“Ministria e Mirëqenies Sociale transferoi përgjatë natës rreth 300 bashkëqytetarë Romë në banesat e reja në Tufinë. Nuk ishte e lehtë, por u jam shume mirënjohës atyre që ndihmuan për zgjidhjen e krizës. Nga sot, Elidoni dhe Lorenci kanë një strehë të ngrohtë”. Ministri Erion Veliaj bën të ditur nëpërmjet këtij komenti në faqen e tij në facebook bërjen realitet të premtimit të parë të tij në krye të kësaj ministrie, heqjen nga rruga e dhjetra familjeve rome.
Zhvendosja e romëve është kryer nga Ministria e Mirëqenies Sociale nga ora 03:00 deri 05:00 të mëngjesit të sotëm. Romët janë vendosur në godinën e rikonstruktuar të ish-repartit ushtarak në Shishtufinë, ndërkohë që sot në mëngjes trotuari ku ata kishin ngritur çadrat e tyre, pas dëbimit nga ambientet e jashtme të ish- Ndërmarrjes së Dekorit, ishte boshatisur. Mbrëmë romët kundërshtuan zhvendosjen e tyre gjatë orëve të natës duke kërkuar që veprimet të ndërmerreshin ditën, por burime zyrtare nga ministria e Mirëqenies Sociale bëjnë të ditur se zhvendosja e tyre është ndërmarrë natën për të evituar trafikun e rënduar apo ndonjë aksident të mundshëm. Avokati i Popullit, Igli Totozani i shoqëruar nga një raportere e Këshillit Europian për të drejtat e njeriut do të vizitojë nga afër romët të cilët me vendim të qeverisë së kryeministrit Rama që mban datën 27 shtator, ata janë strehuar në ish-repartin ushtarak 1005 në Shishtufinë.
Katër ditë më parë, (13 tetor) dy ministra të Qeverisë, Mimi Kodheli e Mbrojtjes dhe Erion Veliaj i Mirëqënies Sociale shoqëruar nga Avokati i Popullit Igli Totozani inspektuan ambientet e restauara, të ish-repartit 1005 në Shishtufinë, ku do bëhej strehimi i familjeve rome. Inspektuan punimet higjeno-sanitare në këtë godinë si dhe procesin e ndarjes së saj sipas kurorave për çdo familje. Të drejtat e romëve janë një nga 5 rekomandimet e Brukselit për Shqipërinë për të hapur negociatat, pasi Komisioni Europian rekomandoi dje dhënien e statusit të vendit kandidat për në familjen e madhe të Bashkimt Europian.