Në mbasditen e ditës së pestë, një pirogë, që ndaloi te bregu, tregonte se kishim arritur. Një korije me drurë të rrallë e të përshtatshme për fushim. Fshati indian ndodhej rreth një kilometër në brendësi të vendit: një kopsht rreth njëqind metra, në anën e tij më të gjatë, zinte një ugar në formë vezake, ku ngriheshin tri kasolle kolektive në formë gjysmësfere, mbi të cilat drushta zgjatej si një direk anieje.
Të dyja kasollet kryesore ishin vendosur përballë njëra-tjetrës, në pjesën më të gjerë të ugarit dhe kufizonin një truall të rrahur, që ishte vendi ku luheshin vallet. Kasollja e tretë ndodhej në cepin që lidhej me sheshin, me një shteg që përshkonte kopshtin.
Popullsia përbëhej nga njëzet e pesë vetë dhe një djalosh rreth dymbëdhjetë vjeçar, që fliste një gjuhë tjetër, i cili e mora me mend se ishte rob lufte, por trajtohej njësoj si fëmijët e fisit.
Veshja e burrave dhe grave ishte aq e pakët sa edhe ajo e nambikwarave, veçse burrat kishin një qeskë në formë konike për organin seksual, që ishte e njëjtë me atë të bororove, dhe, përdorimi i xhufkës prej kashte përmbi pjesët seksuale që e njihnin edhe nambikwarat, këtu ishte më i përgjithësuar.
Burrat dhe gratë mbanin në buzët e tyre shkopinj të hollë prej rëshire të forcuar që kishte marrë pamjen e qelibarit si edhe varëse prej disqesh dhe pllakash të vogla sedefi të shkëlqyer ose edhe prej guaskash të plota të shndritshme. Kyçet e duarve, bicepset, pulpët e nyjet e këmbëve i kishin shtrënguar me rriponja të pambukta.
Më në fund, gratë e kishin septumin e hundës të shpuar për të kaluar nëpër të një fibër disi të fortë, në të cilën qenë përshkuar disqe të vegjël, një i bardhë dhe një i zi, e kështu me radhë. Pamja fizike ishte shumë e ndryshme nga ajo e nambikwarave: trupa shulakë, këmbë të shkurtëra dhe lëkurë shumë e çelur.
Kjo së bashku me tiparet e dobëta mongolite, kontribuonte për t'iu dhënë disa indigjenëve një pamje kaukaziane. Indianët i shkulnin qimet me një kujdes të tepruar: qepallat më dorë, vetullat me dyllë, të cilin e linin të forcohej mbi to për disa ditë, para se t'i hiqnin. Flokët, në pjesën e përparme, i prisnin (ose më saktë i digjnin) në formë të rrumbullakosur, për të lënë të lirë ballin.
Tëmthat pastroheshin me një mënyrë që nuk e kam ndeshur gjetiu, duke bërë të rrëshqasin qimet mbi një fill peri, që përdridhej shumë rreth vetes. Njëri skaj i perit kapet me dhëmbë dhe me një gisht të dorës i bëhet një dredhë, duke i dhënë një kthesë, që mbahet e hapur sa të futen qimet në të, ndërsa me dorën tjetër filli vazhdon të përdridhet gjithnjë e më shtrënguar, duke i shkulur qimet.
Këta indianë që e quanin veten Mundé, nuk ishin përmendur ndonjëherë në letërsinë etnografike. Ata flisnin një gjuhë gazmore ku fjalët mbaronin me rrokje të theksuara: zip, zep, pep, zet, tap, kat, që e nënvizonin bisedën e tyre si goditje cimbali.
Kjo gjuhë u ngjet dialekteve të Xingut të poshtëm, që sot janë zhdukur, dhe dialekteve të tjera, që janë mbledhur kohët e fundit në degët e bregut të djathtë të Guapores, dhe Mundét janë shumë afër me burimet e tyre.
Sa di unë, askush nuk i ka parë më Mundét që nga koha e vizitës sime, me përjashtim të një gruaje misionare që ka takuar disa prej tyre, pak para vitit 1950, në Guaporen e sipërme, ku ishin strehuar tri familje.
Unë kalova tek ata një javë të këndshme, sepse rrallë më ka ndodhur që mikpritësit të tregohen kaq të thjeshtë, kaq të duruar dhe kaq të përzemërt. Ata më çonin të sodisja kopshtet e tyre ku rritej misri, manioka, patatja e ëmbël, arakida, duhani, kungulli dhe lloje të ndryshme bathësh e fasulesh.
Kur hapnin tokë të re, ata i respektonin rrënjët e palmave, ku rriten e shtohen larva të mëdha, të bardha, që u pëlqejnë shumë; kopshte të çuditshme, ku bujqësia dhe blegtoria përzjehen...
