ku shfaqeni me një rol që s’e keni gjetur dhe aq veten.

E kam gjetur s’e kam gjetur, mendoj që është një personazh që e tërheqin pasojat e së kaluarës nën komunizëm dhe nuk përshtatet kollaj me post-komunizmin.

Me të njëjtin regjisor, Saimir Kumbaro keni punuar në tjetër kohë për “Koncert në vitin ‘36”. Çfarë ndryshoi te këta regjisorë që u përpoqën të krijojnë në dy kohë, ideologjikisht të ndryshme?

Për mua ky film i reziston kohës. Nuk po flas për figurën e Tefta Tashkos, por për natyrën e burokracisë dhe sorollatjet në administratën shtetërore. Kumbaro e ka kaluar  mirë, aq sa ka mundur, edhe tehun e censurës. Kështu që them se “Koncert në vitin ‘36” mbetet filmi më i mirë i Saimirit, dhe ndoshta një nga më të mirët e kinemasë shqiptare. Them që shihet me ëndje.

Festivali ju takon pas shumë vitesh dhe me Muharrem Fejzon, kryetar i jurisë. Juve ju lidh “Mësonjëtorja” dhe rolin e të vobektit ju e mbani për më të mirin e karrierës suaj.
Ka njerëz të thjeshtë e “të rëndomtë” që shpeshherë fati i katandis në një gjendje si personazhi im. Por dua të them që mua në përgjithësi njeriu me pëlqen, njeriu me gjithë qenien e tij.

Panorama e festivalit paraqet filma por edhe mundësitë e pamundësitë që ka shprehur kinemaja jonë në këto gjashtë vjet, për të cilat shpesh përgjegjësia iu ngarkohet  buxheteve e pengesave që s’kanë të bëjnë direkt me kinemanë, me krijimtarinë. Çfarë doni të gjeni tek filmi më i mirë shqiptar që shpall kjo ngjarje?

Dikur thoshin nuk na lënë të shkruajmë pa dimë ne si të shkruajmë. Edhe tashti që mund të shkruash, prapëseprapë çalon puna. Kinemaja është çështje buxhetesh por së pari është çështje talenti... edhe guximi. Dhe Shqipëria, e Ballkani në përgjithësi, kanë tema të pambarimta. Filmat e gjashtë viteve mbase nuk i kam parë të gjithë, nuk jam i sigurt. Te filmi më i mirë dua të shoh atë për të cilën flitet pak, cilësinë artistike.

Festivali është inkuadruar në aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë. Nuk ju duket jubile i zhurmshëm ky?

Bëhet mirë që bëhet ky festival që të ketë sa më shumë vëmendje e ndjeshmëri sepse më duket se s’para e çajnë kokën për filmin e për artin. Në qoftë se flitet për flamur kuq e zi e për çështje kombëtare, shkolla, arti e kultura janë ato që duhet të marrin përparësi, sepse këto çojnë drejt asaj që e quajmë “nevoja për të rregulluar njeriun”. Do thuash ti që s’ka fund përsosja e shpirtit njerëzor. Por prapëseprapë puna duhet të jetë e vazhdueshme dhe këtë gjë mund ta bëjnë më mirë se kushdo tjetër, shkolla, arti dhe kultura dhe më pak ndoshta politika.

U bë shteti shqiptar, gjë e mirë shumë. Por sot e kësaj dite shikojmë që punët kanë ecur në drejtimin që kush do të hajë më tepër, kush do të gllabërojë më shumë. Prandaj jam dakord me Faik Konicën që thotë se e keqja na vjen nga vetja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama