Rosela Gjylbegu Nga Shkodra ime kam marre dashurine per artin
- Botuar: 14 vite më parë
- Shkruar nga:
Këngëtarja: Mbase në një të ardhme mund të mendoj edhe për ndonjë mundësi për të punuar edhe larg Shqipërisë... Këngëtarja Rosela Gjylbegu në një intervistë për “Tirana Observer” tregon se si ka ndikuar qyteti i saj i lindjes në formimin e saj muzikor. Ajo tregon se që fëmijë ka patur idhujt e saj, të cilët e kanë shoqëruar gjatë jetës për të arritur majat e suksesit. Ajo flet për emocionet që ka kaluar sidomos kur është vlerësuar me çmime të ndryshme. Edhe pse e re në moshë ajo arriti të këndoi perlat e muzikës popullore përkrah artistëve më të mëdhenj të kësaj muzike. Ajo tregon arsyen e thjeshtësisë së saj si në skenë dhe në jetën e përditshme. Si vajzë nga qyteti i Shkodrës dhe bijë e një familje të dëgjuar siç është ajo e juaja. Si kanë ndikuar këto dy element në formimin tuaj si këngëtare mjaft e suksesshme? Sa keni marrë prej qytetit tuaj dhe sa po i jepni atij?
Sigurisht si bijë e një qyteti të jashtëzakonshëm nga i cili kanë dalë artistët më të mirë shqiptarë, por gjithashtu dhe si bijë e një familjeje të madhe me tradita. Të dyja këto të kombinuara kanë ndikuar pozitivisht në formimin tim personal e profesional,duke më shoqëruar gjithnjë në rrugëtimin tim, nga qyteti im kam marrë melodicitetin dashurinë për artin dhe, besoj se edhe unë u kam përçuar shumë emocion ...
Të gjithë kur kemi qenë të vegjël mund të na ketë ndodhur që të kemi një idhull të cilin kemi dashur ta imitojmë. A ka ndodhur një gjë e tillë me ju?
Po ashtu, edhe unë, si shumë fëmijë kam pasur idhujt e mi të cilët më bënin të ëndërroja se ndoshta një ditë edhe unë do përjetoja emocione kaq të forta,muzika e tyre ka qenë mbështetës dhe shoqëruese në momentet më të forta emocionale ,e sot unë ndoshta me këngët e mia bëj të njëjtën gjë për ata që dëgjojnë muzikën time...dhe kjo më bën të lumtur më mbush më energji,sfide për të bërë gjithnjë e më shumë muzikë.
Kur e keni ndjerë veten se jeni shkëputur plotësisht nga muzika për fëmijë dhe keni kaluar në një stad më të lartë në atë të muzikës së lehtë për të rritur?
Kur jemi të vegjël mezi presim të rritemi e sidomos vajzat, e duke qenë se jam rritur me muzikën e viteve 90', në një familje të madhe ku unë isha më e vogla dhe rrija gjithmonë me më të rritur jam ndjerë gjithmonë ndryshe nga bashkëmoshatarët e mi, gjithmonë kam kënduar e dëgjuar këngët e atyre viteve ndaj s’di kur mund të them me saktësi e kam ndjerë këtë shkëputje.
Spektakli “Ethet e së Premtes” ka qenë ai që ju ka ndryshuar rrjedhën e jetës tuaj. A mund të na tregoni ndonjë kujtim apo detaj që ju e kujtoni me nostalgji?
Nostalgji, eksperienca më e bukur e jetës sime e pakrahasueshme...Falë mundësisë e besimit të gjithë stafit, unë jam sot një këngëtare e afirmuar e për këtë s’do rresht kurrë së falënderuari gjithë.
Në festivalin e 42-të të këngës në RTSH ju u vlerësuat me çmimin e tretë me këngën “Hirushja”. A mund të na thoni diçka në lidhje me këtë bashkëpunim, si lindi ai?
Kënga ime e parë në një festival prestigjioz, çmimi i tretë vetëm kur isha vetëm 16 vjeçe! E çfarë mund të duash më shumë, kam qenë me fat...
Menjëherë pas këtij çmimi ju vazhdoni me të tjera bashkëpunime të cilat ju hapën rrugën drejt suksesit të padiskutueshëm ku një ndër to ka qenë dhe kënga fituese e çmimit të parë te “Kënga Magjike” si rezultat i një bashkëpunimi me këngëtaren Eliza. Si e përjetuat këtë çmim?
Ishte një moment shumë i rëndësishëm si për mua edhe për Elizën, ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm për gjithë atë çka ne kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve, e për çdo artist këto janë emocione të papërshkrueshme të veçanta, u prit mirë nga të gjithë u vlerësua dhe ne ia kishim arritur qëllimit tonë, që ishte të përçonim emocion, ende kur flas sot, rrëqethem... E paharrueshme ndjesia e asaj ngjarjeje.
Te “Këngët e shekullit” ju na keni befasuar duke kënduar perlat e muzikës popullore përkrah këngëtareve më në zë të kësaj muzike, si Bujar Qamili, Merita Halili, etj. A mund të na tregoni diçka në lidhje me këtë eksperiencë?
Po “Këngët e shekullit” një tjetër eksperiencë e jashtëzakonshme, një spektakël gjigant e për mua qe një nder të këndoja përkrah atyre artistëve aq të mëdhenj, promotor që më bënë pjesë të kësaj eksperience fantastike
A do ta veçonit muzikën e lehtë nga ajo popullore dhe ku e gjeni ju më mirë veten?
Janë dy gjini të ndryshme dhe unë përshtatem më së miri, por pa diskutim pika ime më e fortë qëndron tek muzika e lehtë...
Ndryshe nga këngëtarët e tjerë ju keni një stil të veçantë në paraqitjen tuaj skenike keni një thjeshtësi në mënyrën e të veshurit. Si e shpjegoni këtë?
Jam thjeshtë unë, nuk më pëlqen të stisem apo të sajohem... Në këtë thjeshtësi unë jam rritur, jam formuar e tillë reflektohet dhe tek paraqitjet e mia.
A mund të na tregoni diçka në lidhje me eksperiencën tuaj në “Eurovision” si debutuese në këngën e Anjeza Shahinit? Si i përjetuat ato çaste ku ju arritët të pozicionoheshit në vendin e shatë?
Ka qenë një përvojë shumë e bukur, me shumë emocione edhe pse ne ishim vetëm backvocals, por si viti i parë ku Shqipëria shkonte, kuptohet që kishte shumë përgjegjësi dhe pritej shumë nga kjo pjesëmarrje... Them se i bëmë të ndjehen krenar.
Në lidhje me aktivitetin e fundit që ju do të zhvilloni në Kanada së bashku me një grup këngëtarësh dhe humoristësh. Si e pritët ju këtë ftesë dhe a e shikoni mundësinë për të bërë karrierë larg Shqipërisë?
Në fakt unë jam në përgatitje e sipër e kam marrë me shumë kënaqësi këtë ftesë, për mua është hera e parë që shkoj në Kanada dhe më kanë folur aq shumë për të sa mezi po pres ta shoh, uroj që të shkojë mirë.... pse jo, ndoshta në një të ardhme mund të mendoj edhe për ndonjë mundësi për të punuar edhe larg Shqipërisë.