“Konflikti apo mospajtimi midis artit dhe politikës vijuan edhe në shtetet borgjeze deri në kohën tonë dhe mjafton të përmendim dënimin e veprës së Bodlerit për shkak të përmbajtjes së saj dhe zhdukjen misterioze të Emil Zolasë. Në shoqërinë socialiste që u konsistua pas Revolucionit të tetorit 1917 me dëshirë që artin ta fusë nën kontrollin e vet, sidomos në vitet ‘30 në BRSS u zhdukën dhe u dënuan shumë vepra e shumë shkrimtarë… Në historinë e kulturës shqiptare kemi raste të këtij konflikti. Në shek XVII Budi zhduket në mënyrë misterioze nga Vatikani, meqë kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke” …
Këta rreshta janë shkëputur nga shkrimi “Estetika dhe politika” që ish-udhëheqësi historik i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, i shkroi në vitin 1987. Më pas ai ndalet te rasti i Sami Frashërit, i cili nga fundi i shekullit të kaluar po sillte kulturën europiane në Turqi, por kur shkroi veprën “Shqipëria ç’ka qenë e ç’do të jetë” u mbyll në burg shtëpiak”. I pasionuar pas estetikës, ai e shihte atë si një formë depërtuese në gjini të tjera ndoshta të vështira siç ishte politika.
Një i ri që sapo kishte kaluar të 40-at, Rugova besonte se gjuha e estetikës, fshihte dhe kodet e duhura për t’iu afruar politikës. Si një lexues i mirë përmes rreshtave, ai ndjente forcën që të jep çdo mendim i shprehur bukur, apo çdo fjali e shkruar nga shkrimtarët e tu të preferuar. Një vit më vonë Rugova do të bëhej kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, duke bërë kështu hapin e parë drejt angazhimit të tij historik, për të udhëhequr shqiptarët drejt ëndrrës së tyre shekullore për të qenë një shtet më vete i pavarur. Por përpara se të mbërrinte në këtë rrugë, Rugova qe dhe mbeti një ëndërrimtar, dhe një romantik i letrave, e ndoshta një prej kritikëve më të mirë të letërsisë shqipe të 50 viteve të fundit.
Vehbi Miftari, doktor i shkencave filologjike dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale në universitetin “AAB-Riinvest”, në Prishtinë ka qenë gjithnjë i tërhequr nga figura e ish-presidentit të tij. Ai donte t’i përgjigjej pyetjes që shpesh ia bënte vetes, teksa shfletonte mbi veprimtarinë e tij: “A mund të shkruhet për filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, njeriut që i lidhi në një pikë të vetme të kaluarën dhe të ardhmen e shqiptarëve në një të sotme, e cila sipas Shën Augustinit është vetëm një moment, i cili përfshin gjithë përmasën historike, sikundër që përfshin po ashtu edhe të ardhmen e njerëzimit?”
Sipas Miftarit, përpjekja për të ndërlidhur filozofinë politike të viteve ‘90 të cilën ai e quan “Epokë të Rugovës” si një moment i lëvizshëm, i papërfillshëm ndonjëherë, por i papërsëritshëm në një aspekt, me projektin e hetimit të vizionaritetit të një figure po ashtu të papërsëritshme politike, siç është ajo e Rugovës është esenciale për të kuptuar drejt madhështinë e një projekti nacional, i cili mbështetet në paradigmat nacional-kulturore, në rikrijimin e traditës dhe në aplikimin e saj si normë për të projektuar kodet nacionale brenda bashkësisë së vlerave universale. Pikërisht kodet nacionale të Rugovës ai është munduar t’i shpjegojë në një studim të tijin. “Formimi intelektual dhe shkencor i dr. Rugovës ndërlidhet ngushtë me kërkimin në arketipat e kulturës dhe identitetit shqiptar.
