Rona Nishliu solli optimizmin e dhimbjes

Rona Nishliu solli optimizmin e dhimbjes
Rona Nishliu ka shpërthyer sërish në natën finale të Eurovizionit. Këngëtarja nga Mitrovica që ka përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 57-të të Eurovizionit, u ngjit e treta në skenë, nga 26 këngëtarët finalistë. Rona ka bërë të njëjtën performancë si edhe në gjysmëfinale, ka kënduar shqip, me po të njëjtën veshje dhe të njëjtin stilim flokësh, ndërsa publiku në sallën “Cristal Hall” në Baku ka shpërthyer në ovacione gjatë interpretimit të Ronës, e quajtur një surprizë e këtij edicioni. Menjëherë pas interpretimit, Rona Nishliu ka falënderuar në shqip dhe anglisht, ndërsa në sallë janë valëvitur flamuj shqiptarë. Pjesëmarrja në Eurovizion i dha një jehonë ndërkombëtare interpretimit të këngës “Suus” dhe vokalit potencial të Ronës. Edhe këtë vit, vlerësimi i 26 finalistëve, është bërë nga çdo vend pjesëmarrës, ku 50% të pikëve i ka dhënë juria profesioniste dhe 50% votimi i publikut.

Rona Nishliu, këngëtarja nga Mitrovica, ka përfaqësuar këtë vit  Shqipërinë në Eurovizion. Të martën në mbrëmje u zhvillua gjysmëfinalja e parë dhe kënga “Suus” me tekst të shkruar nga Rona, me muzikë të Florent Boshnjakut u radhit e pesta në konkurrim dhe u shoqërua dy herë me duartrokitje nga spektatorët të cilët po e ndiqnin drejtpërdrejt spektaklin në sallën “Cristal Hall” në Baku të Azerbajxhanit. Rona Nishliu i performoi “live” ato 3 min e 16 sek teknikisht në mënyrë perfekte, emocionoi shqiptarët anembanë botës dhe jo vetëm ata. Në atë mbrëmje, talenti i Ronës bëri të ndërrojnë mendim dhe shumë skeptikë, të cilët në dhjetor e kishin kundërshtuar hapur këngën, për tekstin “qaraman”, për performancën “çjerrëse” të këngëtares, duke e cilësuar si të pamerituar çmimin e parë.

Kur spikerët thanë se Shqipëria kualifikohet për në finale, ishte momenti kur muzika na tregoi se mund të bëhet art dhe duke vajtuar, ishte moment kur kuptova se sa të domosdoshme e ka natyra njerëzore që edhe në moment trishtimi e dhimbjeje të jetë optimiste e të shpresojë. Në Shqipëri festivali nuk u transmetua nga RTSH për shkak të zisë kombëtare, shumë shqiptarë e ndoqën nga transmetimi i RTK, por ky festival do të mbahet mend edhe si festivali i parë ku Shqipëria u përfaqësua nga shqiptarja e Kosovës dhe kujtoj se sa shpesh gjatë transmetimit u kanë bërë thirrje shqiptarëve të diasporës dy moderatorët kosovarë për të votuar këngën duke më kujtuar ndjenjën aq të bukur që kanë shqiptarët, solidaritetin midis njëri-tjetrit në të mirë e në të keq.

Vjet, për shkak se bashkëshorti im qe pjesë e stafit që përfaqësoi Shqipërinë në Gjermani, edhe unë u gjenda në konferencën e parë për shtyp që muzikantët dhe Aurela Gaçe u dhanë gazetarëve. Një ndër pyetjet që iu bë grupit shqiptar ishte: “Si është e mundur që Shqipëria na sjell një version të këngës në dhjetor dhe një version të ndryshëm të këngës në maj?”

Jemi një vend i vogël dhe gjithmonë na ka përndjekur ndjenja e inferioritetit dhe kur kënga, përpara se të dërgohet në Eurovizion, dërgohet në studio regjistrimi jashtë Shqipërisë për t’u përpunuar për një kualitet më të mirë, autorët e këngës mahniten nga studiot përrallore të botës, dhe e riorkestrojnë, rifusin linja të tjera të instrumenteve, ndonjëherë dhe ndonjë instrument ose linjë tjetër që nuk është dëgjuar fare në dhjetor. Gjithashtu, për t’u kuptuar më mirë nga të huajt e Eurovizionit, testi kthehet në anglisht. Në fund këngës nuk i ka mbetur shumë nga origjinali duke harruar të gjithë se origjinali ishte ai version që mori çmimin e parë.

Këtu mendoj se kësaj radhe  përsëri Rona Nishliu (si poete) dhe Florent Boshnjaku (si kompozitor), na nderuan duke vendosur që kënga të këndohej shqip, e të mos ndërhyhej në orkestracion. Për herë të parë, edhe pse për pak minuta, bota mbarë dëgjoi se si tingëllon gjuha shqipe. Për herë të parë shqiptarët anembanë botës shijuan këngën me gjithë komponentët e saj, (muzika, orkestracioni, teksti) njëlloj si në dhjetor…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama