Roli i fundit i Trebickes; Vij nga varrezat por ne skene ndihem i gjalle

Roli i fundit i Trebickes; Vij nga varrezat, por ne skene ndihem i gjalle
Regjisori Spiro Duni rrëfen momentet e fundit në skenë të aktorit Roland Trebicka

Roli i Seit beut te drama “Ëndrra e Ismail Qemalit” do të mbetet i fundit për aktorin Roland Trebicka. I njohur sidomos për rolin e Jovan Bregut në komedinë ‘Pallati 176’ në këtë rikthim në skenë ai vinte me një rol karakteri, ndryshe nga ç’ishte mësuar spektatori ta shihte në skenë. “Roli i Seit beut nuk i ngjan aspakn Jovan Bregut”- do tu thoshte ai gazetarëve. Roland Trebicka u nda dje nga jeta, në moshën 66-vjeçare.

Dy vjet më parë i ishte zbuluar një masë tumorale në mushkëri dhe pas kurimit në Francë iu rikthye skenës në nëntor të vitit të kaluar. Ishte regjisori Spiro Duni që një ditë vere trokiti në derën e shtëpisë së tij, për t’i ofruar rolin e Seit beut. E gjeti të shtrirë në shtrat. “Kur ia propozova rolin, ai u kthye nga bashkëshortja e tij Leta dhe i tha: ‘Unë do të ngrihem të shkoj në punë’. Dhe që nga ai moment Roland Trebicka nuk mungoi në asnjë provë të shfaqjes dhe në asnjë nga 15 shfaqjet (deri në atë të fundit në fund të janairit të këtij viti) që pati në skenën e Teatrit Kombëtar drama “Ëndrra e Ismail Qemalit”. Në skenë ai ndihej i gjallë.”

Zoti Duni, ju keni qenë regjisori i fundit që keni punuar me Roland Trebickën në një moment të vështirë të jetës së tij…

Ai e dinte sëmundjen e tij, sigurisht dhe ne të gjithë e dinim, por besonim se nuk do të na ikte kaq shpejt. Përkushtimi i tij ndaj veprës “Ëndrra e Ismail Qemalit” ishte i paimagjinueshëm, ashtu si gjatë gjithë jetës së tij.

Si e priti kur i propozuat rikthimin në skenën e teatrit? Ai kishte kohë që i kishte munguar skenës për shkak të sëmundjes…

Ishte verën e kaluar, kur shkova në shtëpi që t’i propozoja rolin. Ai ishte në shtrat e megjithatë u kthye nga bashkëshortja Leta dhe i tha: “Unë do ngrihem të shkoj në punë”.

E priti me shumë entuziazëm rikthimin në skenë, edhe moralisht u ndje shumë më mirë.

E shprehte këtë?

Më thoshte shpesh “Unë kam ardhur nga varrezat, por jam i lumtur, ndihem i gjallë mes jush, në këtë skenë”.

Në shfaqjen e fundit të “Ëndrra e Ismail Qeamlit” ai u ndje keq dhe kjo u vu re?

Deri para 2-3 javësh, që është bërë xhirimi i veprës, ai ishte vërtet shumë keq, por nuk demonstronte asgjë në skenë. Ai vazhdonte të mbante njerëzit me humor. Ai njeri ishte lindur për të qenë afër jetës jo vdekjes. Ai në këtë vepër luante kushëririn e Ismail Qemalit dhe kishte një skenë të tërë ku unë kisha kufizuar mizaskenat që ai të mos lëvizte shumë. Ai shfaqej në skenë i ulur në një divan, por dhe ashtu i ulur Roland Trebicka arrinte të transmetonte vetëm përmes fjalës energji të madhe. Veprimi i tij me fjalën ishte magji, ashtu siç dinë ta bëjnë vetëm mjeshtrit e mëdhenj të skenës, sikurse ishte dhe ai.

Ai vetë ndihej i lumtur, që në momentin që fillonte shfaqja derisa hiqte rrobat e rolit. Nuk arrinte ta besonte se ishte akoma në skenë, por kuraja e mbajti aq kohë dhe sigurisht dhe përkujdesi i të gjithëve. Roland Trebicka është pjesë e asaj gjenerate të mjeshtërve të mëdhenj që na ikën, si Fangjush Furxhi, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi etj. Unë e quaja lokomotivë e komedisë shqiptare, sepse ishte fat të ishe regjisori i tij dhe partneri i tij në skenë. Ai ishte kuptimi i punës në mëngjes. Mënyra sesi ai përkushtohej në punë, që kur vinte para të gjithëve dhe ikte i fundit. Vinte rregullisht në prova, madje vinte dhe rrinte në teatër edhe atëherë kur nuk kishte prova. Në kuptimin e vërtetë, ai nuk donte të largohej nga skena. Prandaj është një humbje e madhe për shumë nga ne. Dhe do t’u mungojë të gjithëve, sepse ai do të kujtohet në çdo provë që do të bëhet me vepra të ndryshme që do vihen në skenë. Shtëpia e tij e parë ishte skena, e dyta ishte familja.

