Epiqendra e veprimit të romanit “Arka e Djallit” është fshati provincial i Qershizës. Lexuesi do të shpejtonte të pyeste: E ç‘mund të presësh nga përshkrimi i jetës së një fshati të humbur? Vetëm ca histori të parëndësishme, trashanike e banale? Se, ç‘mund të ndodhë aty më shumë se kaq? Por s’është kështu. Duke e vendosur veprimin e romanit në një zonë të largët provinciale, D. Agolli i përmbahet traditës të kultivuar shpesh në letërsinë satirike klasike botërore, që e bën të mundur të kqyret jeta me shtrirjen e saj deri në skajet më të largëta, më të humbura dhe nga një këndvështrim i ndryshëm prej atij që mbizotëron zakonisht në qëndrat ose kryeqëndrat urbane. Shkrimtari nis për në Qershizë shkrimtariun Sherif Abecenë në një lloj “qarkullimi”; aty ai kërkon të shtierë në dorë defteret e Bamkë Dynjasë. Shënimet e këtyre defterëve vendosen në themel të subjektit të romanit dhe ato zbulojnë ca të vërterta sa të lezetshme, aq edhe të hidhura për jetën e Qershizës, por sidomos të një binomi tjetër personazhesh: Bamkë Dynjasë dhe Cute Babuljes, shokë të pandarë, të sinqertë e hokatarë, që përfundojnë viktima, të dënuar për “gabime të rënda” nga Partia-Shtet.
Sherif Abeceja shfaq zell “për ta njohur jetën” e Qershizës, të bazës, ku “trillojnë një mijë histori prej asgjëje”; aty ai përfshihet në vorbullën e ngatërresave me defteret e Bamkës. Sherifi arrin në përfundimin se në Qershizë s’kish asgjë të mirë, veç emrit të Anthullës. Përmes Qershizës, Sherifi kupton si janë punët edhe në Tiranë, ku “ka spiunë e gjykatës më të fortë se në Qershizë”. Në klubin e berberhanës “bëhej radioskopia e mushkërive të fshatit përmes mekanizmës së thashethemeve, ankimeve, inateve, psherëtimave, shakave dhe thumbimeve të pandërprera dimër dhe verë”. Një agronom i ri, Agron Sahatçiu pohonte se në Qershizë s’kish gjë tjetër veç një tufë lopësh të plakura, që u kish shterrur qumështi, dhe ku njerëzit në vend që të shqetësoheshin për moshën e lopëve, shqetësohen e interesohen për moshën e Sherifit.
Romani “Arka e Djallit” ka një lidhje të ngushtë me romanin “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo”, sepse, nga njëra anë, në të bëhet fjalë po për atë realitet, për atë jetë plot e përplot me dukuri groteske dhe, nga ana tjetër, stili grotesk përshkon tej e ndanë strukturën edhe të këtij romani satiriko-humoristik. Disa personazhe si Cute Babulja, Mitro Karapataqi, Hyskë Borobojka etj. vijnë nga romani i Zylos, ruajnë ndonjë shfaqje të mëparshme, por portretizohen në mënyrë më të plotë. Në “Arkën e Djallit” ka edhe disa personazhe të rinj, si Bamkë Dynjaja, Sherif Abeceja, Maxhun Xhabalaku (i Bilishtit), Zyber Shtufa e personazhe të tjerë më pak të rëndësishëm.Tek ata mund të vësh re ca cilësi që i kanë personazhe me emra të tjerë në romanin e Zylos. Sherif Abeceja, shkrimtar, të kujton Adem Adashin, po shkrimtar; Zyber Shtufa të shtie në mendje kryetarin e koopertativës të romanit “Shoku Zylo”. Ka midis tyre edhe dallime të shumta, që nuk e zbehin origjinalitetin e tyre, por cilësia më qensore e përbashkët e tyre qëndron në përgjithësi në karakterin e tyre satiriko-grotesk. Qysh në romanin e parë ekziston Cute Babulja, hero qyfyrexhi, i mprehtë dhe hamës i pangopur, por në romanin e dytë spikatin dimensione krejt të tjera; ai del si një Nastradin shqiptar, që ia nënshtron kritikës së tij të ashpër shpotitëse anët e zeza të realitetit, madje ai është figura qendrore, protagonisti i romanit.
Shkrimtari Sherif Abeceja ndryshon shumë nga homologu Adem Adashi, shkrimtar konformist e mediokër i romanit të Zylos. Për të mos e mbyllur qarkun e ngjarjeve ngushtësisht në Qershizën rurale, D. Agolli e plotëson shtrirjen e veprimit jo vetëm drejt kryeqytetit, por edhe përtej kufijve shtetërorë, përmes udhëtimit të heronjve kryesorë, Cute Babuljes dhe Bamkë Dynjasë në Greqi e sidomos në Turqi për të marrë pjesë në një Kongres Ndërkombëtar të Folklorit. Ky udhëtim i mbushur me aventura të çuditëshme zbavitëse, ndihmon për të zbuluar një situatë të pakëndshme për heronjtë e romanit, që rrjedh nga izolimi i vendit prej botës tjetër. Atyre u dukej sikur kishin shkuar në një planet tjetër. Mrekullia e këtij procedimi në roman qëndron pikërisht në mundësinë që jep si për ta zbuluar jetën lakuriq, me tërë përmbajtjen tragji-komike e absurde, jashtë paragjykimeve ideologjike e skemave zbukuruese, që sajoheshin e përhapeshin nga kryeqyteti. Sherif Abeceja heq syzet rozë dhe tronditet duke u njohur me jetën e Qershizës dhe përmes deftereve të Bamkës, që ka vdekur tashmë, zbulon ca të vërteta, që nuk mund t’i kapte syri nga dritaret e kancelarive të Qëndrës.
Ato dukuri, ndaj të cilave D.Agolli përqëndron gjithë shigjetat satirike, nuk janë të një rëndësie lokale, provinciale, sepse ato zbulojnë falsitetin e absurditetin e direktivës që nis qendra, deformimet e jetës nën peshën e metodave burokratike, mospërputhjen midis frymës euforike dhe realitetit të mbingarkuar me probleme e vështirësi frikësuese. Në këto kontradikta D. Agolli ka gjetur burimin e dukurive komike groteske, që mbushin faqet e romanit. Në një vështrim të përshpejtuar duket sikur romani “Arka e Djallit” është ngarkuar me situata, ngjarje, personazhe, mesele, anekdota e qyfyre komike, thjesht qesharake; por, jo, se përmes tyre duken drama të rënda, dukuri të hidhura tragjike, vikmtima të Direktivave partiake dhe kështu zbulohet e vërteta mbi “realitetin socialist” edhe më thellë se sa tek “Shoku Zylo”.
Tonalitetin e përgjithshëm romanit “Arka e Djallit” ia jep thartqeshja, shprehje e përmbajtjes tragji-komike e romanit, që e bën lexuesin njëkohësisht të qeshë, të gajaset me dukuritë komike të jetës e të qajë për mundimet e vuajtjet e pamerituara të njerëzve. Vepra e D. Agollit, e thurur me një mjeshtëri klasike të përkryer, me atmosferë gazmore, e ruan besimin e njeriut në jetën, të cilit i dhuron shenja e parandjenja se themelet e godinës, që dukej e palëkundur, e madhërishme dhe po aq kërcënuese, ishin kalbur ngaqë qenë në kundërshtim me kërkesat e natyrshme njerëzore dhe ligjet e jetës. Ashtu si natyra që nuk duron zbrazëtinë, edhe jeta nuk i duron përdhunimet, mospërfilljen dhe “valset e tufëzimit”.
Romani “Arka e Djallit” dëshmon se ligësitë, djallëzitë, poshtërsitë, padrejtësitë, degjenerimi, korrupsioni e vese të tjera i kanë rrënjët më të thella se sa besojmë ose duam të besojmë. Romani e shtyn lexuesin të mos qëndrojë naiv e mendjelehtë, duke besuar se të tilla cene në botën njerëzore zhduken, siç shuhet vesa porsa del dielli. Djalli është një forcë e madhe dhe e tmerrshme; ai është i kudogjindur dhe i ngatëron mendjet e kthjellta; ai vazhdon të punojë pa ndërprerje mbrapsht brenda “arkës agolliane”, ku tjerr e sajon plane për ligësi e prapësi.
