Dëshmia e 35-vjeçarit me origjinë nga Fushë-Kruja, që u implikua për herë të parë në trafikun e hashashit. “Me pilotin italian më kishte njohur një shqiptar në Vareze. U arrestova se m’u prish freksioni i makinës”
Saimir Bajrami që “vërtetoi” akuzat për trafik droge me avion, është një emigrant i zakonshëm në Itali, ku për vite të tëra është përpjekur të fitojë jetesën me punë të ndershme. Autoritetet italiane nuk kanë asnjë rekord kriminal për të, sikundër dhe në Shqipëri nuk ka asnjë dosje. Edhe kontrolli i kryer në banesën e tij në Manzë të Durrësit, pas arrestimit, nuk ka zbuluar asgjë të dyshimtë për veprimtarinë e 35-vjeçarit. Në një rrëfim të gjatë përpara hetuesve, Saimir Bajrami me orgjinë nga Fushë Kruja, ka pranuar gjithçka, që nga organizimi në Itali e deri te përpjekja për t’u larguar nga plazhi i Divjakës pas rrëzimit të avionit. Bajrami ka thënë se gjithçka e ka bërë për arsye ekonomike, pasi gjatë emigracionit nuk ka mundur të fitojë sa duhet dhe për këtë arsye ka menduar të trafikojë sasinë prej 460 kilogramë hashash drejt Italisë.
“Të gjithën e kam bërë për arsye ekonomike. Si emigrant nuk kam fituar shumë dhe mendova se kjo do të ishte një mënyrë fitimprurëse”,- mësohet të ketë deklaruar përpara hetuesve 35-vjeçari shqiptar. Ai ka deklaruar se me shtetasin italian, Giorgio Riformato është njohur në Itali nëpërmjet një tjetër shqiptari që kishte njohje të përbashkët me të dy. “Me pilotin italian më ka prezantuar në shqiptar që e kam njohur në Itali. Ai na njihte të dyve. Gjatë bisedave me shtetasin italian, ai ka pranuar të kryejë transportin e lëndës narkotike nga Shqipëria në Itali kundrejt pagesës 300 euro për kilogram”, – ka deklaruar Saimir Bajrami. Pasi ka rënë dakord me pilotin italian, Bajrami thotë se ka kontaktuar me një person në Fushë-Krujë, të cilin nuk e njihte personalisht. Ky i fundit ka marrë përsipër të sigurojë sasinë e lëndës narkotike që do të transportohej në Itali. Gjithçka është mbyllur gjatë kohës që 35-vjeçari ndodhej në Itali, ndërsa vizita në Shqipëri është bërë për të koordinuar detajet e fundit të trafikut, të cilin vetë shqiptari ka pranuar se e bënte për herë të parë. “Kemi ardhur në Shqipëri së bashku me pilotin italian në datën 8 maj 2014. Ai erdhi me avionin e tij dhe unë me avion pasagjerësh. Jemi takuar në Rinas dhe më pas kemi shkuar në një hotel pranë qendrës së Tiranës, ku kemi qëndruar të dy”, mësohet të ketë deklaruar 35-vjeçari shqiptar, i cili gjatë dy ditëve të qëndrimit në Shqipëri ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e gjithë procesit.
Saimir Bajramaj thotë se është nisur i vetëm drejt plazhit të Divjakës, së bashku me lëndën narkotike dhe ka qëndruar në pritje të avionit për të ngarkuar drogën. Kanabisi ka qenë i ndarë në çanta, tetë prej të cilave janë kapur në pyllin pranë plazhit dhe pjesa tjetër në automjetin tip “Mitsubishi” me targë “AA 794 EU” që drejtohej nga Bajrami. “Kur pashë që avionit i iku goma, tentova të marr sa më shumë nga malli dhe të largohem. Sapo u nisa, makina pësoi defekt dhe nëpërmjet banorëve të zonës unë kërkova një karroatrec, por në këtë moment erdhi policia dhe unë tentova të largohem”, – u ka thënë hetuesve emigranti shqiptar.
I pyetur për shumën e parave prej 27 mijë eurosh që janë gjetur në automjetin e Bajramit, ai ka deklaruar se kjo shumë parash ishte vetëm një pjesë e pagesës për pilotin italian, i cili do të kryente transportin. “Unë do i paguaja pilotit italian shumën e 27 mijë euro, pasi kishim rënë dakord që ai do të merrte 300 euro për çdo kilogram hashash që do të transportonte. Kjo ishte vetëm një pjesë e pagesës, pasi pjesën tjetër do t’ia jepte një shtetas italian sapo lënda narkotike të mbërrinte në destinacion”, – ka deklaruar Bajrami. Ai nuk ka pranuar të identifikojë asnjë prej personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku të narkotikëve, duke deklaruar se nuk kishte njohje personale me ta. I pyetur nëse kishte automjete apo persona të tjerë në pritje të avionit, Bajrami ka deklaruar se ishte krejt i vetëm. Por policia dhe prokuroria thonë se në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe të paktën tri automjete të tjera, të cilat janë larguar sapo kanë parë defektin në avion, por momentalisht këta persona nuk janë identifikuar ende.