Takimin e parë gjatë vizitës së saj zyrtare në Gjermani, ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha e ka zhvilluar me ministrin e Shtetit, Michael Roth. Duke u ndalur te perspektiva evropiane e Shqipërisë, Ministrja Gjosha nënvizoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha reformat dhe standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
“Për ne Bashkimi Evropian është një forcë transformuese që na nxit të zhvillojmë akoma më tepër vendin tonë. Qeveria shqiptare është e palëkundur në angazhimin e saj për të përmbushur reformat, pasi ato në radhë të parë i shërbejnë qytetarëve tanë”, u shpreh Gjosha gjatë takimit.
Nga ana e tij, ministri gjerman është shprehur se reformat janë e vetmja mënyrë për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE. Roth ka theksuar se, Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.