Ndryshe nga romani i Zylos, në “Arkën e Djallit” realiteti paraqitet më me vërtetësi dhe syri i shkrimtarit është më i saktë dhe më i sinqertë, ashtu si edhe kritika, humori e satira janë më të mprehta, më shpotitëse dhe më të ashpra; kjo gjë ka ndikuar që edhe personazhet të jenë më të përcaktruar, pa atë dyzim, ambiguitet që vihet re në disa personazhe të romanit të Zylos. Në “Arkën e Djallit” refuzohen ca dukuri të rëndësishme të realitetit si tufëzimi i bagëtive, që kishte marrë trajta të shëmtuara, absurde. “Vetëm për tufëzimin, -i lutet Fatimja Selman Thanës tërë frikë,- mos fol, të keqen”. Për këtë fenomen, në mbrojtje të tufëzimit, qëndron syçelë e i vendosur Maxhuni i Bilishtit, Zyber Shtufa e të tjerë që nuk tregohen thjesht të cekët, por të poshtër, ngaqë fshehin të vërtetën, që s’ka shoshë ta mbulojë dhe me mjete të ulta, imorale, me shpifje, keqinterpretime, me fanatizëm dhe duke mos falur asnjë që e përqesh, pale ata që e luftojnë. Jo vetëm personazhet kryesorë, por edhe ata të dorës së dytë të romanit “Arka e Djallit” janë më të goditur, larg skematizmit; ata janë më jetësorë, të gjallë, normalë, njerëzorë. Plot personazhe të dorës së dytë mbeten në mendjen e lexuesve, ashtu si protagonistët.
Cute Babulja, Sanço Panço i dalë nga satira e Dritëroit
Krahas personazheve të dorës së dytë mbetet në mendjen e lexuesve, sidomos Cute Babulja, njeri i mirë, i dhimbsur, i dashur, i thjeshtë, i sinqertë, por edhe shakaxhi i pashoq, i athët ndaj të liqve, aty-këtu vulgar e qesharak, por edhe i ashpër, i rreptë me dallaveraxhinjtë, batakçinjtë, servilët, gënjeshtarët, shpifësit e spiunët, gjithnjë i gatshëm të ndihmojë fatkeqët e viktimat e pafajshëm. Ashtu si Zylo, edhe Cute Babulja ka huqet e veta; atij s’i rri kurrë goja mbyllur, ligjëron me rast e pa rast, por ndryshe nga kolegu Zylo (që derdh ligjërimet e tij të mbushura me shpjegime “teorike”, “shkencore”,”ideologjike”) Cute Babulja ka si busull orientuese urtësinë e zgjuarsinë natyrore, përvojën jetësore. Mendjen e tij nuk e ngatërrojnë “argumentet” e larta “filozofike”, por syrit të tij s’i shpëton asgjë e madhe ose e vogël në mjedisin rrethues. Ai ka një epërsi të padiskutueshme, si Sanço Panço ndaj Kalorësit të Arratisur, botën e sendet i shikon ashtu siç janë.
Cuteja është i aftë të zbulojë ç‘fshihet prapa cipës të lustruar të predikimeve ideologjike të Zylos, duke zbuluar plot anë të zeza, deformime, dukuri negative e plagë sociale, që e përçudnojnë dhe e shëmtojnë jetën. Cute Babulja është një i revoltuar deri në mospërmbajtje ndaj marrëzive e tmerreve të jetës; ai i urren, por edhe qesh e i përqesh ato, ai dëshpërohet kur e kupton se sa i pafuqishëm tregohet njeriu ndaj këtyre dukurive të shëmtuara të mbjella gjithandej, deri në Qershizë. Por Cuten, si njeri normal, e pushton hera-herës edhe frika e tmerri nga rreziqet e shumtë që e kërcënojnë, sidomos ngaqë nuk e kyç dot gojën dhe fjalën e tij të drejtë. Kjo frikë e shtyn që me shakara e qyfyre t’ia ngatërrojë mendjen Maxhunit, që ky të mos kallzojë me letra ogurzeza anonime, ndonse e di se s’ka zot të neutralizojë huqet e mprapshta të spiunit.
