Një gala mbrëmje është organizuar për nder të këngëtares kosovare, e cila arriti në vendin e pestë në festivalin e Eurovisionit si përfaqësuese e Shqipërisë. Përveç kolegëve të saj, Rona Nishliu është pritur me duartrokitje edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Mbrëmjen e ka filluar organizatori i ndejës, Erolld Belegu, i cili ka paralajmëruar se kjo do të jetë një mbrëmje befasi për këngëtaren.
“Në momentet e këtilla kam dëshirë që të këndoj dhe jo të fal. Faleminderit për këtë pritje! Faleminderit Presidente që më keni telefonuar që në natën e parë në gjysmëfinale. Ju faleminderit. Kaltrina, Lori, Blero dhe të gjithë të tjerët ju faleminderit!”, ka thënë Rona, transmeton Express.
Ajo ka falënderuar edhe mediat kosovare dhe të gjithë të tjerët, familjen, por edhe Florent Boshnjakun.
“Uroj që këso momentesh të kemi edhe më shpesh. T’i tregojmë botës, t’i tregojmë Evropës që edhe ne mund të tregojmë vlerat tona”, tha kompozitori Boshnjaku.
“Ju, Rona, keni prezantuar një vlerë, sepse rinia e Kosovës ka një vlerë që mund t’ia prezantojë tërë botës”, ka thënë Jahjaga.
I pranishëm ka qenë edhe Martin Lekaj, i cili është përkulur para Ronës dhe ka thënë se ai ndihet shumë i emocionuar. Ai ka evokuar kujtime nga pjesëmarrja në Eurovision, përderisa krejt në fund ka ardhur deri tek prerja e ëmbëlsirës, që Rona e ka bërë bashkë me presidenten Atifete Jahjaga.