Unë e kaloja atje ditën ulur në një nga ata stola të ulët druri, që përdorin indigjenët, të bërë na një gjysmë trungu të gërryer palme, të vendosur përmbys. Hanim kokrra misri të pjekur mbi një pllakë balte dhe pinim chicha misri - që është një pije midis birrës dhe supës - me kunguj uji të nxirë së brendshmi me një bojë qymyri dhe të zbukuruar në faqen e jashtme me vija zigzake, rrathë dhe poligonë, të bëra me incizim ose me pirogravurë.
Edhe pa e njohur gjuhën, e pa pasur ndonjë përkthyes, mund të provoja të hyja në disa aspekte të mendimit dh të shoqërisë indigjene: përbërja e grupit, marrëdhëniet dhe nomenklatura e lidhjeve farefisnore, emrat e pjesëve të trupit, fjalori i ngjyrave, sipas një shkalle, nga e cila nuk do të ndahen kurrë.
Termat e farefisnisë, ato që tregojnë pjesët e trupit, ngjyrat dhe format (duke përfshirë edhe ato të incizuarat mbi kungujt e ujit) kanë shpesh cilësi të përbashkëta, që i vendosin midis fjalorit dhe gramatikës: çdo grup formon një sistem dhe mënyra me të cilën gjuhët e ndryshme zgjedhin si t'i ndajnë ose t'i përziejnë marrëdhëniet që shprehen në to, lejon të ngrihen disa hipoteza, kur është fjala për të vënë në dukje në këtë raport, karakteret dalluese të kësaj apo asaj shoqërie.
E megjithatë, kjo aventurë e filluar me entuziazëm, po më linte përshtypjen e një zbrazëtie.Kisha dashur të shkoja deri në pikën më skajore të jetës primitive; pse nuk isha i kënaqur tek këta indigjenë dashamirë, që askush nuk i kishte parë para meje dhe, ndoshta, nuk do t'i shihte më mbas meje? Në fund të një udhëtimi ekzaltues i kisha gjetur të egrit e mi. Por, për fat të keq, ata ishin tepër të egër.
Ekzistenca e tyre nuk m'u zbulua veçse në çastin e fundit dhe nuk munda t'iu kushtoj kohën e domosdoshme për t'i njohur. Mjetet e kufizuara që kisha, rraskapitja fizike në të cilën ndodheshim unë dhe shokët e mi - të cilën ethet që vinë pas shirave do ta rëndonin edhe më shumë - nuk më lejonin veçse vrojtime të sipërfaqshme, në vend të disa muajve studim.
Ata ishin atje, gati të më tregonin zakonet dhe besimet e tyre, dhe unë nuk ua dija gjuhën. Ata ishin aq afër meje, sa figura në një pasqyrë, mund t'i prekja por s'mund t'i kuptoja. Po merrja njëkohësish shpërblimin dhe dënimin tim. Mos ishte faji im dhe i profesionit tim që besoja se njerëzit nuk janë gjithnjë njerëz?
Se disa meritojnë më shumë interesim dhe vëmendje, për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre, dhe se zakonet e tyre të habisnin? Sikur të arrija vetëm t'i zbërtheja e ata të zhvisheshin nga çdo gjë e çuditshme, fare mirë mund të qëndroja në fshatin tim.
Ose si në këtë rast, ata nuk do të zbërtheheshin dhe atëherë ajo çka kishin të çuditshme nuk më shërbente për asgjë, sepse nuk isha i zoti të kapja atë që e bënte të tillë. Midis këtyre dy skajeve, cilët raste ekuivoke na sjellin justifikimet nga të cilat ne jetojmë?
Nga ky shqetësim i shkaktuar tek lexuesit tanë nga vrojtimet - të shtyra aq thellë sa të bëhen të kuptueshme megjithatë të ndërprera në mes të rrugës, sepse na zbulojnë njerëz të ngjashëm me ata për të cilët këto zakone janë normale - kush është në fund të fundit mashtrimi i vërtetë?
Lexuesi që beson tek ne apo ne vetë, që nuk kemi asnjë të drejtë të jemi të kënaqur, para se të arrijmë të zgjidhim atë mbeturinë, që përbën një shkak për kotësinë tonë?
Atëherë, le të flasë kjo tokë, meqë nuk flasin njerëzit. Përveç respektit dhe admirimit, që më bënë për vete gjatë këtij lumi, tani le të më përgjigjet toka dhe të më shpalosë formulën e virgjërisë së saj. Ku shtrihet ajo, prapa këtyre pamjeve të ngatërruara, që janë gjithçka e që nuk janë asgjë? Po zgjedh disa pamje dhe po i veçoj: është kjo pemë apo kjo lule?
Ato mund të ndodheshin edhe gjetiu. A mos është po ashtu një gënjeshtër gjithë kjo që më ngre peshë, dhe çdo pjesë e së cilës e marrë veças humbet? Në qoftë se dua ta pranoj për reale, dua, të paktën, ta kap plotësisht deri në elementin e fundit të saj...
Nga : Gazeta Shekulli