Amaneti

Ai u nda nga kjo jetë duke menduar për familjen. U la amanet familjarëve që të mos qajnë e të mos dëshpërohen nga humbja e tij.

Epitaf

Nuk do ta harroj kurrë herën e fundit kur të pashë! Miku im i shtrenjtë! Sot ti i kapërceve kufijtë e tokës për të prekur me siguri fytyrën e Zotit. Ti ishe me fat, se njohe në tokën që deshe suksesin e madh dhe me talentin tënd të pazakontë e ngrite shpirtin njerëzor në një vend më të lartë. Sot pa ty ne jemi më të varfër. Unë ndihem me fat që të takova, të njoha dhe të duartrokita ty. Udhëtim të mbarë, miku im! (Kiço Londo)

Mihal Luarasi

E kam njohur kur ishte fëmijë, në Teatrin e Korçës, ku vinte të takonte të ëmën që punonte në administratën e teatrit. Më pas ai u rrit dhe u bë aktor dhe e kam ndjekur nga afër gjatë gjithë karrierës së tij. Ai vërtet shkëlqente në komedi, por ka luajtur dhe shumë role dramatike. Në shfaqjen time “Hekurat”, në vitin 1995-1996, ai ka luajtur një rol dramatik dhe shkëlqeu në këtë rol. Edhe personazhi te drama “Ëndrra e Ismail Qemalit”, për mua si regjisor, ishte personazhi i realizuar më mirë në atë vepër.

Elvira Diamanti

Landi ishte aktor shumë i mirë, koleg i shkëlqyer dhe mik i mrekullueshëm. Kanë qenë të rrallë ata aktorë me të cilët ndiheshe komod. I tillë ishte Landi, sepse ai mbi të gjitha ishte njeri i shkëlqyer. Sigurisht ishte profesionist shumë i mirë, por ajo që e veçonte nga të tjerët ishte fakti se ai ishte shumë njerëzor. Përveç kësaj, ne na lidh edhe një miqësi e gjatë familjare, sepse kemi qenë dikur komshinj. Herën e fundit që e kam takuar, të them të drejtën, nuk ishte mirë. Ishte fundi i janarit ose fillim shkurti, pimë një kafe te ‘Taivani’ dhe aty pashë që ai nuk ishte mirë.

Edi Luarasi

Kur u diagnostikua me sëmundjen që i mori dhe jetën, i shkuam dhe në shtëpi. Ishte i shtrirë në krevat, por ai e gjeti forcën të ngrihej. Më thoshte shpesh gjatë kësaj kohe që për shkak të angazhimit të tij në teatër nuk dilte më shëtitje nga Kodra e Shën Prokopit, nga liqeni artificial. Ishte rutina e tij e përditshme ecja çdo mëngjes. “Dil Edi dhe ti nga Liqeni, se të bën mirë dhe lëre cigaren!”- më thoshte sa herë e takoja. Pastaj, kur e pashë në shfaqjen e fundit, u gëzova sepse më dukej e pabesueshme që ishte rikthyer në skenë. Ishte i shkëlqyer, nuk dukej në skenë që ai kishte qenë i sëmurë, përkundrazi, zëri i vinte i plotë dhe interpretimi ishte mjeshtëror. Para disa ditësh po mendoja ta merrja në telefon. Si nuk e mora?… Nuk e di pse nuk e mora…

Luiza Xhuvani

E prisja ta shihja në rolin e “Doktor Shuster”, por sëmundja nuk e lejoi. E prisja ta shihja edhe në shumë projekte të tjera, sepse ai, artisti i mrekullueshëm i skenës shqiptare, Roland Trebicka, kishte të gjithë pjekurinë artistike për t’i dhënë skenës role dhe karaktere. Tani takimet me të do të jenë vetëm në kujtesë, në këtë memorie të shkëlqyer që na fali të gjithëve me rolet e tij.

Ai do të jetë përjetë në mendimet e mia dhe të të gjithë njerëzve që adhuruan personazhet e tij, që jetuan dhe ëndërruan bashkë me të…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama