Foshnja
Nëna e saj, Mbarime Ymeri thotë se ndihet dyfish e lumtur, pasi Rozalinda është fëmija i saj i parë, dhe për më tepër lindi në një ditë të veçantë për shqiptarët, Ditën e Pavarësisë. Edhe emri i saj mund të jetë thjesht një rastësi e lidhur posaçërisht me Pavarësinë, pasi Rozalinda në shqip fjalë për fjalë do të thotë ‘linda e kuqe’.
Nëna
“Ndihem shumë e lumtur, këtë ditë do ta kujtoj gjithmonë, sepse është festa e gjithë shqiptarëve, dhe e vajzës time që lindi në këtë ditë të shënuar. Vajzën e kemi quajtur Rozalinda, dhe me sa duket donte që të lindte patjetër në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, pasi erdhi në jetë para kohe”, thotë Mbarime Ymeri, nëna e fëmijës.
Vizitat
Rozalinda dhe nëna e saj është vizituar nga ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo dhe drejtori i Maternietit “Mbretëresha Geraldinë”, Halim Kosova, të cilët i uruan Rozalindës jetë të gjatë e të lumtur, ndërsa dhuruan shporta me lule për nënat që sollën në jetë fëmijët e tyre ditën e Festës së Pavarësisë. Deri mesditën e djeshme në maternitetin Mbretëresha Geraldinë erdhën në jetë 11 foshnja. Ministri Tavo dhe drejtori Kosova garantuan se shëndeti i foshnjave dhe nënave që kanë lindur deri në mesditën e 28 Nëntorit gëzojnë shëndet të plotë.
Trinjakët
Ndërkohë një prej nënave ditën e djeshme lindi trinjakë të gjinisë mashkullore. Drejtori Halim Kosova e quajti ardhjen në jetë të tre vogëlushëve si një begati dhe mbarësi për popullin shqiptar, pasi lindja e trinjakëve zakonisht ka ndodhur shumë rrallë. “Këta fëmijë janë shpresa e ditëve që do të vijnë dhe arsyeja e të gjithë ne për të ndërtuar një vend sa më të denjë për fëmijët tanë. Qofshin këto jetë të reja simbol i një fillimi të ri dhe më të ndritur për të gjithë shqiptarët” tha ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ndërsa vizitoi dje fëmijët e sapolindur. Nga ana e tij drejtori i maternitetit, Halim Kosova, siguroi se foshnjat dhe nënat gëzojnë shëndet të plotë, dhe se stafi mjekësor do të ofrojë gjithë shërbimin e nevojshëm shëndetësor për ta.
Liridoni, djali i parë i Pavarësisë
Por përveç vogëlushes Rozalinda, i pari bebe i seksit mashkull në kryeqytet quhet Liridon, dhe ka ardhur në jetë dje rreth orës 07:30 të mëngjesit në maternitetin “Koço Glozheni”. Prindërit u shprehën të lumtur për lindjen e djalit të tyre në Ditën e Pavarësisë, ndaj dhe e pagëzuan me emrin shqiptar Liridon.
Të martohesh për 100-vjetor
Krahas lindjes së një fëmije një tjetër ngjarje e veçantë në jetën e njeriut është edhe dasma, që mbetet gjatë në memorie aq më tepër nëse zgjedh të martohesh në një datë të veçantë të kalendarit, siç është 100-vjetori i Pavarësisë. Një çift me origjinë nga Tropoja, Agron dhe Lindita Toska kanë kurorëzuar dashurinë e tyre pikërisht në këtë ditë të veçantë, ku përveç luleve dasma e tyre u zbukurua edhe me flamuj kuq e zi. Rastësisht gjatë kalimit me makinë çifti është përshëndetur nga larg me dorë edhe nga kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, i cili merrte pjesë në aktivitetet për 100-vjetorin.