Ndërkohë që specialistët ngrenë alarmin e rrezikut që i kanoset arkeologjisë nënujore, Roland Olli, drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik e pranon fenomenin, por thotë se janë duke marrë masat e nevojshme. Pasuritë e fshehura nën det, veçanërisht në fillim të viteve ‘90 janë grabitur e trafikuar në mënyrë të paligjshme. Fenomeni vazhdon të ketë jetë edhe në ditët e sotme. Specialistët, prej kohësh, kërkojnë një strukturë që të mbrojë këtë pasuri, e cila tashmë rrezikohet edhe nga zhytjet e pakontrolluara. Një ditë më parë, arkeologu Adrian Anastasi, specialisti shqiptar i ekspeditës shqiptaro-amerikane, që kryhet prej disa vitesh në jug, në një intervistë për “Shqip”, e cilësoi situatën kritike. I kontaktuar po për këtë problem, përmes një interviste elektronike, Roland Olli thotë se janë duke ngritur strukturat përkatëse dhe po specializohen arkeologë të fushës. Sipas tij, ky problem është i pranishëm edhe në vende me standard të lartë, ndaj mbetet ende një sfidë për Shqipërinë, që është në hapat e para.
Zbulimet e fundit nënujore kanë rihapur diskutimin për rrezikun që i kanoset kësaj pasurie. Nëse nuk ka një ligj të posaçëm, si rregullohet ruajtja e siteve arkeologjike nënujore?
Ka një ligj të posaçëm dhe ky është ligji “Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore, Paris 2001” të UNESCO-s. Ligji është dekretuar në dhjetor 2008 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2009. Kjo konventë përcakton të gjitha modalitetet e ruajtjes, administrimit, mënyrat e kërkimit, studimit, etj., duke përcaktuar ruajtjen “in situ” të trashëgimisë kulturore nënujore, si opsion të parë para lejimit ose përfshirjes në çdo aktivitet të drejtuar te kjo trashëgimi. Po ashtu, konventa përcakton në mënyrë të qartë se trashëgimia kulturore nënujore nuk shfrytëzohet për arsye tregtare. Pra i gjithë rregullimi i kësaj pjese të trashëgimisë kulturore bëhet mbi bazën e rregullave të kësaj Konvente dhe aneksit të saj.
Cili është pozicioni i Agjencisë së Arkeologjisë së Shpëtimit në këtë problem. Përfshihet në kompetencat e saj dhe nëse po, sa e vështirë është të ruash arkeologjinë nënujore?
Në Nenin 22 të Konventës, thuhet: Me qëllim që të sigurohet zbatim i përshtatshëm i kësaj Konvente, shtetet palë themelojnë autoritetet kompetente ose përforcojnë ekzistuesit, sipas rastit, me qëllim ngritjen, mirëmbajtjen dhe përditësimin e një inventari të trashëgimisë kulturore nënujore, ruajtjen, konservimin, prezantimin dhe menaxhimin e efektshëm të trashëgimisë kulturore nënujore, si dhe kërkimin dhe edukimin. Pikërisht kjo është marrë në konsideratë në ligjin e ri “Për Trashëgiminë Kulturore”, që është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe pritet të miratohet sa më shpejt. Ndërkohë, me ndryshimet e bëra në VKM Nr. 724 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik” ngarkohet kjo e fundit me këtë përgjegjësi. Më pas, me miratimin e ligjit të ri, do të detajohen me aktet e tjera nënligjore, detyrat dhe kompetencat e ASHA-s në këtë fushë, si dhe mënyrat e bashkëpunimit me institucionet e tjera të fushës së trashëgimisë dhe ato shkencore. Në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes, besoj të gjithë e kuptojnë se sa e vështirë është kjo fushë. Ndër vështirësitë kryesore do të përmendja mungesën e burimeve njerëzore të kualifikuara dhe trajnuara deri te mjetet, pajisjet e zhytjeve, aparaturat etj. Ndërkohë, për t’i paraprirë këtyre zhvillimeve, prej dy vjetësh, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik po specializon dy arkeologë të vetët në fushën e arkeologjisë nënujore në Qendrën Ndërkombëtare të Arkeologjisë Nënujore në Zadar të Kroacisë, me mbështetjen e UNESCO-s.
Vitet e fundit, kur sporti i zhytjes nënujore praktikohet edhe në Shqipëri, rreziku është edhe më i madh. A janë të kontrollueshme dëmet që mund t’u bëhen zonave arkeologjike në këtë rast?
Ligji (Konventa) shprehet qartë edhe për këtë çështje. Neni 2, pika 10 përcakton se: Hyrja e përgjegjshme pa dëmtuar ose dokumentimi “in situ” i trashëgimisë kulturore nënujore inkurajohet për të krijuar ndërgjegjësimin, vlerësimin dhe mbrojtjen nga publiku të trashëgimisë, përveç rasteve kur ky mundësim është në kundërshtim me mbrojtjen dhe menaxhimin e tij. Duke folur konkretisht për zhytjet sportive apo argëtuese: Së pari këto zhytje realizohen nga subjekte të licencuara nga MTKRS, pra janë subjekte që përballen me të gjitha përgjegjësitë ligjore, në rast shkeljesh apo më keq dëmtimesh të pasurisë kulturore të nënujit dhe së dyti, kur ato realizojnë zhytje në zona me trashëgimi, ato janë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të strukturave tona rajonale. Në këtë rast, nuk marr përsipër zhytjet ilegale që ndodhin edhe në tokë nga shkelës të ligjit. Në këto raste, ata përballen me forcat e policisë kufitare apo të kapitenerive të porteve. Dëmet për ato zona ku është bërë dokumentimi i plotë janë të kontrollueshme.
Specialistët flasin për grabitje apo trafik objektesh që vazhdon, ndonëse me intensitet më të ulët se më parë. A ka ministria të dhëna për pasurinë nënujore?
Siç e përmenda, trafikimi apo përdorimi për qëllime tregtare përbëjnë shkelje të ligjit, pra për pasojë shkelësit përballen me forcën e ligjit. Forcimi i veprimit të ligjit, edhe në këtë rast, mbetet primar. Duhet të kemi parasysh se këto janë fenomene që ndodhin kudo në Europë e më tej. E kam thënë edhe herë tjetër që këto fenomene i vuajnë edhe shtete me zhvillim dhe standard më të lartë se ne. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë pajtim apo pranim i fenomenit. Patjetër që MTKRS disponon të dhëna mbi bazën e raportimeve që bëhen nga ekspeditat e autorizuara nga kjo ministri. Po ashtu, ka edhe detyrimet e tjera ligjore që këto gjetje duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
A është menduar ngritja e një strukture të posaçme në këtë rast? A janë mundësitë?
Jam optimist, pasi është punuar dhe po punohet për këtë çështje dhe jemi shumë afër realizimit. Sikurse e përmenda edhe më sipër, po mendohet dhe po ecet në rrugën e dhënies së kompetencave të qarta në këtë fushë, si dhe të përforcimit të strukturave ekzistuese, ku dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik është drejt një riformatimi të strukturës, rolit dhe kompetencave për t’iu përgjigjur sa më mirë këtyre zhvillimeve.