Një sezon ende pa asnjë lojtar dominues, me suksese të shpërndara në mënyrë demokratike dhe fenomenë në depresion për shkak të zhgënjimeve me kombëtaret (si rasti i Lionel Mesit), atëherë nuk ka më mirë se një finale e kampionatit europian për të dorëzuar trofeun e "Topit të Artë".
Finalja e sotme mund të quhet ndryshe edhe ajo e Kristiano Ronaldos kundër Antuan Grizmanit. Portugezi, i cili mban vendin e parë si futbollisti më i mirë në botë tri herë dhe të dytin pesë herë në 9 vitet e fundit, përballë francezit, yllit të turneut dhe debutuesit në këtë çmim.
Por kujdes! Në vitet e shkuara, atëherë kur ka pasur Botëror ose Europian, jo gjithnjë suksesi në finale e ka dorëzuar trofeun më prestigjioz individual të kësaj loje.
Veçanërisht këto vitet e fundit, kur ai është kanibalizuar nga dyshja Mesi-Ronaldo. Për shkak të këtij formati votimi, Iniesta dhe Shnajder, dy lojtarë që e kanë merituar, në fund kanë mbetur me gisht në gojë.
Por precedentët ekzistojnë. Në vitin 1996 e fitoi Zamer, simbol i një Gjermanie kampione Europe. Në vitin 1998 e fitoi Zidan, me dy golat që i shënoi Brazilit në finalen e Botërorit.
Dy vite më vonë, Zidan nuk bëri dot bis, edhe pse Franca u shpall sërish mbretëresha e kontinentit: vendi i parë i shkoi Figos. Në vitin 2004, me Greqinë në piedestal, ishte logjike që çmimi i shkoi Shevçenkos.
Në vitin 2006, askush nuk ia hiqte dot dominimin dyshes Kanavaro-Bufon. Pastaj, pjesa tjetër është vetëm histori mes atyre të dyve...
PËRGATITI: ANDROKLI DRALO