Cuteja ka gjuhë të përbashkët me Bamkë Dynjanë, i cili është po kaq i frikësuar nga anët e zeza të jetës dhe po kaq i papajtueshëm me to, prandaj edhe s’guxonte t’i botonte defterët e tij, që i ruante në fshehtësi. Të dy heronjtë e “Arkës” s’kanë iluzione dhe e kuptojnë se nga ferrat e këtij realiteti të tërbuar nuk mund të mos mbinin edhe gjëmba si Maxhuni, Zyber Shtufa, Spiro Arhitrari, Mitro Karapataqi, qenie të tjetërsuara që kanë humbur njerzillëkun dhe janë venë në shërbim të së keqes. Ata e kanë kthyer Qershizën në çiflig të tyre dhe prandaj janë të pakënaqur dhe i luftojnë egërsisht ata që kanë ardhur për ta njohur realitetin dhe s’pajtohen me veprimet e tyre deri kriminale. Maxhuni denoncon kunatin e vet ngaqë ka frikë se mos djalit e vajzës së tij i refuzohet e drejta e studimit në Universitet, si “elemente me biografi të keqe”.
Qyfyret e pafajshme të Cutes nëpër gostira në Qershizë dhe aventurat e tij me Bamkën nëpër Turqi, Maxhuni i denoncon si “veprimtari armiqësore”. I pamëshirshëm tregohet edhe Zyber Shtufa, Kryetari i Këshillit, që sundon me arbitraritet të dhunshëm në “principatën” e tij; ai s’e ka për gjë fare t’i presë gjysmën e kopshtit me mollë mësuesit të ndershë, Selman Thanës ngaqë ky i vinte nota të larta, dhjeta të merituara, djalit të kovaçit dhe nuk e mbante me hatër të birin e Kryetarit, që s’i mësonte. Zyberi, sipas shëmbujve të qarkoreve të Qëndrës, nxirrte edhe ai urdhra të rrepta që të vriten pa paralajmërim pulkat e gjelat, që gjenden jashtë oborrit; ai urdhëroi që shpendët shtëpijake të mbahen në regjim qymezi dhe jo më shumë shumë se dhjetë krerë.
Një roman kritik ndaj monizmit
Nuk ka vepër tjetër letrare që të ketë bartur frymë më të ashpër kritike ndaj realitetit të kohës së monizmit se sa romani satirik “Arka e Djallit”. Ky realitet i zbuluar klakuriq nga shkrimtari ngjallte dëshpërim, por lexuesin shkrimtari e ndihmonte, duke i përzjerë gjithë ç‘bart me vete jeta: helmin e mjaltin, hidhërimin me gazin. Dëshpërohej për fatkeqësitë e njerëzve edhe Cute Babulja, por nuk mposhtej vullnneti i tij për të jetuar i lirë dhe i gëzuar. Këtë cilësi të Cutes shpreh edhe titulli shumë domethëmnës i deftereve të Bamkës:”Shakaja e ndaluar ose Njeriu që e frenojnë kur qesh”. Bamka e kish kuptuar mirë se ç‘ishte Cute Babulja: ”Cute Babulen ngado e pengonin të gëzonte. Në ka njeri të zënë rob nga gëzimi dhe shakaja, ky është Cute Babulja. Po, po, rob i gazit! Po nuk e linin të ish rob i gëzimit…”. Shkrimtari na rrëfen se Cutja e kuptonte se ishte edhe rob i ndonjë huqi, që ai nuk e quante të turpshëm, por të natyrshëm, jetësor, që te romani “Arka” shfaqet në përpjestime më groteske se sa tek “Zylua”. Cuteja prirej të dëmtonte tufat e pulave, rosave, lepurave. Nga ky huq s’hiqte dorë dot, ndonëse kish frikë nga letrat denoncuese anonime kundër tij me fjalë të tilla: ”Kuadrot bëjnë ziafete në shtëpitë e fshatarëve, hanë pula e patokë e qengja dhe dëmtojnë blegtorinë, duke frenuar zhvillimin e saj”. Por Bamka e kuptonte mirë se Cuteja nuk ishte dëmtues; ai ishte një gaztor popullor, që sillte në shtëpitë e mjera të fshatarit gëzimin e jetës, dëshirën për të jetuar, që shtronte tryezën me ëndrrën e bollëkut dhe ndihmonte të harroheshin, qoftë për një çast, hidhërimet dhe të zbrapsej dëshpërimi. Dhe kështu Bamka kënaqet, kur shikon se patoku i majmë bie në duart e Cutes, që e njihte më mirë se kushdo tjetër anatominë e shpëndëve, e kafshëve, sidomos të pulës, rosës, gjeldetit, fazanit etj. Kështu, gostia shndërrohej në një betejë homerike dhe në një aheng, të ngarkuar me këngë, valle e shakara, qi i largonin edhe mërzitë që s’i ndaheshin njeriut.
