Rozana nje imazh qe shet

Rozana, një imazh që shet
Së fundmi kompani shqiptare e të huaja, po provojnë të prezantojnë produktet e tyre përmes figurave publike shqiptare. Rozana Radi është ndër të paktat që shfaqet si imazh i një marke prestigjoze ndërkombëtare

Të mësuar me fytyra të zbehta modelesh të huaja, që reklamojnë lloj-lloj mallrash e firmash, nuk ka se si mos të të mbeten sytë kur në këtë rol sheh një shqiptare. “Edhe unë vetë e kthej kokën”, - thotë Rozana Radi. Jo për të admiruar veten, por idenë që edhe një imazh shqiptar mund të shesë. Prej pak kohësh ajo është imazhi i një prej markave më të njohura të orëve, “Romanson”. Përfaqësuesit e firmës në Shqipëri, nuk preferuan të sillnin një imazh “të gatshëm”, për të reklamuar modelet më të reja, por ta gjenin në Shqipëri një imazh që shet. Dhe zgjodhën Rozanën që tanimë nuk i duhet të “shesë” vetëm këngët e saj, por edhe një markë. Nuk e kanë menduar keq.

Shumë do të donin t’i ngjanin bjondes bukuroshe e nëse ajo mban një orë të tillë… Ajo nuk është e para, por as në listën e të shumtëve. Kemi parë bukuroshe, misse, apo prezantuese që reklamojnë aktivitete e tyret, si sallone me fustane nusërie, apo të sfilojnë në pasarela, por përfaqësuesit e firmave të mëdha botërore janë të paktë, për të mos thënë zero.

Në radhën e shqiptarëve përmendim violinistin Tedi Papavrami, i cili gjithashtu reklamon një orë, Kledi Kadiu i cili 2-3 vite të shkuara u bë imazhi i një kompanie celulare. Klodiana Shala gjithashtu. Së fundmi kemi parë gjithandej figurën e vajzës së mirë, Olta Boka, që prezanton një gjimnaz në Tiranë. Kemi parë edhe aktorët Ema Andrea, Alfred Bualioti, Reshat Arbana e Mehdi Malkaj, teksa prezantojnë në spote të ndryshme televizive kompani sigurimesh, pensionesh apo edhe produkte ushqimore. Duket se drejtuesve të kompanive, që nga ato më të voglat, tek më të mëdhatë, po e kuptojnë se një figurë publike “vendase” mund të tërheqë më shumë vëmendje, madje mund të jetë edhe më e suksesshme, se sa një ikonë e bukur nga kush e di ç’pasarelë e botës.

Dhe tani, nën një emër të madh, shfaqet Rozana Radi. Ajo thotë se kishte kohë që përfaqësuesit e kësaj firme në Tiranë i kërkonin të reklamonte bizhutë, që ata tregtonin dhe më në fund ajo pranoi për orën. “Më pëlqeu fakti që bëhej fjalë për një firmë prestigjoze”, - thotë Rozana, e kënaqur, që zgjodhën pikërisht atë si imazh. Si një këngëtare superaktive që verën e ndan në koncerte e udhëtime, është mësuar ta shohë veten nëpër postera e lajmërime. “Posterin tim e sheh kudo në Shqipëri dhe s’më bën përshtypje, por të shohësh një orë të mrekullueshme, në dorën time, në një poster të madh, më bën dhe mua të kthej kokën”. Edhe në posterin në fjalë, Rozana mbetet brenda natyrës së saj. Rebele dhe joshëse. I është dashur t’i ekspozohet aparatit të fotografit Feliks Bilani në qindra shkrepje, deri në zgjedhjen e fotografisë më të mirë. “Më pëlqen sepse është e thjeshtë”, - thotë këngëtarja, të cilën nëpër posterat e koncerteve të fundjavës e kemi parë edhe më provokuese se kaq. Duket që përfaqësuesit e firmës kanë dashur një imazh disi më “të përkorë”.

Tek e sheh veten të përfshirë në një ritëm frenetik, koncerte, studio, videoklipe, angazhime në kinematografi, Rozana Radi ndihet si një “supergrua”. Pushon pak, shfrytëzon të nesërmen e një koncerti për t’u çlodhur, “nëse e nesërmja është e hënë”. Ndosha ky ishte edhe imazhi i kërkuar. Një njeri që “nuk fle”, si ora. “Mbrëmë po e mendoja dhe po thoshja me vete: “Rozi do ndalesh diku ti? Joooo, s’ma merr mendja që do të ndalem. Më çmend fakti që nuk mund të kem një ditë normale si gjithë të tjerët, po ç’të bëj? Kjo është jeta ime dhe e dashuroj si të tillë. Po të ishte ndryshe, s’di si do bëja”, - thotë Radi, teksa tregon se vjeshta e pret me të tjera projekte. Një kontratë 5-vjeçare me shtëpinë diskografike “Eurostar”, një këngë e re në bashkëpunim me kompozitorin Adrian Hila, një videoklip, prezantimi i filmit me metrazh të shkurtër “Mira” e nga fundviti një duet surprizë, ku ajo premton të jetë më e “qetë”. Tashmë ndihet mjaft e vlerësuar në pozicionin e ri të “modeles”. “Ndihem e vlerësuar që nga momenti që më zgjodhën mua. Sa i përket pagesës dhe ajo është mjaft e mirë”. Sigurisht nuk pranon t’i tregojë xhepat. “Paratë dhe dashuria nuk tregohen”, - thotë ajo duke qeshur, ndërsa nxiton për në një tjetër aktivitet, ku është e ftuar.

Alma Mile
Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama