Skënderbeu vijon të jetë i përqendruar për të forcuar ekipin për sezonin e ardhshëm dhe të gjithë drejtuesit janë duke u marrë me afrimet e reja në ekip. Por ndryshe nga sezonet e tjera kur përgatitjet kanë qenë më të shpejta dhe merkato e pakushtëzuar, këtë herë gjërat kanë ndryshuar, të ndikuara edhe nga vendimi që pritet të japë KAS më 6 korrik.
Megjithatë ditët e fundit në kampin bardhekuq ka filluar të përmendet jo pak emri i Odise Roshit si një përforcim i mundshëm për ndeshjet e Europës. Kujtojmë që korçarët janë duke kërkuar elementë cilësorë për t'i bërë ballë Ferencvaroshit në fazën e dytë të Champions Ligës dhe emri i fierakut që ishte pjesë e Kombëtares mund të jetë goditja e madhe e merkatos së kampionëve të paktën për ndeshjet e muajit të ardhshëm, gjithmonë nëse KAS do ta lejojë që t'i luajë. Skënderbeu ka marrë një dënim 1-vjeçar nga UEFA për të mos marrë pjesë në Europë dhe tashmë fjalën përfundimtare e ka Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Avantazhet
Sa i takon tratativës, ajo është e vështirë, pasi bëhet fjalë për një lojtar kalibri, por jo e pamundur. Një transferim i tillë është i mundshëm, pasi Roshi nuk po kalon një moment të mirë te Rijeka në Kroaci. Dëshira për të pasur më shumë hapësira në formacion dhe për më tepër të luajë të Champions mund ta bindin futbollistin që të bashkohet me korçarët. Gjithashtu menaxheri i lojtarit, Shkumbin Qorrmemeti, është një nga konsulentët e merkatos së Skënderbeut dhe mund të ndikojë te futbollisti për të ardhmen e tij.
Vendimi
Megjithatë për momentin një transferim i tillë ekziston vetëm në letër, për shkak se lojtari nuk mund të rrezikojë që të mos luajë në ndeshjet europiane. Kështu që pas vendimit të KAS-it, i cili do të jepet më datën 6 korrik do të ketë edhe një ide më të qartë në lidhje me të ardhmen e lojtarit te Skënderbeu. Por, nëse korçarët lejohen nga KAS që të marrin pjesë në Champions, atëherë transferimi i lojtarit te korçarët mund të bëhet realitet edhe si pasojë e një shifre financiare për të përmbushur pritshmëritë e tij. Roshi do të ishte një garanci e madhe për trajnerin Agostineli në të djathtë të mesfushës.
Llazi Saro