Me titull “Ja si torturuan 14 nëpunës burgu deri në vdekje Karelin”, faqja elektronike e gazetës “To Vima” publikon një pjesë të dosjes hetimore të rojeve të burgut, që duket se janë autorët e vdekjes së tij.
Bëhet fjalë për dëshmitë e dhëna nga disa prej gardianëve, tek agjentët e hetimit të brendshëm të policisë greke, dhe jo për deklaratat e tyre në hetuesi.
Në këto dëshmi përshkruhen hollësitë tronditëse të skenave të torturave dhe emrat e të gjithë gardianëve, që ndodheshin atë ditë në burgun e Nigritës, përveç njërit, si dhe të rojeve të jashtme të këtij institucioni për të burgosurit e krimeve të rënda.
Sipas artikullit, të gjithë e kanë qëlluar 42-vjeçarin shqiptar, në të gjitha pjesët e trupit, por dy prej rojeve e gjuanin me tërbim të madh. Njëri prej tyre, madje, ishte edhe personi që i dha goditjen me bërryl në gjoks, e cila thuhet se i ka shkaktuar edhe vdekjen.
Tekstualisht, në një fragment të dosjes shkruhet “Dikush nga të 14-tët që gjuanin Karelin thirri: Ndaloni, do ta vrasim. Por asnjëri nuk e dëgjonte. Edhe ai që thirri, pas pak e qëlloi me shkelm. Në një moment, drejtori i burgut, që dëgjoi britmat e të burgosurit shqiptar, hyri në dhomë dhe pasi pa gjendjen e tij iu drejtua gardianëve duke u thënë ‘kush do që ta gjuajë, ta bëjë tani dhe të marrë përsipër përgjegjësinë, pasi nëse vdes do të humbasim shtëpitë tona’. Më pas, rojet e burgut kanë thirrur një të burgosur tjetër, i cili ka pastruar dhomën nga gjaku. Nuk ishin të shqetësuar, sepse kishin planifikuar ta çonin të nesërmen Karelin te mjeku, përveç njerit, i cili me shqetësim të madh ka shkuar menjëherë te salla e kamerave, duke e vëzhguar vazhdimisht Karelin në qelinë e tij, pasi kishte frikë se mos vdiste”.
Në vazhdim të dëshmive thuhet se drejtori i burgut, kur është marrë në dorëzim Kareli prej policëve, i ka ardhur keq për të dhe ka vendosur ta çojë në një qeli të mbikqyrur prej kamerave, për ta ruajtur nga sulmet e mundshme të rojeve, dhe ka urdhëruar një prej rojeve të jashtëm të përgatisë qelinë.
Ky i fundit, pasi ka zbatuar urdhrin, ka hyrë në dhomën ku torturonin 42-vjeçarin shqiptar dhe, pasi e ka qëlluar disa herë, ka urdhëruar t’i sjellin një peshqir të madh të lidhur nyje dhe ka filluar ta gjuajë me të në të gjithë trupin.
10 ditë pas vdekjes në burg të Ilia Karelit, tetë prej gardianëve kanë marrë afat të dëshmojnë në Hetuesi ditën e martë, kurse gjashtë të tjerët dhe drejtori priten të thirren për të deponuar në ditët në vazhdim.