Roku i burgjeve anti-terrorizem
- Botuar: 16 vite më parë
- Shkruar nga:
Por, këto janë vetëm dy. Shumë suksese të tjera nga roku te popi, nga hevi-metal te repi janë bërë tashmë pjesë e pandarë e "hit parade"-s së torturave. E, në fakt, këto janë këngët që dëgjohen gjatë gjithë ditës me volumin në maksimum dhe bokse gjigante në burgjet amerikane, në Guantanamo, Irak dhe Afganistan. Por, tani artistët e këtij klasifikimi nuk janë më dakord, madje kanë deklaruar se do të zhvillojnë një protestë ndërkombëtare për të penguar qeverinë e SHBA-së të përdorë muzikën e tyre për t‘i bërë njerëzit të flasin dhe më shpesh me rezultatin për t‘i çuar drejt çmendjes të burgosurit e akuzuar për terrorizëm.
Në ditëlindjen e 60-të të Deklaratë Universale të të Drejtave të Njeriut, një grup këngëtarësh, kryesisht amerikanë dhe britanikë, kanë firmosur një peticion, ku i kërkojnë Uashingtonit ta ndërpresë menjëherë këtë formë torture. "Është një lloj ‘e drejte autori‘ morale për t‘i kërkuar Bushit e Shtëpisë së Bardhë dhe më vonë edhe Obamës (që do të marrë detyrën më 20 janar e që ka deklaruar se ka ndërmend të mbyllë Guantanamon) se nuk mund të përdorin fjalët tona, ritmet tona për qëllime torturimi", thonë ata. Lista e firmëtarëve është hapur nga Springstin dhe përfshin: "Massive Attak", Elbou, Tom Morelon i "Range against Machine", Xhejms Lejvëll i "Unkle", Metju Herbert i "Magic Numberes" Billi Bailejn dhe të tjerë. Por, ajo mund të zgjatet me emra këngëtarësh të tjerë dhe grupe, muzika e të cilëve përdoret vazhdimisht si mjet dhune në burgje, mes të cilëve mund të përmendim: "Aerosmith", Britni Spirs, Kristina Aguilera, Lil‘Kim, "Limp Bizkit", "Mit Loaf", "Red Hot Chili Pepper" dhe Tupak Shakur. Zakonisht të burgosurit pëlqejnë muzikën metal, ritmi i të cilës përshtatet më mirë me qëllimet e tyre, por shpesh zgjedhin edhe motive klasike.
Fushata e quajtur "ZerodB" është sponsorizuar nga "Reprieve", shoqata britanike për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, që mbron më shumë se 30 të burgosur të Guantanamos, shumë prej të cilëve, ashtu si mjaft të tjerë të mbajtur të burgosur në vende sekrete, sa herë që kanë mundur të komunikojnë me avokatë apo familjarë, kanë treguar se si përndiqeshin nga muzika e lartë shurdhuese, ndonjëherë ditën dhe natë, në përpjekjen për t‘i bërë të dorëzoheshin e të tregonin se ishin bashkëpunëtorë të terrorizmit dhe rrjetit Al-Kaeda. Biniam Mohamed, një prej qytetarëve britanikë të burgosur në Guantanamo, që më parë mbahej në një burg sekret në Marok, ka treguar kohët e fundit se muzika e vazhdueshme me zë të lartë e bënte që të humbiste arsyen, duke e çuar drejt çmendjes. "Më bombardonin me ‘Slim Shady‘ të Eminemit dhe Doktor Dri për nja 20 ditë me radhë ditë e natë.
Shumë shokë të mi të burgosur u çmendën. Dëgjoja se si shokët e qelive ngjitur përplasnin kokën në mur, duke bërtitur si të çmendur dhe duke u përgjëruar që të mos e dëgjonin më atë muzikë. Për më tepër në ato kushte nuk mund të flije", i pati deklaruar ai avokatit Kliv Smith. Disa të burgosur kanë deklaruar se muzika me volum të lartë është më e keqe se teknika famëkeqe e "Water boerding", ku i burgosuri i nënshtrohet një lloj "mbytjeje" në ujë për të rrëfyer. OKB-ja dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e kanë hequr prej kohësh këtë teknikë si sistem për t‘i bërë të burgosurit të flasin. Por, CIA dhe të tjera njësi speciale amerikane e kanë përdorur shumë shpesh, sepse ka një avantazh ndaj të gjitha formave të tjera të torturës, nuk lë asnjë gjurmë në trup. Ideja për ta shndërruar muzikën në një armë të fortë për të arritur tek e vërteta lindi rreth njëzet vjet më parë.
Në atë kohë forcat amerikane përdorën këngë të grupit "Guns N‘Roses" dhe Elvis Preslit, me zërin në maksimum për të bindur diktatorin Manuel Noriega të dorëzohej, pasi kishte pushtuar Panamanë. Ndoshta frymëzimi për këtë teknikë ka lindur nga kinemaja: nga skena e famshme e filmit "Apocalupse Now" të regjisorit Francis Kopola, ku personazhi kryesor i interpretuar nga Robert Duvall, në krye të komandës së një batalioni helikopterësh, hap me zë të lartë një këngë të Vagnerit gjatë një sulmi në një fshat vietnamez, duke thënë se kështu frikësonte ushtarët vietnamezë dhe u jepte kurajë ushtarëve të tij. "Përfytyrojmë një të burgosur në një dhomë të errët, i pamundur të lëvizë, me pranga në duar, një thes në kokë dhe muzikë me volumin në maksimum", thotë këngëtari Devid Grej, një nga nismëtarët e protestës.
"Pa diskutim që është torturë. Nuk ka rëndësi se çfarë muzike është, Çajkovski, apo kolona zanore e ndonjë filmi me kartonë. Në Guantanamo, në fakt, janë përdorur të gjitha, mes të cilave dhe "Selame stree" që mund të të çmendë. Por jo të gjithë këngëtarët protestojnë. Stiv Benton i "Drowning Pool", këngët e të cilit janë përdorur si mjet torture komenton: "Për mua është një nder që një nga këngët tona është përdorur për të shmangur një tjetër 11 shtator". Familjarët e 11/9 kundër Guantanamos 33 familjarë të viktimave të atentateve të 11 shtatorit kanë nënshkruar një letër të hapur, ku denoncojnë si të "paligjshme dhe të padrejta" proceset e Guantanamos. Sipas letrës së shpërndarë nga Unioni Amerikan për Lirinë Civile, "këto procese janë drejtuar politikisht, me qëllimin për t‘i dënuar shumë shpejt të burgosurit, për të shmangur proceset gjyqësore të drejta e transparente. Ndërkaq, në fund shkruhet: "Shpesh janë përdorur mjete torture ilegjitime".
Protagonistët
Brus Springstin
Rokstari amerikan është firmëtari i parë i thirrjes së bërë nga OJQ-ja "Reprieve" për fushatën e quajtur "ZerodB"
"Massive Attak"
Edhe ata janë pjesë e kësaj beteje së bashku me Tom Morelon, Bill Bailej, Mexhik Nambërs dhe shumë këngëtarë të tjerë amerikanë e britanikë
Stiv Benton
Lideri i "Drowning Pool" ka deklaruar se: "Për mua është nder të mendosh se një këngë e imja mund të shërbejë për të shmangur një tjetër 11 shtator"
Gazeta: Shqip