Dhe Cutja shpërthen në ligjëratën ngazëlluese gastronomike, që të kujton ca nga ligjëratat më të bukura futurologjike të Don Kishotit të Mançës:”A të vjen mirë të qëndrosh para kësaj tepsie, nga e cila të thërrasin shumë zëra të këndshëm? Janë zërat e bujqësisë dhe të blegtorisë, që thërrasin nga kjo tepsi kombëtare, të cilës i duhen ngritur këngë e rapsodi. Të vjen mirë t’ afrosh mustaqet në buzë të kësaj tepsie, ku është bërë kurban patoku, që ka ngrënë barin dhe misrin më të mirë të fshatit Qershizë, që ka bërë qejf me patat më të bukura të Devollit, duke u larë në ujin më të pastër të lumit!...Unë, o Bamkë, nuk dua të eci nëpër fushë me mina të kurdisura nga letrat anonime, por dua të ec nëpër fushë me patokë dhe me shpendë të tjera të bekuara”. Kurse në defterin e Bamkës shënohej: ”Dhe shtëpia përsëri u mbush me gëzim se gjeneratori i këtij gazi u vu në veprim të plotë…Lereni këtë gjenerator të punojë, pa e shihni se ç‘bën! Po të bëjë ndonjë dëm të vogël në ndonjë tufë qëngjash apo shpendësh, le ta bëjë, se pastaj ai këtë dëm e shpërblen me gëzimin, me këngët, me humorin që sjell”.
Kurse D.Agolli, njohës i shkëlqyer i folklorit, e mbush gostinë me perla të poezisë popullore erotike, që përbuzeshin nga Direktiva si “të turpshme”, ”pornografike”, me fjalë jo aq serioze për situatën revolucionare: ”Syzeza vetull pë/ Do vij sonte natënë/ Nga muri do hidhemë/ Ta di se të vritemë/ Me plumb të goditemë./Mos ki frikë, o budalla,/Këtu plumb e thikë s’ka,/ Po ka lodra e shaka/ Nga akshami në sabah!”. Dikush e këshillon të mos e teprojë me të tilla këngë, kurse ai vazhdon:”Ç’ka që qan bejkë belaja,/I ka humbur fukaraja,/Nëpër pyje, nëpër pllaja,/Fukaraja s’kërkon gjë,/Të fle një natë me të,/Vallahi se i bëj gjë,/Të shkopsit kopsat e gjirit,/ T’i shoh gurët e xhevairit!...”. Romani tregonte se njerëzia nuk ishin bërë pula, se po rritej mllefi kundër padrejtësive, se po ngjalleshin shpresa, se Sherif Abeceja dhe Hyskë Borobojka do të arrinin t’i botonin defteret e Bamkës e atëhere do të dilnin në shesh e vërteta e Qershizës dhe heronjtë e saj të dënuar padrejtësisht. Shkrimtari le shpresa për ditë më të mira.
