Robert Ndrenika probleme me zemren Tartufi shtyhet per ne maj

Robert Ndrenika probleme me zemren, Tartufi shtyhet per ne maj

Ditën e dielë, aktori 73-vjeçar Robert Ndrenika ka pasur disa komplikacione shëndetësore, ndërsa mjekët janë shprehur se duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetësore ka bërë që komedia “Tartufi” ta shtyjë premierën për në maj

 

Ditët e janarit e gjetën mbi skenën e Teatrit Kombëtar, ku bashkë me trupën e aktorëve kishin nisur provat intensive për premierën e komedisë “Tartufi”. Do të luante rolin e Orgonit të Molierit, duke u gjendur sërish përkrah aktorit Viktor Zhusti, me të cilin ishte shfaqur së fundi për publikun në komedinë “Djemtë gazmorë”. Por një problem me zemrën e ka detyruar Artistin e Popullit të mos jetë më pjesë e trupës së aktorëve, ku spikat rikthimi i kastës së vjetër shumë të dashur nga publiku si Justina Aliaj, Rajmonda Bulku, Vangjel Toçe e Mehdi Malkaj.

Pas shqetësimeve që ka ndjerë ditët e fundit, Ndrenika i është drejtuar me këmbët e tij shërbimit të urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm. Ai po ndiqet nga shefi i Kardiologjisë në QSUT, Artan Godo dhe mjekët kanë vlerësuar se aktori i madh duhet të kryejë një ndërhyrje “bypass” në zemër. Premiera e “Tartufit” e menduar për datën 16 janar, është lajmëruar se do të shtyhet për në muajin maj. Në një njoftim, Teatri Kombëtar ka sqaruar se ky është një spostim i detyruar për shkak të gjendjes shëndetësore të aktorit të mirënjohur Robert Ndrenika, por nuk ka sqaruar nëse kjo kohë është lënë për rikuperimin e aktorit apo regjisori Erion Kame do të gjejë aktorin për të zëvendësuar Ndrenikën në rolin e Orgonit. Shfaqja e pritur prej 20 vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar- kaq ka kaluar nga hera e fundit kur kryevepra e Molierit është vënë në Shqipëri – do të zëvendësohet në ditët e Kalendarit Teatral nga shfaqja “Shtëpia pa dritare”, e cila do të vihet në skenë në datat 17 dhe 18 janar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama