Zonat arkeologjike të Durrësit dhe zona historike e Korçës mbrohen tashmë me një rregullore të posaçme. Në sfidën e zhvillimit urban kufijtë ku mund të ndërtohet në këto qytete janë të qarta. Ndëshkimet ligjore në raste shkeljesh, po ashtu. Por kjo nuk e zgjidh të gjithë punën për Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik. Duke shpjeguar hartat dhe rregulloren e administrimit të këtyre zonave, drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, Roland Olli shpjegon se mungesa e bashkëpunimit me strukturat e pushtetit lokal shkakton shpesh hapësirë për abuzime. Olli tregon se gjatë vitit që shkoi janë bërë dy denoncime për shkelje në Durrës dhe një në Tiranë, ndërkohë që synimi i tyre është parandalimi i dëmtimeve arkeologjike. Në mungesë të stafit, Olli ka kërkuar të tjerë arkeologë në terren, ndërkohë që një nga objektivat në vazhdim është hartimi i një vendimi ku të parashikohen qartë masat për gjetjet rastësore, përfshirë këtu edhe shpërblimet që përfitojnë ata që deklarojnë gjetjet arkeologjike.
Vetëm pak javë më parë, me Vendim të Këshillit të Ministrave u miratua harta e zonës arkeologjike për Durrësin dhe ajo historike për Korçën, dy qytete problematike në ruajtjen e trashëgimisë. Sa do të ndihmojë kjo ndalimin e shkeljeve në këto qytete?
Kemi të bëjmë me dy qytete me të vërtetë problematikë, pasi janë nga më tradicionalët, në kuptimin e trashëgimisë arkeologjike për Durrësin dhe historike për Korçën. Rishikimi i hartave të zonifikimit dhe i rregullores së administrimit për zonën arkeologjike të Durrësit dhe për zonën historike të Korçës është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili balancon kërkesat për zhvillim që kanë këto qytete me mbrojtjen e pasurisë arkeologjike apo potencialit që zotërojnë. Për mua personalisht, rregullorja e administrimit të zonave arkeologjike përbën dokumentin bazë dhe më të rëndësishëm, sepse janë rregullat bazë mbi të cilat do të ndërtohet në këto qytete.
Gjatë këtyre viteve, në Durrës, ashtu si në çdo qytet tjetër është ndërtuar pa kriter. Ka ndikuar kjo në rrudhjen e zonës arkeologjike A?
Në zonifikimin e ri, ndryshimet në zonën A (përfaqëson qendrën aktuale nga muret e mëdhenj rrethues, amfiteatri, shtrirjen në zonën e bashkisë deri në zonën që kufizohet nga dy akset kryesor të bulevardit), janë shumë të vogla. Pavarësisht nga ndërhyrjet në kundërshtim me ligjin e trashëgimisë që janë bërë në këtë zonë ndër vite, ne jemi treguar të vendosur në mosndryshimin e kufijve. Ato nuk diktohen nga ndërtimet, por nga potenciali arkeologjik i zonës. Zona A mbetet primare, ku sipas ligjit “Për trashëgiminë”, nuk do të ketë ndërhyrje të reja ndërtimore përveç restaurimit apo rikonstruksionit të banesave ekzistuese dhe rrjetit inxhinierik. Zona arkeologjike B pëson një zgjerim krahasuar me hartën e vjetër, kjo si pasojë e gjetjeve arkeologjike të viteve të fundit, në të cilat ka kontribuar edhe arkeologjia preventive (parandaluese). Në këtë zonë do të lejohen ndërtimet e reja, por nën kontroll dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Ne, së bashku me strukturat lokale të trashëgimisë kryejmë përpara dhënies së miratimit, sondazhet arkeologjike, mbi bazën e të cilave vendoset nëse do të ketë një shesh ndërtimi apo jo. Kjo varet gjithmonë nga rëndësia e gjetjeve arkeologjike, të cilat janë të përcaktuara në ligj.
Mbrojtja e trashëgimisë përfshin një sërë institucionesh, qendrore dhe lokale. A ka pasur bashkëpunim në këtë drejtim? Punët jo gjithnjë kanë shkuar vaj. Shërbimi i arkeologjisë preventive është shërbim i ri që po konsolidohet dita-ditës, por bazë e veprimtarisë është bashkëpunimi me strukturat lokale, të cilat e administrojnë territorin në konceptin e planifikimit urban. Pa këtë bashkëpunim, sado të jenë të forta përpjekjet apo presioni ligjor, është shumë e vështirë të ruhen zonat arkeologjike në të gjithë qytetin, aq më tepër në rastin e Durrësit, ku potenciali arkeologjik është shumë i madh. Kemi pasur raste kur Bashkia ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin e trashëgimisë, dhe në këto raste është kërkuar në mënyrë ultimative anulimi i lejes. Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Inspektorati Ndërtimor dhe pushteti vendor janë hallkat që domosdoshmërisht duhet të bashkëpunojnë për të realizuar mbrojtjen e zonave arkeologjike. E njëjta gjë ndodh me Korçën. Rregullorja e vjetër për qendrën historike ishte kthyer në një pengesë dhe një debat të vazhdueshëm mes strukturave të pushtetit vendor dhe Institutit të Monumenteve. Tashmë qyteti është çliruar nga ky ngërç, që u hapte rrugën ndërtimeve abuzive. Kjo rregullore do t’i lejojë pronarët e banesave private të ndërtojnë brenda kritereve të përcaktuara. Ne kemi pasur shumë raste ku projekti i miratuar është ndryshuar gjatë zbatimit. Rregullorja e re përcakton qartë që mbikëqyrja e zbatimit të punimeve do të bëhet nga specialistë të IMK-së. Rastet më flagrante janë në zonën e Kalasë së Elbasanit, që është njëkohësisht zonë arkeologjike dhe historike.
Ju keni të drejtën të bëni denoncime në rastet kur vërtetoni shkelje. Sa të tilla keni bërë gjatë vitit që shkoi?
Duke qenë se jemi munduar të mos lejojmë ndërhyrjen në zonat arkeologjike, vitin e kaluar kemi pasur vetëm tri raste denoncimesh: dy në Durrës, kur janë bërë ndërhyrje të paautorizuara dhe të dyja janë të denoncuara në prokurorinë e qytetit, dhe rasti i tretë ka qenë për Tiranën ku është ndërhyrë në zonën e kalasë, në kundërshtim me rregulloren. Ligji “Për trashëgiminë” e parashikon qartë masën e ndëshkimit, që nis nga pagesa e një gjobe në para e për të vijuar me ndjekjen në rrugë penale për dëmtime. Shumë shpejt pritet që qeveria të miratojë edhe hartën e zonifikimit të Sarandës dhe Krujës dhe me këto dy qytete kompletojmë hartat e zonave arkeologjike dhe rregulloren e administrimit të tyre. Na mbetet si detyrë rishikimi dhe kompletimi i hartave të parqeve arkeologjike që shtrihen kryesisht jashtë zonave urbane, me përjashtim të Lezhës dhe Shkodrës, që janë më problematike për ndërthurjen e zonës arkeologjike me parkun arkeologjik.
Ju sollët shembullin e shkeljeve në Elbasan. Si veprohet në raste të tilla?
Në këto raste, masa bllokuese është moslejimi i regjistrimit të tyre në hipotekë dhe moslegalizimi i ndërtimeve të tepërta, shkelje nga projekti i miratuar. Me rregulloren e re do të mundohemi që t’i parandalojmë abuzime të tilla.
A ka aq specialistë sa të kontrollojnë gjithë territorin e vendit?
Unë e kam theksuar edhe më parë, që Agjencia e Shërbimit Arkeologjik ka nevojë për shtesa në staf, pasi struktura me të cilën punojmë është mjaft e vogël. Në kuadër të reformave që do i bëhen sistemit të trashëgimisë, ne kemi kërkuar dhe po insistojmë që arkeologët, të cilët deri dje kanë vepruar në kuadër të Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare, të bëhen pjesë e strukturës së ASHA-s. Në këtë mënyrë, struktura shtohet me 10 persona që do të jenë arkeologë në terren. Po tentojmë të ecim drejt krijimit të një strukture serioze për parandalimin e ndërhyrjeve të paautorizuara në terren.
Në mars të këtij viti ASHA u bë anëtare me të drejta të plota në Këshillin Europian të Arkeologjisë. Cilat janë sfidat që shtrohen nga ky anëtarësim?
Fakti që shërbimi arkeologjik shqiptar, në Kongresin e Belgjikës në mars të këtij viti u anëtarësua me të drejta të plota, tregon se janë përmbushur kriteret ose detyrimet ligjore që kërkohen.
Të gjitha vendet anëtare të Europës kanë detyrimin e përhershëm për ratifikimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, por edhe fuqizimin e strukturave për arkeologjinë parandaluese. U bë e qartë se arkeologjia parandaluese mbetet një nga prioritet e trashëgimisë kulturore, sepse shihet në sfidën e zhvillimeve urbane. Është një ndryshim i viteve të fundit edhe për vet vendet e Europës Perëndimore. Ne kemi krijuar partneritet me Francën, që vlerësohet si shteti me zhvillimin e strukturave të arkeologjisë preventive më i miri në Europë, duke ndjekur të njëjtat prioritete.