Politika jo vetëm ka mbërthyer televizionet, faqet e gazetave, faqet e lajmeve online, Facebook-un, Twitter-in, blogjet, e të tjera, mendova, por ka mbërritur edhe deri te sporti ynë i mëngjesit. Ula ritmin e ecjes për të dëgjuar bashkëbisedimin. Njëri nga të moshuarit thërriste po Meta, Topi dhe Spahiu a nuk ishin deri dje në pushtet me PD, dhe a nuk kishin aq shumë gjëra në duar?!
Fushata elektorale ka nisur më shpejt se zakonisht, dhe nëse një moment kërkon ta shohësh si i paanshëm, jashtë çdo emocioni apo përkatësie, është mjaft e çuditshme, për të mos thënë e paskrupullt. Mendja bën pyetjen çfarë nuk shkon dhe si munden disa njerëz të arrijnë deri këtu?
Berisha dhe PD kanë tetë vite në pushtet, arritjet dhe mosarritjet, sukseset dhe venitjet që sjell pushteti gjykohen dhe vlerësohen nga secili prej nesh dhe në këtë shkrim nuk do merrem me mazhorancën, pasi ka shumë që e bëjnë çdo ditë deri në tepri këtë gjë.
Opozita tashmë ka disa ngjyra dhe disa formacione. Formacioni më i madh opozitar është ai që bashkon lejlanë e Ramës me të kuqen e Metës, për të dhënë një ngjyrë që nuk mund t’i vësh emër. Socialistët janë fragmentarizuar: një pjesë, ata që punojnë dhe militojnë në bashkitë e majta, nuk besoj se mendojnë që nuk janë pjesë e pushtetit (pushtet është dhe ai vendor). Ka të tjerë që presin rotacionin politik që t’u kthejë gjithë pushtetin.
Rama në krye të opozitarëve lejla e të kuq, kërkon me ngulm dhe me çdo çmim rotacionin e pushtetit politik, duke harruar që qeverisi 1/3-ën e vendit për 11 vjet me radhë dhe se pasojat e qeverisjes lokale të tij e bënë të largohej me votë dy vjet më parë.
Një segment tjetër i formacionit më të madh opozitar janë socialistët e LSI, që ndanë dhe morën 20 % të pushtetit të Berishës dhe kjo vlente në çdo qelizë të pushtetit, nga ai ekzekutiv, në atë lokal, për të vazhduar me emërimet nëpër gjykata dhe deri tek bordi i Bankës Qendrore. Ministra të LSI-së, për arsye që ata i dinë (po dhe shqiptarët kuptojnë) bënë dhe rotacionin midis tyre, zv/ministra, drejtorë të mëdhenj e të vegjël, specialistë, njerëz pafund, që në këto 4 vite ngjyrosën qeverisjen e PD-së dhe dhanë mesazhe publike dhe qytetare, që larguan demokratët nga zyrat.
Krejt jo natyrshëm Ilir Meta kërkon dhe pret rotacionin, rotacionin e një pushteti që e përdorën, e shfrytëzuan, nga i cili u majmën dhe e njollosën më mirë se askush tjetër.
Segmenti tjetër “interesant” opozitar është ai i Bamir Topit dhe ndjekësve të tij, ish-ministra, ish-deputetë apo ish-zyrtarë të lartë deri dje të PD. Me të “drejtë” ata kërkojnë rotacionin politik, kërkojnë rotacionin e një pushteti dhe të një lidershipi të cilit i shërbyen me devotshmëri, që nuk folën dhe nuk mbajtën kurrë një qëndrim kundër sa kohë kishte pushtet e pjesë kulaçi për të ndarë.
Bamir Topi, Gazmend Oketa e disa të tjerë kërkojnë rotacionin e kujt, sepse nëse duhet të ketë rotacion, edhe këta duhet të jenë ndër ata që duhet të ikin. President i propozuar dhe i votuar me kartonët e PD-së dhe “votat e blera” të PS-së, Bamir Topi pati rastin, të cilin e humbi njëherë e përgjithmonë, të kontribuonte për konsolidimin e një shteti ligjor dhe pushtetesh të ndara. Bamir Topi hyri dhe mbeti në historinë e Shqipërisë si presidenti që shndërroi presidencën në seli partie dhe që nuk foli kurrë kur duhej dhe flet tashmë kur s’ka më vlerë.
Kreshnik Spahiu, është më qesharaku në opozitën e tij. Shpesh nuk kuptohet ku mbaron aktrimi dhe ku fillon komunikimi politik dhe publik i tij. Kërkesa e tij për rotacion shkon madje përtej asaj të Ramës, Metës dhe Topit së bashku. Për këdo që ka pak memorie, Kreshnik Spahiu ka qenë nënkryetar i KQZ-së në vitin 1996, për shumë vite nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i propozuar dhe i votuar nga PD. Deklaratat dhe thirrjet e tij për rotacion të klasës politike kanë vlerë nëse rotacioni fillon me daljen e tij nga skena politike dhe publike.
Maji tashmë ka hyrë dhe 23 qershori është më afër se duket. Betejat elektorale do shpalosin programe me dhe pa përmbajtje, shumë retorike dhe shumë pak të vërteta. Thirrjet për rotacion, për largim të regjimit do vazhdojnë, po nëse rotacioni do të ndodhë me dhe nga pushteti i disa njerëzve që nuk lëvizin nga pushteti, ajo që do vijë do jetë një humbje shprese dhe asgjë më shumë.