Romanet e D. Agollit janë dëshmi parasëgjithash e kohëve të kaluara, por edhe në të sotmen, madje edhe në të ardhmen do sjellin dritë, që të njihen edhe plot të këqia që nuk i ndahen jetës njerëzore. Prandaj ka të drejtë publicisti gjerman H.Obermajer, që ka thënë:”Agolli zhvillon karaktere që kalojnë tej situatës të karikaturizuar të Shqipërisë. Prandaj, “Udhëtimi aventuror përmes botës së burokracisë” ose “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (Ne do t’i shtonim pa asnjë hezitim edhe “Arkën e Djallit”.-Shenim i A.U.) nuk na çon vetëm në Tiranë, në provincën shqiptare, pranë bregdetit Adriatik. Burokracia që përshkruan Agolli është kudo, atje ku aksioni i urdhëruar ngatërrohet me zhvillimin – dhe ky rast nuk është vetëm në Shqipëri. Zyloja dhe Demka janë figura që kalojnë kufijtë e ngushtë kohorë dhe gjeografikë… Dritëro Agolli pasqyron në mënyrë të saktë deformimin e potencialit krijues. Vlerat e tij e bëjnë që ky roman të jetë me shumë vlera dhe tepër i lexueshëm, edhe pse kanë kaluar dy dekada”. Nuk e besoj të ketë romane të tjerë kaq origjinalë sa dy romanet satirikë të D. Agollit, që të të kujtojnë afrinë e vlerave të tyre me kryeveprën “Don Kishoti” të Servantesit. Këtë vlen ta dijë edhe Komisioni i çmimit “NOBEL”.
Nderimi
Çmimi “Carlo Levi” për Dritëro Agolli
Pak ditë para ditëlindjes së 82-të, shkrimtari i madh Dritëro Agolli serish nderon Shqipërinë me veprën e tij. Fjalët magjike të Agollit janë nominuar në Itali me Çmimin Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi”. Në edicionin e tij të 16-të të Çmimit Kombëtar për Letërsinë Carlo Levi” u shpallën fitues autori shqiptar Dritëro Agolli, autorët italianë, Guido Conti dhe Enzo Vinicio Alliegro, si dhe francezi Andre Vauchez.
Çmimi u shoqërua me motivacionin “Poet, gazetar dhe shkrimtar, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, duke venë gjithnjë në pah me krenari origjinën e tij. Vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjithë elementet e jetës gërshetohen e shkrihen tek njëri tjetri për të ravijëzuar një identitet i cili është femijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim.
Në romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me Top”, me kurajo të admirueshme, Agolli i jep jetë kritikës sarkastike ndaj burokracisë tek i pari, dhe përkujtimit epik dhe ironik të heroizmit partizan në luftën kundër nazifashizmit tek i dyti. Dritëro Agolli, edhe pse në rolin e tij për njëzet vjet President i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas anëtar i Parlamentit, gëzon një famë të tejskajshme në vendin e tij, që e ka dashur dhe e do me mjaft dhembshuri”.
Ceremonia e dhënies së Çmimit për fituesit u mbajt në datën 5 tetor në Aliano, pranë Auditoriumit të Komunës në Aliano në Itali, në praninë e kryebashkiakut të Alianos Luigi De Lorenzo, Presidentit të Parkut Letrar “Carlo Levi” Antonio Colaiacovo, Presidentit të Këshillit Krahinor të Bazilikatës, Vincenzo Santochirico, Presidentit të Rrethit Kulturor “Nicola Panevino”, Pietro Dilenge, si dhe shkrimtarit dhe mikut të Shqipërisë Raffaele Nigro i cili intervistoi fituesit në vijim të ceremonisë.
Emocione të vecanta ngjallën tek të pranishmit fjalët e përshëndetjes së Dritëro Agollit, të lexuara nga vajza e tij Elona, e cila në vetvehte shprehte edhe një herë magjinë e fjalës së Agollit. Çmimi Kombëtar Italian për Letërsinë “Carlo Levi” konsiderohet sot si një takim i rëndësishëm në lëmin e kulturës italiane dhe është padyshim së bashku me Parkun Letrar kushtuar autorit pjemontez, një tribut që komuniteti i Alianos i njeh Carlo Levit, i cili është një piktor, publicist, si dhe shkrimtar shumë i njohur italian. Në 1931, i bashkohet lëvizjes antifashiste “Drejtësi dhe Liri”. Për veprimtari antifashiste, në vitin 1934, Levi arrestohet, dhe një vit me pas, pas një arrestimi të dytë, dënohet me internim në fshatin lukez të Grassanos, e më tej transferohet në Aliano. Nga kjo përvojë do të lindë dhe romani i tij më i famshëm “Krishti u ndal në Eboli” (në roman, fshati quhet Gagliano duke imituar shqiptimin e vendasve). Ky roman, në 1979 përshtatet edhe për kinema dhe televizion nga Gillo Pontercorvo dhe Francesco Rosi.