Prandaj, njohja e kulturës orale, para së gjithash studimi i thellë i shenjave të identitetit nacional, këngëve kreshnike, Kanunit etj., pastaj njohja dhe identifikimi me figurat e mëdha të kulturës e të historisë kombëtare i shërbyen atij si premisa për ta ndërtuar një model të veçantë të kërkimit të identitetit personal në arealin e madh të kulturës e të dijeve nacionale”, thotë Miftari. Nga kërkimi i tij, ai del në përfundimin se Skënderbeu ka qenë një model politik për ish-presidentin e Kosovës.
“Figura historike e Skënderbeut paraqet njërën nga premisat mbi të cilat mbështetet koncepti politik i Rugovës. Mbështetja në figurën e heroit nacional shqiptar nuk u referohet shumë rrethanave historike as figurës historike, sa strukturës së mendimit të tij, e cila në interpretimin e Rugovës shërben si arkistrukturë mbi të cilën ndërtohet një koncept i të menduarit dhe i sjelljes në raport me intencën e kolektivitetit dhe me përmasën e gatishmërisë së përfshirjes personale në të.
Rugova i referohet atij që sot quhet program mesjetar europian të Skënderbeut, konceptit të tij për t’i mbrojtur vlerat perëndimore të vendit të tij, si dhe mbrojtjes së lirisë së tjetrit po kaq sa edhe vetvetes, e cila për rrjedhojë pati shpalljen e tij “Atlet i Krishtit”, nga Papa dhe njohjen e tij në histori si mbrojtës i krishterimit. Ky parim themelor i filozofisë mesjetare të heroit nacional të shqiptarëve, i cili “para se të ishte ideator programues i një orientimi të ri për shqiptarët dhe krejt ballkanasit, i orientimit të ri drejt Perëndimit”, megjithëse i kushtoi shumë në planin ushtarak”, thotë Miftari.
Kodi kristian dhe vlerat perëndimore janë një tjetër kod i Rugovës. “Kodi i lirisë universale të cilit i referohet programi mesjetar i Skënderbeut, gradualisht është shndërruar në kod të brendshëm, të cilin shqiptarët as e kanë shpallur ndonjëherë si platformë as kanë pasur nevojë ta bëjnë këtë, sepse duke jetuar së brendshmi ai ka determinuar edhe në mënyrën e orientimit nacional dhe të sjelljes karshi tjetrit”, thotë ai.
Për të, formimi politik i dr. Rugovës është përcaktuar nga rrjedha historike, në njërën anë, dhe nga intelektualizmi i tij në anën tjetër, dhe karakteri i tij politik ka një përkufizues: ai është determinantë i lirisë intelektuale, e cila bart në vete një lloj përmase të filozofisë morale. Por cila është “prerja” mes kulturës dhe veprimit politik të ish-presidentit të ndjerë?
“Nëse kemi parasysh formimin e tij kulturor dhe intelektual, kapacitetin e tij për ta ndërlidhur traditën me vlerat universale, koncepti i tij politik mbështetet jo vetëm në teoritë, por edhe në rrjedhën historike të përfaqësimit të kërkesave nacionale, në të cilën së paku nga shekulli i XIX, tradita nacionale e mbështet identitetin kolektiv”, thotë Miftari.
Sipas tij, Rugova i bindur në ekzistimin e kodeve të brendshme nacionale të shqiptarëve përvijonte tolerancën në histori, ai zgjodhi një politikë aktive paqësore, i cili afirmonte vlerat demokratike dhe lirinë e brendshme me mjetet paqësore. Nga lider i lëvizjes ai u shndërrua në lider nacional, në të cilin përfaqësohej shpirti i vërtetë i shqiptarëve, i mbrojtur nga romantizmi. “Te ne ekziston një jetë “normale” nacionale, një afirmim kombëtar, që e ka formuluar te ne romantizmi, e që nuk i mohon dot të tjerët”, është shprehur ai kohë më parë.